Prefekti i qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, ka reaguar për situatën e zjarreve në Tiranë, ku flakët kanë ‘mbërthyer’ zonën mes Lundrës e Priskës.

Në një lidhje telefonike për Report Tv, Hajdari tha se është bërë evakuimi i 10 familjeve, teksa shtoi se aktualisht nuk rrezikohet jeta e banorëve dhe shtëpitë e tyre.

Ai shtoi se në terren kanë ardhur edhe forca zjarrfikëse nga qarqe të tjera, për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.

“Kemi bërë evakuimin e banorëve që janë pranë vatrave të zjarrit. Krahas forcave të emergjencave civile të Tiranës, sapo kanë mbërritur edhe nga qarqe të tjera mjete zjarrfikëse. Nga Peqini, Elbasani, por edhe nga Vora e Kamza. Situata është e vështirë, por është nën kontroll. Deri tani kemi evakuar 10 familje”, tha mes të tjerash Hajdari.

Më tej Hajdari tha se situata është e vështirë, për shkak se në terren janë disa vatra zjarri, në distancë nga njëra tjetra.

Nëse përhapja e flakëve vijon, e favorizuar edhe nga era e fortë gjatë natës, sipas Hajdarit rrezikohet Gurra e Madhe, Farka, por edhe Priska. Ai shtoi se në terren po punohet edhe me eskavator, për të krijuar bllokadë për mos-përhapjen e flakëve. Sipas Hajdarit, tre vatrat kryesore të zjarrit janë në Lundër, Gurrë dhe Priskë, por ka edhe disa vatra më të vogla.

“Në Gurrë të Madhe nuk ma merr mendja që zjarri do të arrijë pranë banesave. Situata është e vështirë edhe për shkak të natës, por edhe për shkak të krijimit të disa vatrave të zjarrit, të cilat janë në distanca të largëta me njëra-tjetrën. Pavarësisht vështirësive, do ja dalim. Zjarri nuk do arrijë të prekë banesat dhe jetët e qytetarëve. Është Gurra e Madhe më e rrezikuara, por nëse nuk ndërhyet, mund të rrezikohet edhe Farka, por edhe Priska. Po punohet edhe me eskavator. Kemi një vatër në Lundër, një në Gurrë dhe një në Priskë. Pastaj ka edhe vatra më të vogla”, shtoi Hajdari.

Më tej Hajdari tha se në terren ndodhet edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, por edhe zyrtarë të tjerë, teksa shtoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është shumë i mirë.

Në përfundim Hajdari theksoi se prioritet për mbrëmjen e sotme është vënia nën kontroll e flakëve dhe shmangia e rrezikut për jetët e qytetarëve.

“Në terren është ministri i Mbrojtjes, zv.ministri dhe zyrtarë të tjerë. Bashkëpunimi është shumë i mirë. Zjarret nuk shuhen nga avionët. Avionët zbusin zjarret. Nëse nuk futesh në terren me forca zjarrfikëse apo të ushtrisë, zjarri riaktivizohet. Nesër që do na ndihmojë edhe dita, shpresojmë që zjarri të shkojë drejt shuarjes. Sot është natë e vështirë, sepse ka edhe shumë erë. Sot emergjencë kemi që të mos dëmtohet jeta e qytetarëve dhe banesat e zonës”, përfundoi Hajdari.


Lajmi kryesor:

‘Luftë’ me zjarret/ Disa vatra rreth Tiranës, situatë ‘alarmante’ mes Lundrës e Priskës, digjen disa shtëpi të pabanuara! Në Lurë rrezikohen banesat! Krutanët largojnë fëmijët e të moshuarit