Zgjedhjet në Kosovë, të gjithë garojnë vetëm/ Osmani në Listat e Vetëvendosjes

Partitë më të mëdha politike në Kosovë duket se i kanë lënë të gjitha koalicionet pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, duke garuar të vetme. Afati i vendosur nga KQZ-ja për regjistrimin e koalicioneve e para-zgjedhore deri në orën 18:00 të pasdites së djeshme mbaroi në heshtje, pasi liderët politikë kanë vendosur të mos bëjnë asnjë marrëveshje politike pa parë votën e qytetarëve. Afati për deklarimin e koalicioneve, përfundoi me regjistrimin e vetëm dy koalicioneve nga partitë minoritare, boshnjakëve dhe serbëve.

Befasia më e madhe erdhi nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e cila pritej të regjistronte lëvizjen e saj si iniciativë qytetare pranë KQZ-së duke marrë kështu pjesë në zgjedhjet e parakohshme. Megjithatë, kjo nuk ndodhi dhe në vend të kësaj Osmani duket se do të hyjë në listat e Lëvizjes Vetëvendosje, kundërshtaren e saj më të madhe në zgjedhjet e kaluara. Bashkimi i saj me partinë e majtë të ish-kryeministrit Albin Kurti është cilësuar nga shumë analistë si një shkrirje politike lëvizjes së saj.

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani e bëri të qartë aleancën me Kurtin që kur foli zëshëm kundër manovrimit të partisë së saj dhe nuk mori pjesë në seancën e Kuvendit për të votuar qeverinë Hoti. Osmani kishte propozuar një qeveri teknike të përkohshme deri në zgjedhjet e ardhshme.

Analisti Ramush Tahiri mendon se Osmani është e vetëdishme se rrezikon të humbasë identitetin brenda VV-së, por se koha e shkurtër në të cilën po mbahen zgjedhjet e bën të pamundur për ish-kandidaten për kryeministre të dalë me forcën e saj politike.

“Vjosa Osmani do të shkrihet në listën e VV-së. Do të garojë, por jo e vetme, për arsye se, në radhë të parë, nuk ka arritur të krijojë degë e nëndegë partiake. E dyta është një force të re politike dhe nga ana e KQZ-së nuk i lejohet që të ketë komisionerë për ruajtjen e votave. Të gjitha këto e kanë shtyrë Vjosa Osmanin që të garojë në listë me VV-në’, shprehet ai.

Një tjetër aleance e ngjashme është lidhur midis Behgjet Pacollit dhe Isa Mustafës, pasi Aleanca Kosova e Re do të ketë 10 kandidatë në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse nuk ka zgjedhur të lidhë koalicion, LDK-ja ka vendosur të përfshijë në listat e saj edhe anëtarë të ty partive tjera: PSHDK-së dhe Ballit Kombëtar. Mustafa ka pranuar se është i hapur për të futur në listë deputetë nga partitë e tjera në listë, por jo të krijojë koalicion. LDK-ja pritet të finalizojë sot listën e kandidatëve për deputetë, ndërkohë që listat e deputetëve të partive të tjera, mbetet të shihet deri të shtunën kur edhe përfundon afati për dorëzimin në KQZ.

Një tjetër befasi erdhi nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila është tronditur nga një varg dorëheqjesh, pasi refuzoi të ndiqte porosinë e fundit politike të kreut të saj Kadri Veselit dhe ish-presdidentit Hashim Thaçi për të lidhur një koalicion me Nismën e Fatmir Limajt.

Ashtu si Aleanca për Ardhmërinë e Kosovën e Ramush Haradinaj edhe PDK-ja ka njoftuar të martën se nuk do të hyjë në koalicione parazgjedhore. Nisma e Fatmir Limajt është shprehur e gatshme të garonte bashkë me PDK-në, por kryetari në detyrë Enver Hoxhaj është shprehur kundër këtij koalicioni, duke thënë se aleancat me partitë tjera do ta dëmtonin PDK-në, ashtu si në vitin 2017.

“Gara e 14 shkurtit do të zhvillohet në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Është e kuptueshme që partitë e vogla, të cilat janë duke u shuar politikisht po luftojnë për mbijetesë”, thotë Avni Bytyçi, zëdhënës i PDK-së.

Ky vendim çoi në dorëheqjen e nënkryetarit të PDK-së në Drenas, Bekim Muja i cili e cilësoi si një gafë politike vendimin e Hoxhajt për të shkuar i vetme në këto zgjedhje.

Por ashtu si PDK-ja, edhe Ramush Haradinaj, një tjetër figurë kyçe e politikës së Kosovës ka vendosur të kandidojë i vetëm, edhe pse nuk e përjashtuar një qeveri me Lëvizjen Vetëvendosje, pas zgjedhjeve.

AAK-ja është e vetëdijshme për atë që na pret pas zgjedhjeve. Sa i përket një qeverie AAK-Vetëvendosje mund të them se është e mundur. Varet nga vullneti i VV-së, ata e vlerësojnë a kanë nevojë apo jo, nëse i fitojnë zgjedhjet, por është e mundur”.

Haradinaj është treguar i hapur duke thënë se ka thënë që vijat e kuqe sipas tij, nuk i leverdisin asnjë partie politike./ Gazeta "SI"

J.GJ./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë