Partia "Rusia e Bashkuar" e presidentit Vladimir Putin fitoi një numër rekord mandatesh në zgjedhjet parlamentare, sipas rezultateve paraprake të publikuara pas tre ditësh votimi. Sipas autoriteteve ruse, pas numërimit të më shumë se 95% të kutive të votimit, partia e Putinit siguroi 355 nga 450 vendet në Dumën Shtetërore, duke ruajtur shumicën kushtetuese që i lejon të miratojë ndryshime në Kushtetutë pa mbështetjen e partive të tjera.

Në zgjedhje morën pjesë vetëm parti që, në shkallë të ndryshme, mbështesin Putinin dhe vazhdimin e luftës në Ukrainë, ndërsa partia Jabloko, e vetmja që kundërshton hapur luftën, u përjashtua nga gara. Votimi u zhvillua gjithashtu në territoret e Ukrainës të aneksuara nga Rusia dhe që ndodhen nën kontrollin e saj.

Kremlini e cilësoi rezultatin si dëshmi të "një niveli të jashtëzakonshëm kohezioni" të shoqërisë ruse rreth presidentit, ndërsa kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ella Pamfilova, njoftoi se pjesëmarrja në votime kaloi 59%, duke e quajtur atë më të lartën e regjistruar ndonjëherë për këtë nivel zgjedhjesh.

Ish-presidenti rus dhe kreu i partisë "Rusia e Bashkuar", Dmitri Medvedev, falënderoi votuesit për besimin dhe premtoi se partia do të vazhdojë të mbështesë drejtimin e vendosur nga Vladimir Putin dhe ta afrojë Rusinë "drejt fitores".

Dita e fundit e votimit u shënua edhe nga një sulm i madh ukrainas me mbi një mijë dronë, sipas autoriteteve ruse. Dy persona humbën jetën në periferi të Moskës, ndërsa një rafineri në kryeqytet u dëmtua. Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobjanin, tha se sulmi ishte planifikuar për të penguar procesin zgjedhor. Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se goditjet patën "ndikim të konsiderueshëm" në rajonin e Moskës.

Zelenski bëri të ditur gjithashtu se zhvilloi një bisedë me Donald Trump, i cili i kërkoi Kievit të ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse. Sipas presidentit ukrainas, ata ranë dakord të takohen në Nju Jork dhe diskutuan ide që, sipas tij, mund të kontribuojnë në uljen e tensioneve.

Ndërkohë, Bashkimi Europian i dënoi zgjedhjet, duke deklaruar se ato u zhvilluan në një atmosferë "represioni sistematik dhe të institucionalizuar". Protesta kundër procesit zgjedhor u mbajtën edhe jashtë Rusisë, ku dhjetëra mbështetës të opozitës u mblodhën para ambasadës ruse në Berlin dhe rreth njëqind persona protestuan në Londër me pankarta kundër Putinit dhe flamuj ukrainas.