BERAT- Një zjarr është shfaqur gjatë mëngjesit të sotëm në kodrat e Bashkisë Berat në fshatin e Mimias, ku ndodhet edhe një plantacion i madh me vreshta.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit të cilët po “luftojnë” me flakët. Tereni është tepër i vështirë, ndaj dhe mjetet e zjarrfikësve nuk mund të shkojnë aty ku janë vatrat e zjarrit. Zjarri po përparon me shpejtësi, kjo për shkak të erës së fortë. Nuk është hera e parë që këto zona përfshihen nga flakët pasi vet banorët pastrojnë barërat e thata dhe u vënë flakën, duke bërë që shpesh t’i dalë jashtë kontrollit.
Asnjë person deri më tani nuk është vënë përpara përgjegjësisë për krimin e kryer.
Prej tre ditë rresht vatrat e zjarrit janë shfaqur pothuajse në të gjithë qarkun e Beratit gjatë natës dhe ditës.