Në një dalje për mediat, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama tha se shqiptarët e Preshevës duhet të marrin pjesë në zgjedhje për të treguar forcën e unitetit dhe bashkimit të tyre.
"E gjej me vend t'iu drejtohem sot të gjithë shqiptarëve me të drejtë vote në Luginën e Preshevës. Përfaqësuesve e intelektualëve që me pjesëmarrjen masive në zgjedhjet e nesërme të dëshmojnë forcën e unitetit dhe bashkimit të tyre. Ta kthejnë ditën e zgjedhjeve në një manifestim të bashkimit dhe nderimit shqiptar për të gjitha sakrificat. Për të treguar që forca e vendosmërisë së tyre dominon mbi interesat partiake. Të gjithë duhet që nesër të votojnë për të fituar alternativa shqiptare," tha Rama.
Sipas tij ajo çka duhet t'i frymëzojë nesër shqiptarët është pjesëmarrja dhe jo bojkoti, përfaqësimi dhe jo vetpërjashtimi.
I pyetur për reformën në Drejtësi, ai tha se LSI është e gatshme për ta votuar në çdo kohë.
"Reforma në drejtësi është jetike, për LSI do të ishte kryer kohë më parë. I ftojmë të dyja palët qoftë PS e PD që të gjejnë gjuhën që bashkon interesin shqiptar tek realizimi sa më parë i reformës në drejtësi. Nuk është çështje interesash grupi apo partish, por jetike për interesin e shqiptarëve. Ne jemi të gatshëm, sot nesër dhe në çdo kohë. LSI nuk ka krijuar asnjëherë kosto për asnjë reformë," deklaroi Luan Rama.
Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)