PRISHTINE- Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti, doli partia e parë në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Kosovë, por me gjasë duket se i duhet të negociojë për një koalicion me partitë e tjera për të formuar qeverinë e re të ardhshme në mandatin katër vjeçar.
Rezultatet e dala nga numërimi i votave të hedhura në Kosovë (pa përfshirë diasporën) krijojnë paqartësi për përbërjen e re në Kuvend, por edhe të ekzekutivit të ri.
Pas numërimi të tyre, Lëvizja Vetëvendosje rezulton se ka marrë 40.83% ose 339 mijë e 350 vota. E dyta në renditje vjen PDK me 22,15% ose 184 mijë e 87 vota, e ndjekur nga LDK me 17,59% ose 146 mijë e 241 vota.

AAK-Nisma ka marrë 7,47% ose 62 mijë e 66 vota, Lista Serbe 4.43% ose 36784 vota, teksa në fund renditet Koalicioni për Familje, me 2,26% ose 18785 vota.
Lista Serbe me përqindjen që ka nënkupton shumicën e votave të komunitetit serb, në garë me pesë subjekte të tjera politike që garuan për votat e këtij komuniteti. Komunitetet joshumicë kanë 20 ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës. Prej tyre, dhjetë ulëse janë të garantuara për komunitetin serb.
“Kalkulimet” pas votave nga diaspora dhe me kusht
Rezultati preliminar aktual krijon situatë të paqartë dhe jopërfundimtare lidhur me atë se sa do të jetë numri i ulëseve në Kuvendin e Kosovës për secilin subjekt politik, si dhe kush do t’i qaset formimit të Qeverisë së re, vlerësojnë nga Grupi Ballkanik për Politika në Prishtinë.
Drejtori i këtij grupi, Naim Rashiti, thotë për Radion Evropa e Lirë se rezultatet aktuale mund të pësojnë ndryshime për cilindo subjekt garues, pas numërimit të votave nga jashtë Kosovës dhe të atyre me kusht.
“[Lëvizja Vetëvendosje] ka [rreth] 42 për qind, që do t’i bie 47 deputetë. Me votat e diasporës [votat nga jashtë] mund të kemi edhe dy ose tre deputetë. Nëse Vetëvendosje arrin në 49- 50 [ulëse të Kuvendit] do të kemi kalkulime të tjera. Nëse subjektet tjera e ulin dallimin me Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë sërish do të kemi kalkulimet tjera”, thotë Rashiti për REL
KQZ-ja ka njoftuar më herët se 104.934 votues janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës dhe 84.525 prej tyre zgjodhën që të votonin përmes postës. Përderisa numri i votuesve me postë mbetet të verifikohet, në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës në botë kanë votuar 15.552 persona.
Numri i personave që kanë votuar me kusht ende nuk është bërë i ditur nga KQZ-ja.
Rezultati “imponon kompromise”
Edhe njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, vlerëson se rezultatet aktuale preliminare të subjekteve politike në zgjedhjet e 9 shkurtit, krijojnë paqartësi lidhur me konfiguracionin e saktë të Kuvendit dhe Qeverisë së ardhshme të vendit.
Bazuar në këto rezultate, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse është fituese e zgjedhjeve, nuk do të mund të qeverisë e vetme, sikurse në mandatin e kaluar.
“Nëse Lëvizja Vetëvendosje vendos që ta bëjë Qeverinë vetëm me pakicat, atëherë kjo do të jetë një qeveri jashtëzakonisht jostabile, pasi që mezi do t’i arrijë 61 vota. Plus, mund të ketë probleme me Listën Serbe”, thekson Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë dhe shton: “Nëse partitë opozitare mblidhen të gjitha, bashkohen dhe tentojnë të bëjnë Qeverinë, edhe kjo qeveri do të jetë jostabile dhe me pak gjasa për jetëgjatësi politike”.
Çfarë thanë partitë politike?
Lëvizja Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni paszgjedhor me partitë e deritashme opozitare. Një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje e kanë përjashtuar edhe dy partitë tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, e cila sipas rezultateve preliminare është e dyta, nuk e ka vënë “vija të kuqe” për asnjë subjekt politik për koalicionet eventuale pas zgjedhjeve
Duke iu referuar rezultateve preliminare, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të dielën vonë ka deklaruar se “edhe sikur të bëhen bashkë PDK-ja dhe LDK-ja, ato nuk bëhen sa Vetëvendosja”.
Ai ka paralajmëruar se do të vazhdojë të qeverisë me partitë Guxo dhe Alternativa, të cilat garuan brenda listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Jemi të parët e ky është konfirmim për një qeverisje të mirë, të mbarë dhe demokratike. Koalicioni ynë do ta formojë qeverisjen tonë 3... Ne jemi subjekti fitues që do të formojë qeverinë e ardhshme”, tha Kurti.
Partia Demokratike e Kosovës pozicionimin si forca e dytë politike pas zgjedhjeve e ka konsideruar si rezultat të mirë për këtë parti.
Megjithatë, ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse PDK-ja është e hapur për koalicione.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar rezultatin e zgjedhjeve si “rezultat demokratik”.
Megjithatë, ai e ka pranuar se për LDK-në “rezultati nuk është i kënaqshëm” në përmasat që e ka pritur kjo parti si dhe nuk ka dhënë asnjë deklaratë lidhur me ndonjë koalicion të mundshëm pas zgjedhjeve.
Ndërkaq, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se “opozita i ka fituar këto zgjedhje”, duke shtuar se pret me padurim “që të bashkëpunojmë për krijimin e Qeverisë”, duke iu referuar një koalicioni të mundshëm pas zgjedhjeve të tri partive të deritashme opozitare.
Në anën tjetër, Lista Serbe, e cila ishte në garë me pesë parti të tjera nga komuniteti serb, ka deklaruar se i ka fituar të dhjetë mandatet e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.
Kjo parti, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, që nga zgjedhjet e vitit 2014 dhe në të gjitha proceset zgjedhore të pastajme, ka fituar të gjitha mandatet e garantuara për komunitetin serb në Kuvend si dhe ka qenë pjesë e ekzekutivit, përveç në mandatin e kaluar të cilën e drejtoi kryeministri i deritashëm, Albin Kurti.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit për përbërjen e re parlamentare garuan 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur. Të drejtën për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë kishin 1 milion e 970 e 944 persona, prej të cilëve kanë marrë pjesë rreth 40 për qind. Pjesëmarrja në votim shënoi rënie në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, kur votuan mbi 48 për qind e personave me të drejtë vote
Lajmi ne perditesim...
S.G/K.M/Shqiptarja.comKomente


Vetem te ne pas 8 vitesh rriten votat dhe nuk bie partia shtet. Bravo Kosove per zgjedhjet model qe krijove.
Përgjigju