“Një Europë më e fortë nuk mund të ndërtohet pa Ballkanin Perëndimor”. Ky ishte mesazhi që ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dha nga Bullgaria, ku u ndal te procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian dhe rëndësia që ka marrë rajoni në kushtet e sfidave të reja gjeopolitike.
I ftuar nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), Hoxha mori pjesë në një panel diskutimi kushtuar perspektivës së zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Në fokus të bisedës ishte roli që po merr procesi i zgjerimit në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks, si dhe ecuria e vendeve të rajonit në rrugën drejt integrimit europian.
Gjatë fjalës së tij, ministri theksoi se zgjerimi i Bashkimit Europian nuk shihet më vetëm si një instrument për transformimin e vendeve kandidate, por si një nevojë strategjike për vetë BE-në.
“Në kontekstin e sotëm strategjik, zgjerimi nuk shihet më vetëm si një politikë transformimi. Ai është shndërruar në një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin, konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të BE-së. Zhvillimet e viteve të fundit e kanë bërë të qartë se një Evropë më e fortë, më e bashkuar dhe më e aftë për t’u përballur me sfidat gjeopolitike nuk mund të realizohet plotësisht pa integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian“, u shpreh Hoxha.
Ministri u ndal edhe te rrugëtimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke theksuar se procesi i integrimit mbetet një objektiv që gëzon mbështetje të gjerë në vend.
“Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, i cili po hyn në fazën e tij më vendimtare dhe më përcaktuese, është shumë më tepër sesa një objektiv i politikës së jashtme”, tha ai, duke e cilësuar integrimin europian si një aspiratë kombëtare që mbështetet gjerësisht nga shoqëria shqiptare.
Më tej, Hoxha vuri theksin te reformat që po ndërmerren në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian.
“I udhëhequr nga një axhendë ambicioze reformash dhe nga një angazhim i palëkundur për të prodhuar rezultate konkrete, rrugëtimi ynë europian pasqyron jo vetëm transformimin e institucioneve, por edhe një zgjedhje të qartë kombëtare dhe shoqërore për të ardhmen që duam të ndërtojmë”, deklaroi ministri.
Ai nënvizoi gjithashtu se një proces zgjerimi i besueshëm dhe i bazuar në meritë është në interes si të vendeve kandidate, ashtu edhe të vetë Bashkimit Europian.
“Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për të ruajtur ritmin aktual, për të përshpejtuar reformat dhe për të avancuar me vendosmëri në procesin e negociatave”, u shpreh Hoxha.
Duke folur për objektivat e vendit në këtë proces, ministri shtoi se “objektivi që kemi është ambicioz, por realist: përmbyllja e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030”.
Ai përmbylli fjalën e tij me një mirënjohje të sinqertë ndaj ECFR dhe ndaj të gjithë pjesëmarrësve, për këtë shkëmbim mendimesh të vlefshëm dhe frymëzues.
Komente






