Rreth orës 14:00 të ditës së sotme, baza materiale dhe dosjet në Kadastrën e Vlorës u ngarkuan për t’u transportuar drejt Tiranës.
E shoqëruar nga forcat e policisë, baza materiale u ngarkua në një kamion dhe më pas dosjet përkatëse do të dërgohen në Tiranë për veprime të mëtejshme.
Kadastra e Vlorës, e cila ka ndërruar vazhdimisht drejtorët, do të transferohet në selinë qendrore në Tiranë pranë rrugës “Jordan Misja”.
Vendimi është firmosur nga drejtoresha e përgjithshme e Kadastrës Lorena Goxhobelli më 23 janar dhe zhvendosja duhet të përfundojë deri në fund të këtij muaji.
Vendimi për të larguar Kadastrën e Vlorës në Tiranë vjen në më pak se një vit, pasi institucioni ishte zhvendosur në një godinë të re në qytetin bregdetar, pranë ish-Shtëpisë së Oficerëve.
Për këtë transferim, ka reaguar edhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK).
ASHK sqaroi se riorganizimi i institucioneve në Tiranë ka nisur që prej vitit 2021, fillimisht me transferimin e Durrësit dhe Krujës, për të vazhduar me pas me Shkodrën, Kavajën, Kamëz-Vorë dhe Vlorën.
Kadastra deklaroi se të gjitha shërbimet sot janë të digjitalizuara përmes e-Albania dhe të avancuara, ndërsa sqaron qytetarët për përmirësim të shërbimit ndaj kërkesave të tyre.
Komente











