TIRANE- Vendimi i senatit të Universitetit të Tiranës, për shtyrjen e sezonit të provimeve për shkak të zgjedhjeve për drejtuesit e rinj, është kundërshtuar nga universitetet e tjera. Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgaq Kaçani, është shprehur se një vendim i tillë është shkelje e ligjit. "Kalendari i vitit akademik miratohet nga Ministria e Arsimit dhe universitet nuk mund të spostojnë semestrat dhe të shtyjnë sezonet, pasi ky është një vendim që përcaktohet që në fillim të viti akademik dhe kush e shkel ka shkelur ligjin", - ka shpjeguar Jorgaq Kacani, i cili ka shtuar se te Politekniku procesi akademik do të zhvillohet normalisht, pas asnjë sforcim për shkak të zgjedhjeve për drejtuesit. "Gjithë aktiviteti i universitetit do të zhvillohet normalisht, përveçse nuk do të ketë emërime pedagogësh", - ka shpjeguar më tej Kaçani. Ai ka sqaruar se për t'u shpallur fitues i zgjedhjeve në universitetet, si për rektor apo dekan duhet të marrësh 33 % të totalit të votave, ndërsa ka shtuar se ai do të kërkojë sërish postin e rektorit të këtij universiteti.
(sg/shqiptarja.com)