Fitore koalicioni i majtë ka arritur që të marrë edhe në ato zona që konsideroheshin bastione të djathta. Bëhet fjalë për njësitë bashkiake numër 8, 9 dhe 11, aty ku në zgjedhjet e 2009 apo dhe të 2011 e djathta ka dalë fituese.
Në rezultatet pas zgjedhjeve të 23 qershorit në njësinë 8 pati një diferencë të ngushtë votash prej 200 të tilla, ç`ka bëri që e majta të marrë 7.526 vota kundrejt 7.332 votash që mori e djathta, ndërsa LSI arriti që të marrë në këtë njësi 1.454 vota.
Po ashtu përmbysje konsiderohet edhe njësia 9, në të cilën PD në 2009 ka qenë nën drejtimin e të majtëve, në 2011 u kryesua nga të djathtët, ndërsa pas 23 qershorit e majta arriti që të fitojë 1 mijë vota më shumë 6.060 vota kundrejt 5.310 votave që mori e djathta.
Gjithashtu edhe njësia 11 që konsiderohej një bastion i djathtë, sipas rezultateve të nxjerra pas votimit të qytetarëve në 23 qershor e djathta arriti që të marrë vetëm 10.349 vota kundrejt 11.937 votave që mori e majta.
Edhe Lëvizja Socialsite për Integrim ka marrë një numër të konsiderueshëm votash ashtu si në zgjedhjet e 2009, 2011 si dhe tashmë në zgjedhjet e 23 qershorit, vota që kanë ardhur gjithmonë në rritje.
Në total kjo parti ka arritur që të mbledhë vetëm për zgjedhjet që sapo lamë pas plotë 23.026 vota, Partia Demokratike ka mbledhur 94.221 vota ndërsa Partia Socialiste ka arritur që të marrë plotë 134.683 vota.
Përveç përbmysjeve të bastioneve të djathta, e majta ka arritur që të fitojë një numër të lartë votash në krahasim me të djathtët edhe në njësitë që ajo vetë drejton. Njësia 5 është dhe njësia, ku PD dhe PS kanë një diferencë të madhe votash.
E majta deri në numërimin e kutisë së fundit arritit që të fitojë plotë 20.494 vota, kundrejt 10.508 votave që mori e djathta. Në këtë njësi rol negativ për të djathtën ka luajtur edhe futja në listën e sigurt fituese të Kastriot Islamit, ish deputeti socialist, i cili ngjalli shumë pakënaqësi te elektorati i djathtë në këtë njësi.
Edhe te njësia 6 e majta arriti që të fitojë dyfishin e votave të së djathtëve. Bëhet fjalë për 14.346 vota të së majtës, kundrejt 7.756 votave të së djathtës.
Ky vit mund të konsiderohet si i shkëlqyer për Partinë Socialiste, pasi nuk arriti që të fitojë bindëshëm vetëm një zgjedhjet parlamentare, por arriti që të marrë shenja pozitive edhe për zgjedhjet që do të mbahem për pushtetin vendor në 2015.
Rritja me shifra të larta e votave, jo vetëm në njësitë që ajo drejton, por edhe në ato të djathta, bën që kjo parti të ketë shpresë për fitore të thellë edhe në zgjedhjet e 2015.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)