Partia Demokratike ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës në komisionin për ‘Zgjedhoren’ për të hequr pikën e “detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore.”

Bsahkëkryetari Oerd Bylykbashi thotë se kjo pikë është futur në mënyrë të njëanshme dhe s’bën pjesë në rekomandimet e OSBE-ODIHR. Çështja që PD do të diskutojë janë ndarja e partisë nga shteti dhe ndalimin e abuzimit me pushtetin në zgjedhje.

Kërkesa e plotë:

"I nderuar bashkëkryetar, 

të nderuar anëtarë të Komisionit të Posaçëm,

Komisioni, në punën e tij, bazohet tek rregulli themelor i konsensusit mes të dy palëve pozitë-oppzitë për çdo aspekt formal dhe përmbajtësor të punës së tij. Për këtë arsye është i ndërtuar mbi barazinë pozitë-opozitë të përbërjes së tij, drejtimin me bashkëkryesim dhe veton e secilës palë. 

Pika e parë e rendit të ditës për mbledhjen e sotme në lidhje me detyrime që sipas njoftimit, i vikan Komisionit nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore, nuk është rekomandim i OSBE/ODIHR, nuk është dakordësuar mes bashkëkryetarëve,  është futur në mënyrë të njëanshme në rendin e ditës dhe është kundërshtuar menjëherë në grupin e komunikimit të Komisionit nga anëtarët e opozitës, pas njoftimit të rendit të ditës. 

Deri më sot, çështja e debatueshme nuk është hequr nga diskutimi. Në cilësinë e bashkëkryetarit dhe bazuar në kompetencën që më jep ky funksion, kërkoj heqjen e pikës 1 sipas njoftimit të datës 5 nëntor 2026 nga rendi i ditës për diskutim në mbledhjen e datës së sotme, 9 nëntor 2026. 

Kërkoj zëvendësimin e saj me çështjen prioritare të rekomandimeve të ODIHR për “garantimin e fushës së barabartë të garës duke ndarë shtetin nga partia dhe ndalimin e abuzimit me pushtetin shtetëror në zgjedhje”. Kjo çështje është hapur për diskutim në Komision në muajt qershor-korrik dhe për të është organizuar nga Komisioni edhe një tryezë e madhe konsultimi me partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile. Kjo çështje është prioritare për t’u përfunduar nga Komisioni para zgjedhjeve të 9 majit 2027.

Mandati i Komisionit mbaron më 30 nëntor dhe çdo devijim nga prioritetet e punës sonë pengon arritjen e objektivave të tij.

Për sa më sipër kërkoj që deri në ora 11.00 të ditës së sotme, t’i komunikohet formalisht komisionit nga sekretaria rendi i ditës i ndryshuar.


Lajmi kryesor:

‘Zgjedhorja’, Kuvendi rinis sot punën për formulën e re të votimit për këshillat bashkiakë pas hartës së re territoriale