Rreth 3 mijë banorë janë evakuuar për shkak të një zjarri masiv në malin Faeta, mes provincave të Pizës dhe Lucca-s, i cili nisi pasditen e 30 prillit.
Evakuimi u krye veçanërisht në zonat e Asciano dhe San Giuliano Terme. Sistemi i mbrojtjes civile është aktivizuar për të ndihmuar të evakuuarit, me vëmendje të veçantë ndaj personave më të cenueshëm.
Zjarri ka shkatërruar tashmë rreth 800 hektarë pyll midis Santa Maria del Giudice, Asciano dhe San Giuliano Terme. Meqenëse zjarret janë aktive në disa zona, ka qenë e vështirë të vihen nën kontroll.
Katër avionë Canadair dhe një helikopter S-64 janë në veprim, së bashku me ekipet në terren, bëjnë me dije shërbimet zjarrfikëse. Flakët vijojnë në frontin e Pizës, ndërsa në Lucca situata është qetësuar.
Janë vendosur gjithashtu postblloqe rrugore në zonat e prekura për të shmangur pengimin e mjeteve të shpëtimit dhe për të garantuar sigurinë e operacioneve.
Komente






