Zgjedhjet në SHBA/ Inteligjenca amerikane: Rusia, Kina dhe Irani synojnë përçarjen e votuesve para zgjedhjeve

Zgjedhjet në SHBA/ Inteligjenca amerikane: Rusia, Kina dhe Irani synojnë përçarjen e votuesve para zgjedhjeve

Kamala Harris dhe Donald Trump

Zyrtarë të inteligjencës amerikane kanë paralajmëruar të martën se “aktorë të huaj” prej Rusisë, Kinës dhe Iranit, synojnë përhapjen e narrativave për t’i përçarë amerikanët para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët u kanë thënë gazetarëve se individë prej këtyre vendeve kanë marrë mësime nga proceset e kaluara zgjedhore në SHBA, dhe janë më të përgatitur për të nxitur trazira.

Sipas tyre, këta individë mund të konsiderojnë mundësinë e kërcënimeve fizike dhe dhunës, dhe ka mundësi që të kryejnë operacione dezinformimi, për të krijuar pasiguri dhe për të minuar procesin zgjedhor.

“Disa aktorë të huaj kanë kapacitet për të nxitur protesta dhe për të kryer aksione të dhunshme në periudhën pas zgjedhjeve. Irani dhe Rusia kanë gatishmëri që t’i shqyrtojnë këto taktika që mund të kontribuojnë në dhunë”, ka thënë një anëtar i Zyrës së Drejtorit për Inteligjencë Kombëtare, në kushte anonimiteti.

Sipas zyrtarëve amerikanë, ndonëse Rusia, Kina dhe Irani përbëjnë kërcënimin kryesor për aktivitete të tilla, nuk kanë parë ndonjë sinjal bashkëpunimi mes tyre.

Ata kanë përmendur se pavarësisht përpjekjeve të tilla, sistemi amerikan i votimit është i sigurt dhe se askush nuk do të mund të ndryshojë rezultatin.

Të tria shtetet kanë hedhur poshtë pretendimet se po synojnë të ndikojnë në zgjedhjet amerikane.

Zyrtarët amerikanë kanë përmendur se individë prej këtyre tri shteteve po përdorin inteligjencën artificiale për të gjeneruar përmbajtje në rrjetet sociale.

Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë thënë që disa muaj se Rusia do të preferonte që ish-presidenti amerikan, Donald Trump, kandidat i republikanëve, të fitonte zgjedhjet.

Zyrtarë të inteligjencës kanë thënë se presin përforcim të protestave nga ana e Rusisë, nëse kandidatja e demokratëve, Kamala Harris, do t’i fitojë zgjedhjet.

Aktualisht gara mes dy kandidatëve është shumë e ngushtë, dhe ata po bëjnë fushatë të vazhdueshme për t’i bindur votuesit që të rreshtohen në kampet e tyre./ REL

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë