Një zjarr ka rënë mesditën e së shtunës në periferi të qytetit të Vlorës, pranë ish-fushës së aviacionit.

Si pasojë e flakëve dhe erës, zjarri është përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe me barishte të thata dhe shkurre, duke rrezikuar edhe banesat që ndodhen në afërsi të zonës.

Banorët shprehen se situata të tilla përsëriten për shkak të mungesës së mirëmbajtjes dhe pastrimit të territorit nga barërat e thata. Sipas tyre, Bashkia Vlorë dhe strukturat përgjegjëse duhet të ndërhyjnë në kohë, pasi gjatë sezonit të verës këto hapësira kthehen në burim të vazhdueshëm rreziku për banorët.

“Ky është shteti. Vendi është barut. Këtu vit për vit 5-6 herë ky problem është. Kanë ardhur ato të pastrimit, pastruan cik këtu dhe ikën. Problem këtë punë kemi. Ka një javë që merr zjarri”, tha një prej banorëve.

Drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar mjetet e zjarrfikëses, të cilat po punojnë për izolimin e vatrës dhe mbajtjen e flakëve nën kontroll.