Zgjedhjet paraprake për kandidatët presidencialë, mes dimrit të ashpër në Ajova

Zgjedhjet paraprake për kandidatët presidencialë, mes dimrit të ashpër në Ajova

SHBA

Demokratët e shtetit Ajova do të votojnë me postë për të zgjedhur kandidatin e tyre të preferuar, por Presidenti Joe Biden duket se do të jetë fituesi i mundshëm, siç ndodh zakonisht kur një president kërkon një mandat të dytë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, republikanët do të mblidhen personalisht në Ajova për të zgjedhur kandidatin e tyre

Pas reshjeve të dëborës, temperaturat e ulëta po ndikojnë edhe tek fushatat partiake në shtetin Ajova, fundjavën para votimeve paraprake të 15 janarit.

Ish-Presidenti Donald Trump anuloi shumicën e takimeve me zgjedhësit. Kandidatja republikane, Nikki Haley, do të shfrytëzojë takimet virtuale për të folur me votuesit.

“Votuesit më pak entuziastë do të qëndrojnë në shtëpi dhe më entuziastët do të marrin pjesë nëpër takime”, thotë Carson Odle, votues republikan.

Moti i keq nuk i pengoi disa votues që të merrnin pjesë në takimin e organizuar nga guvernatori i Floridës Ron DeSantis. Votuesja Cheryl Weisheit e sfidoi të ftohtin për të dëgjuar nga afër kandidatin republikan.

“Në fillim nuk ishte aq keq. … por jemi mësuar me këtë mot”.

Ajo drejton një grup lokal republikan, dhe thotë se pjesëmarrja fizike në takim ishte e rëndësishme për të, sepse ende nuk e ka vendosur se cilin të mbështesë.

“Ndoshta nuk do ta di deri natën e votimit”.

Këto janë ndër reshjet më të dendura të dëborës dhe temperaturat më të ftohta në Ajova që ndodhin në periudhën e votimeve paraprake për kandidatin presidencial, ndërsa shtrohet pyetja e ndikimit tek pjesëmarrja e votuesve.

“E panjohura qëndron tek pjesëmarrja e votuesve dhe se kë do të mbështesin. A do të jenë mbështetësit e Trumpit aq besnikë ndaj tij sa pritet”, thotë për Zërin e Amerikës profesori Tim Hagle.

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Ajovës, Tim Hagle, thotë se nëse sondazhet përkthehen në pjesëmarrje, kjo tregon vështirësinë e konkurrentëve të tjerë republikanë për të rritur vrullin e fushatave të tyre përballë zotit Trump.

“Nëse Trump-i vazhdon të kryesojë me 30 pikë apo më shumë, duket shumë e pamundur që DeSantis ose Haley të jenë në gjendje ta mposhtin apo madje t'i afrohen, sepse në një farë mase ata po ndajnë votën kundër Trumpit”.

Profesori Hagle shton se sondazhet gjithashtu tregojnë se problemet ligjore të Trump-it nuk e kanë zvogëluar mbështetjen për të.

“Duke patur parasysh paditë dhe gjyqin civil në Nju Jork, gjyqin për shpifje, shtetet që po përpiqen ta heqin atë nga fleta e votimit, për mbështetësit e tij kjo nënkupton se atë po e persekutojnë politikisht dhe kjo ka efektet e veta”.


Por ka shenja lodhjeje në mesin e votuesve në Ajova. Pensionisti John Frank, i cili ka qenë polic, e ka mbështetur Trumpin më parë por jo këtë vit.

“Ai po plaket, ashtu si Joe Biden, dhe duhet ta marrim parasysh këtë. Ai kurrë nuk ka mësuar gjatë jetës së tij, veçanërisht në jetën politike, që ta mbyllë gojën”.

Frank thotë se mbështet zotin DeSantis. Cheryl Weisheit thotë se do të zgjedhë mes zotit DeSantis dhe zonjës Haley.

“Nëse Trump-i zgjidhet kandidat, mos më llogarisni. Por ai ende nuk është kandidati përfundimtar”.

“Deri në hedhjen e votës ka ndryshim qëndrimesh”, thotë profesori Hagle.

Kjo është arsyeja pse ai thotë se pjesëmarrja është thelbësore kur votuesit republikanë të Ajovës të mblidhen personalisht për votuar për kandidatin e tyre të preferuar./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja