Debati deri më 9 maj duhet të jetë për Shqipërinë që dëshirojmë, u tha Edi Rama socialistëve në Asamble. Për të arritur gjithçka synohet dhe fitoren e zgjedhjeve të ardhshme, nevojitet disiplinë dhe punë skuadre, vijoi ai. Më tej, shtoi se partia s’ka mbështetje mediatike e në këtë pikë, u mbetet vetëm e vërteta dhe fjala e tyre.

“Na duhet më shumë ,ekonomi sepse ka më shumë nevoja. Ama na duhen më shumë investime, sipërmarrje, edhe ato miliardat që janë plotësisht të mundshme tani dhe flas për disa. Janë bllokuar disa investime të mëdha sepse janë disa grupe të mëdha që janë sot në pritje. A do të pranojë Shqipëria të rritet apo do të kthehet në një pikë ku do të ishte fatale? Në këtë pikë, ne duhet të flasim me shqiptarët. Debati për Shqipërinë është ky: duhet të diskutojmë nga sot deri në 9 maj që të merremi vesh ore ça Shqipërie duam? Si bëhet ajo Shqipëria nëse duam një Shqipëri ku kemi shumë më tepër për të rishpërndarë. Nuk rishpërndahet varfëria! Rishpërndahet pasuria! Pasuria duhet krijuar dhe nuk krijohet duke parë me dyshim paranë dhe çdokënd që sjell para. Këto janë të thjeshta, por kanë vënë në pikëpyetje a duhet thënë mirëdita apo ajo fjala tjetër kur sheh tjetrin në mëngjes. Të gjitha këto mbyllen te një pikë: disiplina. Nuk ka skuadër që fiton trofe pa disiplinë. Nuk ka skuadër që fiton finale të mëdha pa disiplinë, nëse topin e duan të tërë dhe disa të xhonglojnë, të tjerë duan të marrin trofeun pa bërë këpucët pis në fushë. Përballë kësaj, kemi vetëm dy gjëra: të vërtetat tona dhe gojën tonë. Jemi pushteti më i pambështetur mediatikisht nga mediat tradicionale. Në këto kushte duhet sy më sy, goja dhe të vërtetat. Të vërteta që duhet të prekin çdo lloj fushe, pa asnjë paragjykim”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Asambleja e PS/ Rama: Absurdi i drejtësisë, Veliaj në burg pa gjyq, po s’na lënë ta zëvendësojmë! Nuk e mbrojta Ballukun, hetimet s’u cenuan