TIRANE, 27 Qershor/ATSH/- Në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh midis Forcave të Armatosura Shqiptare dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, u zhvillua në Prishtinë një aktivitet i përbashkët sportiv, ndeshje futbolli midis ekipeve përfaqësuese të dy vendeve. 

Për Forcat e Armatosura shqiptare, këtij aktiviteti i parapriu edhe zhvillimi i kampionatit të futbollit në rang force të armatosur, zhvilluar gjatë muajit maj 2014.

Në krye të këtij aktiviteti për Forcat e Armatosura shqiptare ishte zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Viktor Berdo, i shoqëruar nga drejtorë drejtorish në Shtabin e Përgjithshëm.
Ekipi u përgatit dhe drejtua nga nënkolonel Ilirjan Dauti, oficer shtabi te Drejtoria e Operacioneve dhe Stërvitjes në Shtabin e Përgjithshëm të FA dhe trajner Perlat Musta.

Aktiviteti u zhvillua në frymë tepër miqësore e vëllazërore, gjë të cilën e faktoi edhe rezultati i barabartë në fund të ndeshjes.
Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm u prit nga zëvendëskomandanti i FSK, si dhe komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Rrahman Rama.
Gjithashtu në këtë aktivitet nderuan me pjesëmarrjen e tyre ministri për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, z. Agim Çeku si dhe sekretari i përgjithshëm, z. Shkëlzen Sylaj.

Për zhvillimin e ndeshjes pati interesim të veçantë nga mediat lokale kosovare, ekipi i KFOR, përfshirë edhe personelit tonë ushtarake me mision atje.
Ky aktivitet i shërben forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis Forcave të Armatosura Shqiptare dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjatë takimit me personalitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneralmajor Berdo, u shprehu atyre mirënjohjen dhe falënderimin për pritjen e bërë gjithë ekipit të FARSH si dhe ndanë mendime për zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen, krahas fushave të tjera, edhe në atë të aktiviteteve të përbashkëta kulturore e sportive.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet në muajin shtator 2014 në Tiranë./a.gegvataj/