"Zgjedhorja", Nishani konfirmoi i
pari pjesëmarrjen, e anuloi në fundSKEDA/ Ku ndahen e pajtohen liderët

pari pjesëmarrjen, e anuloi në fundSKEDA/ Ku ndahen e pajtohen liderët">
TIRANE - Edhe pse ka konfirmuar i pari pjesëmarrjen në tryezën për reformën zgjedhore, organizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka anuluar pjesëmarrjen në momentet e fundit. Gjatë një interviste për “Shqiptarja.com”, drejtori ekzekutiv i KVV, Premto Gogo, u shpreh se Presidenti mungoi për arsye objektive. Ai tregon edhe prapaskenat sesi ia arriti që t’i ulte në një tryezë Ramën, Bashën dhe Metën, në një kohë kur takimi trepalësh po kërkohet me insistim për t’i dhënë zgjidhje reformës në sistemin e drejtësisë.
 
Është proklamuar fort këto ditë, një tryezë trepalëshe për reformën në drejtësi, gjë e cila nuk ndodhi. U realizua për reformën zgjedhore. Si arritët t’i bëni bashkë Ramën, Bashën dhe Metën?
Pak rëndësi ka kjo, megjithëse dua të theksoj se është më tepër një problem i stisur nga interesi mediatik, sesa është një problem që ka të bëjë me interesat e qytetarëve. Vetëm konfirmimi i trajtimit të kësaj problematike ku partitë politike kanë edhe ato vetë një peshë të përgjegjësisë, vetëm konfirmimi i pjesëmarrjes, për tu bërë pjesë e këtyre diskutimeve dhe të qenurit në një panel të përbashkët, është një dakordësi dhe mesazh i madh politik.
 
Dakordësi po, por sërish ka ndasi, Basha dhe Rama hezituan për një shtrëngim duarsh p.sh...
Nuk e shoh me shumë interes nëse ia japin dorën njëri-tjetrit apo jo. Këto janë specifika që i takojnë skupeve gazetareske, por e rëndësishme është që politika jonë ka filluar të ketë maturi dhe të bëhet bashkë për problematikat shqetësuese. Jo vetëm për reformën zgjedhore, por shihet kjo maturi edhe te njëkohshmëria e reformave. Pra, ndryshe nga ç’jemi mësuar më parë, në fokus është një reformë dhe të gjitha bateritë shkarkohen në atë reformë.

Ne i kemi të gjitha kapacitetet dhe ne jemi një shtet kandidat për në BE, kemi ekspertizën e duhur dhe të gjithë elementët dhe mekanizmat që t’i ndërmarrim këto reforma njëkohësisht. Dhe sigurisht, aty ku ka vullnet politik, ecet me reforma. Mund të bëhen disa reforma, jo vetëm ajo e drejtësisë dhe zgjedhore, por edhe reforma të tjera më të thella.
 
Në momentin kur ju adresuat ftesat përkatëse, pati hezitime nga ndonjë aktor politik?
Në mënyrë absolute jo. Që në momentin e parë përgjigjet për pjesëmarrjen kanë qenë pozitive. Ky është një aktivitet që javë të tëra që përgatitet. Një aktivitet në bashkëpunim me Presidentin e Republikës dhe ka qenë që në momentet e para një gatishmëri e aktorëve politikë për të marrë pjesë dhe ne duhet t’i falenderojmë që në axhendën e tyre të ngjeshur erdhën dhe përfaqësuan nivelin më të lartë të tyre.
 
Pavarësisht qëndrimeve diametralisht të kundërta, e shihni këtë tryezë si ogur të mirë për reformën zgjedhore?
Shqetësimi ishte reforma zgjedhore. Më mirë le të kenë shqetësime të përbashkëta dhe t’i thellojnë këto shqetësime, sesa të takohen dhe të “puthen” dhe të krijojnë probleme sikundër ka ndodhur kur janë dhënë duart në historinë politike të këtij vendi vite më parë dhe që nuk kanë sjellë asgjë të mirë as për publikun dhe as për institucionet. Kjo është gatishmëri për të nisur një proces.
 
Ra në sy mungesa e Presidentit të Republikës. Thatë që ishte një nga organizatorët...
Presidenti i Republikës ishte i ftuar, ishte edhe bashkorganizator në këtë tryezë, por për një pamundësi të momenteve të fundit, ishte e pamundur që të merrte pjesë. Ka munguar për arsye objektive. Në të gjithë tërësinë e kësaj, Presidenti ka qenë pjesë e inicimit të kësaj tryeze. Ka qenë ai që ka konfirmuar i pari pjesëmarrjen. Edhe data e zhvillimit të punimeve të tryezës ka qenë e vendosur në bashkëpunim me të. Edhe palët e ftuara e dinin që Presidenti është i ftuar, sikurse edhe Presidenti e dinte për ta, por janë gjëra të cilat varen nga punët e tij të përditshme si kryetar i shtetit.

Shitblerja e votës, KVV: Kemi denoncuar rastet te ndërkombëtarët 
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, një organizatë e pavarur që monitoron proceset zgjedhore në Shqipëri, e cilëson shitblerjen e votës si fenomen të rëndomtë, ndërsa thelbi i problemit është tek sistemi i cili nuk krijon besueshmëri. Drejtori Ekzekutiv i KVV, Premto Gogo, thotë se janë denoncuar edhe te ndërkombëtarët rastet e shitblerjes së votës. “Në bindjen tonë ne e kemi ngritur, para ndërkombëtarëve ka pasur raste konkrete, por nuk mendojmë se është ky thelbi i problemit. Për ne kjo është pasoja e fundit e një sistemi të molepsur ku ka humbur besimi dhe ku manipulimi i vullnetit të votuesve është në dorën e politikës, pavarësisht se nëse ti e hedh votën apo jo, ajo është gjëja e fundit që i ngelet qytetarit apo po themi, në zinxhirin e këtij manipulimi dhe korrupsioni të madh, ky është fenomeni më pak problematik”, u shpreh ai.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rusia lëshon “shi” dronësh ndaj Kievit, Ukraina njofton se i asgjësoi! 6 orë bombardime, nuk raportohen viktima

Rusia lëshon “shi” dronësh ndaj Kievit, Ukraina njofton se i asgjësoi! 6 orë bombardime, nuk raportohen viktima