Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, i cili mban edhe postin e Drejtuesit Politik për Diasporën në PS, iu ka bërë thirrje shqiptarëve në Venecia dhe Trevizo që të mbështesin kandidaturën e Muharrem Salihut për zgjedhjet rajonale të nëntorit në Itali.

Në një postim në rrjetet sociale, Balla ka vlerësuar kontributin e Salihut dhe frymën e bashkimit që ai përfaqëson.

Më tej Balla shkruan se Muharremi do të jetë zëri i shqiptarëve në vendimet e rëndësishme për rajonin.

Muharrem Salihu, një nga shqiptarët më të suksesshëm në Venezia, prej sot është zyrtarisht kandidat për zgjedhjet rajonale të 23 nëntorit, në dy provinca: Venezia dhe Treviso.

Me mbështetjen e shumë shqiptarëve në Venezia dhe Treviso, Muharremi do të jetë zëri juaj në vendimet e rëndësishme për rajonin.

Bashkimi bën fuqi, thoshte heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.”, shkruan Balla në rrjetet sociale.

Muharrem Salihu, president i Confimprese Venezia dhe një nga sipërmarrësit më të njohur shqiptarë, ka lindur në Tupallë të Medvegjës. Përveç bizneseve, ai njihet si një personalitet i angazhuar për mbrojtjen e shqiptarëve në Serbi.

Nga viti 2015 deri në 2019, ka shërbyer si këshilltar komunal në Medvegjë, duke dokumentuar mbi 3.000 raste pasivizimi të adresave të shqiptarëve – një proces që ai e ka cilësuar si “spastrim etnik digjital”. Përmes raportimeve dhe nismave ndërkombëtare, Salihu arriti ta çojë këtë çështje deri në Parlamentin Evropian, duke e bërë të njohur në botë diskriminimin ndaj shqiptarëve në Serbi.