KOSOVË- Kosova do të votojë të dielën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Më shumë se 2 milionë votues janë thirrur për të votuar për të dytën herë brenda vitit për vendet në parlament, pas dështimit të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes për të patur mbështetjen e nevojshme për mandatin qeverisës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. 

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2.557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht. Në garë për të zënë një vend në Kuvendin e Kosovës janë gjithsej 1.146 kandidatë për deputetë nga 23 subjektet politike të cilat garojnë në këto zgjedhje.

Ndërkohë, sot nga ora 07:00 deri në 19:00, qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të votojnë në përfaqësitë diplomatike. Të drejtë vote kanë 19 mijë e 187 votues të regjistruar, të cilët mund të votojnë në 29 përfaqësi diplomatike në 18 shtete të ndryshme. Procesi zhvillohet në gjithsej 40 vendvotime, të organizuara në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Kosovës.

Këtu bëjnë pjesë gjashtë vendvotime në Gjermani, tri në Zvicër, dy në SHBA, dy në Kanada, dy në Itali, dy në Francë, dhe nga një në Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë, Suedi, Austri, Norvegji, Slloveni, Danimarkë, Turqi, Kroaci, Holandë, Hungari dhe Çeki.

Sipas ligjit të ndryshuar për zgjedhjet, votimi nga jashtë realizohet; përmes postës, dërgimit të pakos në adresën e KQZ-së në Kosovë dhe votimit fizik në përfaqësi diplomatike.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe janë regjistruar me sukses për votim në përfaqësi diplomatike mund të votojnë: Me letërnjoftim, pasaportë ose leje vozitjeje të Republikës së Kosovës – lejohen edhe dokumentet me afat të skaduar, sipas vendimit të KQZ-së. Zëri juaj ka rëndësi. Merrni pjesë në votim!”, shkruan KQZ.

Sipas kësaj të fundit, shumica e votuesve nga diaspora janë regjistruar për votim me postë. Vota e diasporës ka shënuar rritje të vazhdueshme në zgjedhjet e fundit dhe konsiderohet gjithnjë e më vendimtare për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli dukshëm e para nga votat në përfaqësi diplomatike. Por, gjithsej 42 për qind e votave të fituara nga LVV-ja në ato zgjedhje ishin të pamjaftueshme që kjo parti, e cila ka qenë në pushtet e vetme që nga viti 2021, të qeverisë sërish vetë.