PRESHEVE - Në komunat me shumicë shqiptare të Luginës së Preshevës, po vazhdon procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale që u zhvilluan të djelën në Serbi.

Sipas rezultateve paraprake, zgjedhjet lokale në komunën e Preshevës, i ka fituar Partia Demokratike Shqiptare e cila ka arritur që të sigurojë rreth 41% të votave, ndërkohë Partia për Veprim Demokratik ka marrë 23,33% të votave.

Derisa subjekti i tretë, gjithnjë sipas rezultateve paraprake, është Unioni Demokratik Shqiptar me 14.20% të votave. Ndërkohë, në Bujanoc, shqiptarët kanë arritur të fitojnë rreth 60% të votave të përgjithshme, nga të cilat Partia Demokratike e Nagip Arifit, ka marrë besimin e 23,62 % votuesve, kurse ajo që deri më tani ka udhëhequr në komunën e Buajnocit, Partia për Veprim Demokratik, ka siguruar 18,93 % të votave të shfrytëzuara.

Sipas këtyre rezultateve preliminare, asnjëra nga subjektet politike nuk do të mund të sigurojë vetë pushtetin lokal.

(rg/im/shqiptarja.com)