Zgjedhjet janë për Vetëvendosjen

Zgjedhjet janë për Vetëvendosjen
Zgjedhjet këtë të dielë në Ferizaj janë për Vetëvendosjen. Nëse për dy partitë e mëdha kjo komunë do të jetë një njollë më shumë ose më pak në hartën elektorale të Kosovës, për Vetëvendosjen është vetë harta ku do të shtrihet më pas fati i saj politik.

Nesër në mesnatë fushata e shkurtër për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës në Ferizajt mbyllet dhe rezultati që do dalë pas votimit pritet të hapë mjaft diskutime. Është përsëritur dhjetra herë se këto zgjedhje përbëjnë një test për votimet e ardhshme parlamentare e lokale, pasi kjo komunë, e cila mban brenda saj një nga bazat më të mëdha amerikane dhe një nga celulat ende aktive të enverizmit, nuk mund të etiketohet si bastion i njërës apo tjetrës parti. Rezultati që do të dalë të dielën në mbrëmje, do të lexohet deri diku si një parathënëie e ndryshimeve të mundshme në skenën politike kosovare. Këtë herë, këto ndryshime nuk lidhen vetëm me emrat e dy partive të mëdha, por edhe me atë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Zgjedhjet në Ferizaj janë një provë e vërtetë dhe e vështirë pikërisht për partinë e Albin Kurtit. Si PDK ashtu edhe LDK nuk qenë në gjendje të hedhin ndonjë hap cilësor me kandidatët e tyre. Larg ndryshimit, ato ishin një inerci e lodhur e të njëjtës mënyrë të të bërit politikë. Po ata njerëz, po ato premtime, po ato sllogane, të njëjtat mitingje e të njëjtit këngëtarë. Një monotoni politike që nuk ofron asgjë të re për Ferizajn në veçanti dhe Kosovën në përgjithësi.

Ndoshta duke e ndjerë këtë gjendje, lideri i PDK-së u përpoq të bëjë një zgjedhje pak më të zgjuar duke kandiduar dikë me një profil politik jo të vijës së parë dhe duke zhvilluar një fushatë jo shumë të zhurmshme si herët e tjera.

Megjithatë përbetimi për të ecur në gjurmët e ish kryetarit të dënuar me burg, Bajrush Xhejmali, ishte një gafë e madhe politike. Për qytetarët nuk duhet të kenë rëndësi rezultatet e administrimit kur vetë administratori akuzohet për një vepër penale dhe nuk jep dorëheqjen por pret ta largojnë me vendim gjykate. Kosovës i mungojnë shembujt moralë, politikanët e përgjegjshëm dhe jo bilancet e metrave të asfaltit. Në këtë kuptim, PDK, e cila edhe në qendër vuan nga një sëmundje e tillë, nuk paraqet asgjë të re, asnjë shenjë për ndryshim, duke kërkuar vota në Ferizaj në emër të kryetarit të dënuar.

Shumë më keq paraqitet oferta elektorale e LDK-së. Jo thjesht sepse përmban mërzinë e rëndë të përsëritjes, të konsumimit e të bajatosjes, por sepse u jep të drejtë kritikëve të Isa Mustafës se ai nuk ka as forcën, as guximin dhe as dëshirën mesa duket të ringjallë dinosaurin plak që ka marrë përsipër ta kalërojë. Kandidatura e Adem Salihajt, i cili ka provuar ekzekutivin, kapërcimet akrobatike nga një parti tek tjetra dhe spekulimet e ndryshme politike, është një alternativë e konsumuar. Ai jo vetëm nuk provokon ndonjë motiv entuziasmi tek elektorati i LDK-së, por duhet ta trishtojë atë kur mendon se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare partia e Rugovës do të mbyllet në këtë rreth ofertash. Duke patur luksin e të qenit në opozitë, Isa Mustafa mund të kish testuar fare mirë në Ferizaj një kandidaturë të re, energjike, të panjollosur nga mëkatet e së shkuarës, si një provë për zgjedhjet e përgjithshme. Më mirë një akt i tillë, qoftë edhe me rrezikun e humbjes së një gare lokale, por që do të jeptë një shembull të fortë të një mënyre të re të të bërit politikë. LDK mbeti aty ku ishte.

Vetëvendosja është ajo që ka barrën e madhe të provës në zgjedhjet e të dielës. Lëvizja e Albin Kurtit do të duhej të bënte diferencën mes dy ofertave të vjetra që ka përballë. Kandidati i saj përfaqëson një forcë të re politike dhe vetë ai nuk ka ngarkesa negative nga e kaluara. Nëse për dy partitë e mëdha, rezultati në Ferizaj do të jetë çështje e thjeshtë e fitores ose jo, për Vetëvendosjen ai do të jetë vendimtar për shumë arsye. Ai do të konfirmonte ecurinë e forcës së tretë në Kosovë pas një viti e gjysëm në parlament, ku qytetarët i kanë parë dhe vëzhguar ndryshe djemtë e protestave dhe të kundërshtimit. Ky rezultat do të lexohej si afirmim ose si dyshim ndaj mënyrës se si Lëvizja ka vepruar që nga dita kur hyri në Kuvend, por edhe si shenjë e pakënaqësisë ndaj dy partive të mëdha. Rezultati i Vetëvendosjes do të jetë me rëndësi edhe për të ardhmen e kësaj force politike. Ai ose do të konfirmonte se Albin Kurti mbetet dhe do të jetë një faktor i rëndësishëm politik në zgjedhjet e ardhshme e në vijim, ose do të tregonte se Vetëvendosje ishte një fenomen që me kohë do të zbehet. Prandaj prova këtë herë është për Vetëvendosjen, për ofertën e re në tregun politik të Kosovës dhe jo për mallin e njohur që tregëton PDK dhe LDK.

Rezultati i Vetëvendosjes është me rëndësi edhe për skenën politike kosovare në përgjithësi. Një rritje e mundshme në Ferizaj do t’i jepte Vetëvendosjes peshën morale të një opozite kryesore, do ta bënte përcaktuese në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe do të ishte një sinjal i qartë për forcat e tjera politike që të ndryshojnë filozofinë e tyre. Ndërsa një dështim i Vetëvendosjes nuk të do ishte zhgënjim veç për atë parti, por edhe për ata që besojnë se nëpërmjet saj mund të ushtrohet presion për të ndërruar politikën e lodhur e të konsumuar të Prishtinës. Zgjedhjet këtë të dielë në Ferizaj janë për Vetëvendosjen. Nëse për dy partitë e mëdha kjo komunë do të jetë një njollë më shumë ose më pak në hartën elektorale të Kosovës, për Vetëvendosjen është vetë harta ku do të shtrihet më pas fati i saj politik.
Marre nga gazetaexpress.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Këmbimi i të burgosurve, faktet kryesore rreth marrëveshjes historike SHBA-Rusi

Këmbimi i të burgosurve, faktet kryesore rreth marrëveshjes historike SHBA-Rusi