Zgjedhjet, Kosova i vetëm në fushatë
 braktiset nga Lulzim Basha dhe PD

Zgjedhjet, Kosova i vetëm në fushatë<br /> braktiset nga Lulzim Basha dhe PD
TIRANË - Halim Kosova gjendet i vetëm përballë rivalit të majtë Erion Veliaj. Kështu, kandidati i Partisë Demokratike dhe opozitës për kreun e bashkisë së Tiranës, mjeku Halim Kosova në të gjitha takimet me të rinjtë, grupet e interesit apo me qytetarët në kryeqytet, nuk ka qenë i shoqëruar jo vetëm nga kreu i bashkisë dhe i opozitës Lulzim Basha por gati në të gjitha rastet as nga kreu i PD për Tiranën Aldo Bumçi dhe deputetët e opozitës.

Teksa sheh kandidatin e majtë Veliaj që në të gjitha takimet është i shoqëruar herë nga sekretarët e PS për kryeqytetin, por në të gjitha rastet nga deputetët sipas zonave elektorale që kanë fituar, në raste të rralla kandidati i opozitës për Tiranën Halim Kosova është parë nën shoqërinë e deputetëve të PD, përjashtuar në një rast kur ka qenë Jorida Tabaku apo Genc Ruli. Në të gjitha rastet ai ka qenë gjithnjë i vetëm, duke u përballur me qytetarët që nuk e kanë lënë rehat me akuzat për mosrealizimet e Bashës si kryebashkiak dhe duke e shtyrë të deklarojë madje se gjatë këtyre katër viteve nën drejtimin e Bashës, bashkia e Tiranës ka dështuar në shërbimin ndaj qytetarëve e deri duke deklaruar dhe sloganin e Veliajt për Tiranën dhe të gjithë të majtës “Drejtimi i duhur”.

Ndërkohë që kreu i PD për Tiranën Aldo Bumçi as që është ndjerë në këtë fushatë, duke e lënë tërë peshën e përballjes në kryeqytet, madje për të pasur dhe tërë koston e një humbjeje eventuale për Halim Kosovën, pasi edhe sondazhet e nxjerrin në të gjitha rastet fitues Veliajn. Nëse kreu i PS për kryeqytetin Saimir Tahiri njëherësh dhe ministër i Brendshëm, e ka gjetur kohën tek tuk për të qënë në fushatë me kandidatin e mazhorancës Veliaj, nëse Pandeli Majko dhe deputetët e tjerë të PS dhe mazhorancës kanë qenë që të gjithë bashkë me kandidatin Veliaj në të gjitha takimet e realizuara deri më tani, Aldo Bumçi kreu i PD për kryeqytetin nuk është parë në asnjë prej takimeve të kandidatit të opozitës Kosova, dhe bashkë me të as deputetët e PD në kryeqytet, që nga Bregu apo deputetë të tjerë.

Ndërkohë që as kreu demokrat Basha nuk ka tentuar të jetë përkrah Kosovës në kryeqytet, pasi me sa duket më shumë do t’i prishte punë, për shkak se asnjë punë nuk ka bërë në katër vite si kryetar bashkie.  I vetmi që e ka mbështetur, por vetëm në mënyrë virtuale ka qënë ish kryetari i PD, njëherësh ish-kryeministër i vendit Sali Berisha, që përmes rrjetit facebook ka shprehur mbështetjen për ish-kolegun e tij mjek dhe ish-ministrin e tij të Shëndetësisë.

Kjo u pa dhe dje teksa Kosova premtoi se nëse do fitojë në garën e 21 Qershorit, do ulë taksat për bizneset. Në takimin me banorët e rrugës “5 Maji” në kryeqytet, Kosova tha se për biznesin e vogël taksat do ulen. Premtimi erdhi në përgjigje të ankesave të qytetarëve që thanë se nuk i kanë mundësitë financiare për të paguar taksat e larta që ishin aplikuar nga bashkia e drejtuar nga Lulzim Basha në 4 vite.


Shkrimi u publikua sot (12.05.2015) në Shqiptarja.com versioni print
 
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Karrigedjegurit

Mero Baze: Karrigedjegurit