Zgjedhjet në universitete,
akuza për presione te Artet

Zgjedhjet në universitete,<br />akuza për presione te Artet
Ndikimet politike nuk kanë munguar as në procesin e zgjedhjes së drejtuesve të rinj të universiteteve publike në vend. Një ditë pas përfundimit të procesit të votimit kanë filluar të dalin në shesh edhe mbështetjet me prapavijë politike të kandidatëve, fitues e humbës. Ka qenë pikërisht ky ndikim i politikës që ka bërë që zgjedhjet për drejtuesit e rinj, të mos kalojnë të qeta, ashtu siç duhet të jenë zgjedhjet e institucionit të dijes, por kanë qenë të mbushura plot me incidente.
Artet
Në universitetin e Arteve, në fakultetin e Muzikës, fitues është shpallur Sokol Shupo, me vetëm 1% të votave më shumë se kandidati tjetër Fatmir Hysi. Por për të arritur deri tek firmosja e procesverbalit të fituesit janë dashur më shumë se 12 orë bojkot. Sokol Shupo, që e ka mbajtur këtë post edhe katër vitet e kaluara, ka pasur përplasje të vazhdueshme me rektorin Petrit Malaj, dhe gjatë ditës së djeshme ai nuk ka ngurruar të deklarojë që i është dashur të mbrojë votat e tij gjatë gjithë natës dhe madje ka pasur edhe presione të vazhdueshme. "Gabimet proceduriale që janë bërë më bëjnë të mendoj se kanë qenë të qëllimshme. Komisioni e ka gdhirë duke ruajtur votat me gjithë presionin e zëvendësrektorit dhe vetëm sot që erdhën mediat u gjet zgjidhja që duhej gjetur që dje, sepse ishte mbi tavolinë. Zgjidhja është problem juridik. Përllogaritja qe e saktë dhe nuk do të ndërrojë pas kësaj zgjidhje. Problemi ishte se si interpretohet koeficienti",- ka deklaruar dekani i Muzikës, Sokol Shupo, i cili ka marrë 50.14 për qind të votave, përkundrejt 49.14 për qind që ka marrë kandidati tjetër Fatmir Hysi. Megjithatë për ta shpallur Shupon fitues është dashur edhe ndërhyrja e ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të zhbllokuar procesin, pasi anëtarët nuk pranin të firmosnin procesverbalin.
Tirana
Zgjedhjet për drejtuesit e rinj në Universitetin e Tiranës i kanë ngjarë një beteje të vërtetë. Dhe nuk kanë munguar surprizat. Kështu te fakulteti i Mjekësisë, i cili gjatë procesit të votimit ka shënuar disa incidente, fitues është shpallur kancelari Bajram Hysa, duke mundur tre mjekët që kishte përballë tij. Më konkretisht kandidati Hysa ka arritur të marrë 52 për qind të totalit të votave, kundrejt 22.9 për qind që ka marrë Pëllumb Pipero, i cili ishte një ndër kandidatët më të fortë për postin e dekanit në këtë fakultet. Ndërsa mjeku tjetër Arben Baboci ka marrë 17.3 për qind të votave dhe Genc Sulçebe ka marrë vetëm 7.4 për qind të totalit të votave. Surpriza tjetër ka qenë fakulteti i Shkencave të Natyrës ku Mynir Kone, kancelar i Universitetit të Tiranës, ka fituar përballë dekanit aktual Ilirian Manollari. Ndërsa fakulteti i Ekonomisë, ku më parë drejtonte Omer Stringa, tashmë do të ketë dekan Sulo Hadërin, i cili ka fituar me një diferencë të vogël votash kundrejt kandidatit tjetër Andri Koxhaj. Këto kanë qenë të paktat fakultete që ka pasur përmbysje të pushtetit, pasi më së shumti, në pozicionet drejtuese të universiteteve, janë rektorë dhe dekanë që kanë qenë edhe më parë. Kjo, rikonfirmon preferencat stabël si të stafit pedagogjik, ashtu edhe të studentëve dhe administratës. Ndërsa sa u përket fakulteteve të tjera të universitetit të Tiranës, fitues janë shpallur ata që e kanë plotësuar tashmë një mandat 4-vjeçar, por kanë kërkuar votëbesimin për të dytin. Kështu te Filologjiku është shpallur fitues Shezai Rrokaj, te Gjuhët e Huaja Klodeta Dibra, ndërsa te Shkencat Sociale, Infermieria dhe Drejtësia fituesit diheshin pasi ata ishin të vetëm në garë. Dhe më konkretisht dekani i ri i Drejtësisë do të jetë Altin Shegani, Shkencat Sociale do të drejtohen deri në 2016-ën sërish nga Theodhori Karaj dhe ai i Infermierisë nga Petrit Bare.
Rektori
Edhe gara për postin e rektorit ka qenë e fortë në universitetin e Tiranës. Megjithëse rezultati final ka dalë me një diferencë prej 65 për qind të votave në favor të Dhori Kules, fillimisht kandidatja Mimoza Hafizi ka marrë shumë vota. Por përfundimi i numërimit të votave në Universitetin e Tiranës ka rikonfirmuar prof.dr Dhori Kulen në krye të këtij universiteti si rektor, me të dytin mandat radhazi. Kështu, me 7923 vota pro, dhe me 3900 vota kundër, Kule u zgjodh rektor i Universitetit të Tiranës, ku 20% të peshës së rezultatit e zunë votat e studentëve, 5 % votat e administratës dhe 65 % votat e stafit pedagogjik.

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane