Zgjedhjet në Kavajë, protesta e PD
e paligjshme, ja pse duhet ndalua

Zgjedhjet në Kavajë, protesta e PD<br />e paligjshme, ja pse duhet ndalua
Protesta e paralajmëruar e Partisë Demokratike në Kavajë, referuar qëllimit të saj të shpallur publikisht, është e paligjshme dhe si e tillë duhet ndaluar nga Policia e Shtetit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës nuk e kanë fshehur qëllimin se, me anë të një proteste masive synojnë të mos lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve për kryetarin e ri të Bashkisë së Kavajës. Nëse paralajmërimet publike të krerëve të opozitës mund të merren seriozisht nga organet ligjzbatuese, protesta futet në një hulli paligjshmërie bashkë me organizatorët e saj.

Bllokimi i zhvillimit të zgjedhjeve në Kavajë, që është edhe synimi i protestës kombëtare, është në kundërshtim flagrant me një nga të drejtat dhe liritë më themelore të njeriut, parashikuar në nenin 45 të Kushtetutës së Shqipërisë. Bëhet fjalë me të drejtën themelore, sipas të cilës, çdo shtetas, që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet. Mohimi i kësaj të drejte kushtetuese çon në shkeljen e disa ligjeve të tjera.

Konkretisht, shkel pikën dy të nenit 1 të ligjit për tubimet, e cila parashikon që, e drejta për të organizuar dhe të marrë pjesë në tubime kufizohet vetëm në rast se rrezikohet sigurimi kombëtar, sigurimi publik, mbrojtja e rendit dhe parandalimi i krimit, ruajtja e shëndetit ose moralit, ose mbrojtja e të drejtave dhe e lirive të të tjerëve. Tek të drejtat dhe liritë e të tjerëve përfshihet edhe e drejta për t’u zgjedhur apo për të zgjedhur. Po ashtu, pika 2 e nenit 77 e Kodit Zgjedhor ndalon çdo organizim partiak ditën zgjedhjeve, ndonëse PD nuk do të marrë pjesë në këtë proces.

Pra, në rrethana të tilla, Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe ligji për tubimet detyrojnë organet ligjzbatuese që të ndalojnë zhvillimin e protestës nga Partia Demokratike, në Kavajë, pikërisht ditën e zgjedhjeve. Sipas ligjit, PD duhet të marrë leje në datën 2 maj për zhvillimin e protestës në datën 7 maj, datë e cila përkon me ditën e zgjedhjeve.

Qëllimi i protestës
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, pas një mbledhje me aleatët javën e kaluar, ka deklaruar se opozita do të mbajë një protestë në 7 maj në Kavajë për të pamundësuar zhvillimin e zgjedhjeve. Sipas Bashës, pamundësimi i zgjedhjeve në Kavajë, është një premtim që u ka bërë qytetarëve.

“Vendimi i dytë i opozitës së bashkuar rreth kësaj axhendë dhe objektivi të madh patriotik, është mbajtja më datë 7 maj, në qytetin kaq simbolizues për demokracinë, për lirinë, në qytetin e Kavajës, të një proteste të madhe kombëtare për të pamundësuar me forcën e bashkimit, përmes një lëvizje popullore, paqësore dhe demokratike, zgjedhjet fasadë të diktuara nga krimi. Sepse u kemi premtuar qytetarëve shqiptarë, u kemi premtuar qytetarëve të Kavajës se, kurrë më nuk do ta lemë fatin e tyre në duart e krimit dhe zgjedhjeve të diktuara nga krimi”, ka deklaruar Basha.

Paradoksi
Ka një paradoks sa i takon deklaratave të Partisë Demokratike për protestën në Kavajë. Kreu i opozitës thotë se protesta do të jetë paqësore, por në të njëjtën kohë shton se protesta do të pamundësojë mbajtjen e zgjedhjeve.

Mbajtja e një proteste paqësore, sa do masive qoftë, nuk do të bllokonte zhvillimin e një procesi të ligjshëm zgjedhor, çka do të çonte në dështimin e objektivit dhe për pasojë edhe në nënvlerësimin e ultimatumeve të PD për të bllokuar zgjedhjet e 18 Qershorit. Kjo do të përsëriste precedentin e Kurbinit, ku PD bojkoti zgjedhje, duke i dhuruar fitoren në tavolinë PS. Bllokimi i zgjedhjeve mund të realizohej vetëm nëse protestuesit do të ndërhynin apo do të rrethonin qendra e votimit, skenar i cili është diktuar gjatë mbledhjes së Lulzim Bashës me aleatët. 


Neni 45 i Kushtetutës
1. Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet.
 
Neni 1, ligji për tubimet
Liria e tubimeve dhe kufizimi i saj
2. Kjo e drejtë kufizohet vetëm në rast se rrezikohet sigurimi kombëtar, sigurimi publik, mbrojtja e rendit dhe parandalimi i krimit, ruajtja e shëndetit ose moralit, ose mbrojtja e të drejtave dhe e lirive të të tjerëve.
 
Neni 77 i Kodit Zgjedhor
2. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore.

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Shqipëria kërkonte ekstradimin, Durim Bami lirohet 2 muaj pas arrestimit në Dubai! Rivalët ofruan 1 mln euro për ‘kokën’ e tij

Shqipëria kërkonte ekstradimin, Durim Bami lirohet 2 muaj pas arrestimit në Dubai! Rivalët ofruan 1 mln euro për ‘kokën’ e tij