Pas ndërprerjes për të festuar natën e ndërrimit të viteve, në Kosovë rinisi sot procesin e numërimit të mbi 27 mijë fletëvotimeve nga diaspora.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, rezulton se deri në orën 19.00 janë numëruar mbi 45% e fletëvotimeve nga votimi përmes postës, ku mbi 85% të votave kanë shkuar për Lëvizjen Vetëvendosje. Mbi 6% kanë votuar për PDK-në, më pas renditen LDK, AAK, Partia e turqve dhe Nisma.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi u shpreh se ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare. Ndaj për këtë arsyeje, ende nuk dihet se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës.
Sipas tij, deri më tani, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime, nga dy kutitë postare në Berlin dhe Bernë dhe pas verifikimeve janë aprovuar për numërim 27.600 pako me fletëvotimi.
Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor duke siguruar 56 mandate në parlament, 8 më shumë sesa në zgjedhjet e 9 shkurtit. Nga numërimi i 2.557 kutive të votimit, Albin Kurti me partinë LVV mori 49.30%. Pas LVV-së u rendit Partia Demokratike e Kosovës e drejtuar nga Bedri Hamza me 21.01% dhe në vend të tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës me kryetar Lumir Abdixhiun, i cili ka arritur të sigurojë 13.59%.
Komente





