GREQI- “Exit pollet” tregojnë se partia radikale e majtë Syriza kryeson në zgjedhjet lokale në Athinë dhe rajonin e Atikës në një rezultat surprizë që përfaqëson padyshim një dështim për koalicionin qeverisës të Greqisë. Këto zgjedhje bashkë me ato për Parlamentin Europian që mbahen javën e ardhshme shihen si një test për koalicionin e kryeministrit Antonis Samaras, pas dy vitesh ne pushtet.
 
Kandidati i Syriza-s për kryetar bashkie të Athines është në avantazh kundrejt kandidatit të pavarur që mbështetet nga e majta.
 
Edhe në rajonin e Atikës kryeson kandidati i Syrizas i cili bëri thirrje në fillim të këtij muaji për një referendum ndaj politikave shtrënguese të qeverisë.
 
Nëse “exit pollet” konfirmohen, rezultati pritet të rrisë presionin ndaj Demokracisë së Re së Samaras dhe partnerin e tij qeverisës PASOK që kanë një mazhorancë të dobët në parlamentin grek. Rajoni i Atikës që përfshin edhe bashkinë e Athinës, numëron rreth 3 milionë nga 10 milionë qytetarë me të drejtë vote në Greqi, çka i bën këto dy prej garave më të rëndësishme në këtë raund të parë të zgjedhjeve lokale.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)