Kosovë, procesi i numërimit të votave ka përfunduar në 40 komuna dhe sot pritet që edhe Qendra Komunale në Prishtinë të mbyllë procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë dhe verifikimin e rezultateve për subjektet politike.

Nga ky proces në përfaqësi diplomatike, Vetëvendosje ka fituar 13 mijë e 297 vota ose 86.92 për qind, PDK ka fituar 905 vota ose 5.92 për qind, LDK me 726 vota ose 4.75 për qind dhe AAK me 243 vota ose 1.59 për qind.

Sipas KQZ-së, votimi u zhvillua në 29 përfaqësi diplomatike, në 18 shtete të ndryshme. Nga 19,187 shtetas të regjistruar, kanë votuar 16,165, apo 84.24%.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se paralelisht po përmbyllet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike, ndërsa shumica dërrmuese e vendvotimeve tashmë janë procesuar në platformën zyrtare të KQZ-së.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Ekonomia Online, tha se gjatë ditës së sotme pritet finalizimi i këtij procesi në QKN të Prishtinës.

“Gjatë ditës së sotme (e shtunë, 3 janar 2026), në QKN të Prishtinës pritet të përfundojë verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularë e plotësuar në vendvotime dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë”, tha ai.

Elezi bëri të ditur se deri në orët e paradites është procesuar pothuajse i gjithë numri i vendvotimeve.

“Deri në orën 10:00 të ditës së sotme, në platformën për rezultate të KQZ-së janë procesuar 2,536 nga 2,557 vendvotime apo 99.18% e vendvotimeve, në të cilat u zhvillua procesi i rregullt i votimit më 28 dhjetor”, tha ai.