Situata e zjarreve në vend vijon të mbetet shqetësuese. Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 17:00 janë regjistruar 24 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive, 4 janë nën mbikëqyrje dhe 1 nën kontroll.

Në terren janë angazhuar të paktën 639 forca, përfshirë 369 efektivë të strukturave vendore dhe rajonale dhe 270 efektivë të Forcave të Armatosura. Operacionet mbështeten gjithashtu nga 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Një nga zonat më problematike vijon të jetë Gojan–Gjegjan–Tërbun në Pukë, ku sipas Ministrisë janë angazhuar 255 forca dhe 11 mjete zjarrfikëse.

Situata paraqitet më e rënduar në lagjen Pepaj, Gojan i Madh, ku flakët janë afruar pranë banesave. Deri tani raportohen 4 banesa të pabanuara të djegura, ndërsa një banesë e banuar që ndodhej në rrezik është shpëtuar.

Për mbrojtjen e banesave janë dislokuar 5 mjete zjarrfikëse dhe 30 forca ushtarake, ndërsa ndërhyrja nga ajri vijon me një helikopter.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se situata është përmirësuar në disa sipërfaqe pyjore të Tërbunit, ndërsa zjarri vijon të jetë aktiv edhe Gojanit të Vogël dhe zonës së Prozhemit.

Po ashtu, situata vijon të jetë problematike në Shtanë të Mirditës, ku përhapja e zjarrit dhe rreziku për banesat kanë detyruar Policinë e Shtetit të kryejë evakuimin e banorëve të rrezikuar.

Në zonë janë angazhuar kapacitetet njerëzore dhe logjistike të bashkisë, ndërsa operacioni mbështetet nga dy helikopterë dhe dy mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura. Gjithashtu, në gatishmëri është vendosur edhe një ambulancë.

Në Dukat të Vlorës, operacioni vijon me forca të MZSH-së, shërbimit pyjor, Njësisë Administrative Orikum dhe Forcave të Armatosura.

Ndërhyrja nga toka po mbështetet edhe nga ajri me dy avionë Air Tractor. Edhe pse zjarri ka marrë shtrirje të konsiderueshme në drejtim të malit, aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Dajt të Tiranës vijon puna për izolimin e vatrave të mbetura. Një pjesë e tyre është izoluar plotësisht dhe nuk ka rrezik aktual për zonat e banuara.

Ndërkohë, në Mal Milot të Kurbinit, zjarri është shuar pas ndërhyrjes së forcave të MZSH-së, Policisë, strukturave bashkiake dhe Forcave të Armatosura. Zona vijon të mbahet nën mbikëqyrje.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Prioritet sipas Ministrisë mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë, ndërsa kapacitetet operacionale vijojnë të jenë në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje.


Lajmi kryesor:

Beteja me flakët/ ‘Lëvizni, të gjithë jashtë’, evakuime në Gojan të Pukës, digjen 4 banesa! Largohen banorët nga shtëpitë në Tenë të Mirditës (VIDEO)