BE - Evropianët nisin sot votimet për zgjedhjet parlamentare, nga ku do të zgjidhen 751 deputetët e parlamentit të ri evropian. Duke filluar nga dita e sotme, gjatë kësaj jave rreth 400 milionë votues nga 28 vendet anëtare do të vendosin kush do t’i përfaqësojë për 5 vitet e ardhshme. Të parat vende që votojnë sot janë Britania e Madhe dhe Holanda, ndërsa qipriotë do të jenë qytetarët evropianë që do të mbyllin këto zgjedhje ditën e diel.
 
Ndërkohë sot Anglia dhe Irlanda e Veriut voton edhe për këshilltarët lokalë. Britanikët votojnë për 73 vende në parlamentin evropian dhe për Britaninë ky është testi final i opinionit publik para zgjedhjeve të përgjithshme të 2015. Rezultatet për zgjedhjet lokale do të dalin ditën e premte, ndërsa për ato evropiane do të shpallen të dielën.
 
Çdo vend anëtar ka një numër të caktuar parlamentarësh në bazë të numrit të popullsisë. Vendi me popullsinë më të madhe merr dhe numrin më të madh të deputetëve për parlamentin evropian. Gjermania, që është vendi me popullsinë më të madhe në Evropë ka të drejtë të zgjedhë 96 deputetë, ndërsa Malta vetëm 6.
 
Çdo shtet ka mënyra të ndryshme të zgjedhjes së përfaqësuesve. Në disa vende si Britania e Madhe deputetët evropianë zgjidhen në bazë rajonale, ku nga secila zonë dërgohet një numër i caktuar parlamentarësh në Bruksel. Në disa vende të tjera si Franca, votat numërohen në rang kombëtar dhe më pas i gjithë vendi dërgon përfaqësuesit e tij.
Pasi zgjidhen 751 deputetët evropianë formojnë grupe politike brenda parlamentit që nuk përcaktohen në bazë të vendeve. Grupi duhet të përbëhet prej të paktën 25 deputetësh nga 7 vende anëtare.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)