TIRANE-Në datë 30 gusht do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, ndërsa kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një video mesazh të publikuar në rrjetet sociale vlerëson gjithçka që Milo Gjukanoviç ka bërë deri më tani për Malin e Zi dhe rajonin, veçanërisht për shqiptarët në atë vend duke kërkuar që mbështetja ndaj tij të vijojë, pasi një votë kundër tij është kthim mbrapa.

"Nuk ka kohë për eksperimente, të cilat mund të sjellin pasiguri dhe keqardhje. Është vërtetë, (vendimtare për Malin e Zi që të gjithë qytetarët malazezë të qëndrojnë në krah të Milo Gjukanoviç, në zgjedhjet që do të mbahen në 30 Gusht. Për të vazhduar në rrugën që e ka bërë Malin e Zi, yllin shndrritës të Ballkanit, një model për t'u ndjekur nga të gjithë ne, një anëtar krenar i organizatës euroatlantike dhe një vend më të mirë për të gjithë popullin e tij. Paç fat miku im" thotë ai ndër të tjera në mesazhin e tij.

Pesë parti shqiptare në Mal të Zi do të garojnë në një koalicion të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit 2020. Liderët e Alternativës Shqiptare, Forcës së Re Demokratike, Lidhjes Demokratike Shqiptare, Unionit të Tuzit dhe Lëvizjes Qytetare Perspektiva nënshkruan një marrëveshje për të kandiduar në zgjedhje me një listë të përbashkët të kandidatëve.