Flakët 'mbërthejnë' tunelin e Kalimashit, vihet në kontroll situata gjatë natës! Vjen ndihma nga Kosova, 34 zjarrfikës dhe 9 automjete! Gjici për Report Tv: Ndërhyn në mëngjes helikopteri! Meta në Kukës

Është përhapur me përmasa të frikshme zjarri mbi tunelin e Kalimashit në Kukës. Flakët të ndihmuar edhe nga era po përhapen duke krijuar pamje apokaliptike. Siç shihet nga pamjet e siguruara nga situata është kritike pasi tymi ka "pushtuar" zonën ndërsa zjarri është afruar pranë Rrugës së Kombit. Sipas informacioneve të fundit mësohet se situata është vënë në kontroll dhe nuk rrezikon bllokimi i Rrugës së Kombit. Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, tha se tashmë pritet nesër ndërhyrja nga ajri.

Në ndihmë të zjarrfikësve të Kukësit kanë mbërritur edhe forcat e ushtrisë dhe zjarrfikëset e Kosovës të cilët janë përqendruar në zonën e tunelit të Kalimashit. 34 zjarrfikës dhe 9 automjete kanë mbërritur pak më parë nga Kosova. I pranishëm në tunelin e Kalimashit është edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zveçla. 

Si pasojë e erërave të forta zjarri vijon të përhapet, por fatmirësisht nuk ka banesa të rrezikuara. Kjo vatër është aktive prej pesë ditësh, ndërsa nuk është mundur të vihet nën kontroll. 

Në vendin e quajtur Qafa e Kumbullës sot është bërë i mundur izolimi i flakëve. Edhe në Majën e Rrunës në Kukës situata e zjarrit vijon të jetë ende problematike, ndonëse gjatë ditës së sotme helikopteri ka ndërhyrë sërish për të bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve. Në fikjen e zjarrit janë angazhuar 12 forca zjarrfikëse, 5 punonjës të pyjores, 20 forca nga komunitet, mjet zjarrfikës si dhe forca te emergjencës civile te Bashkisë Kukës. Një vatër e re zjarri ka përfshirë edhe masivin pyjor të Ahishteve në zonën e Mokrës në Pogradec e njohur si Guri i Nikës. 

Problematike vijon edhe situata në fshatin Thirrë, në Fan të Mirditës, ku zjarri është aktiv dhe rrezikon të afrohet në lagjen Gështenjë dhe në lagjen Karaq. Në terren po punojnë forcat e Armatosura, zjarrfikës e të shërbimit pyjor, për të bërë të mundur frenimin e vatrës, gjë që duket mjaft e vështirë. Në fshatin Munellë si pasojë e erës së fortë zjarri është riaktivizuar dhe po zbret drejt fshatit Domgjon.

Edhe në Karaburun situata paraqitet me rrezikshmëri të lartë në zonën e quajtur Gropat e Pirit. Ndërsa zjarri mbi fshatin Dukat është vënë nën kontroll dhe nuk përbën rrezik. Pas ditësh të tëra luftë me flakët, është larguar rreziku i flakëve në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes operacioni vijon ende për të normalizuar situatën, në një kohë që në Malin e Dukatit për herë të parë pas shumë ditësh, nuk shihet vatër zjarri.

Nga ana tjetër përmirësim të situatës ka shfaqur zjarri në pyjet e Voskopojës, ku zjarri i rënë mbrëmë është drejt shuarjes, por dëmet janë të mëdha. Vatra e zjarrit e rënë dje në pyjet me pisha të Krushovës janë pothuajse drejt fikjes. Rënia e intensitetit të flakëve ka ardhur edhe si pasojë e temperaturave të ulura gjatë natës.Në terren janë punonjës, zjarrfikës dhe forca të armatosura që kanë nisur punën që në 5 të mëngjesit, ku ka ende dy vatra të vogla aktive një në pyjet e Krushovës dhe një në fshatin Gjonomadh.

Në Gjonomadh, zjarr i cili ka rënë që ditën e djeshme, janë 10 trupa zjarrfikëse të cilat janë duke u përpjekur për të izoluar flakët. Edhe në fshatin Gjorgos të Fier situata është përmirësuar ndjeshëm ku flakët janë vënë në kontroll dhe po mundohen të shuhen nga zjarrfikësja.

Tashmë është drejt shuarjes zjarri në fshatin Corrush në Mallakastër, zjarri në fshatin Bogë në Shkodër, është izoluar vatra në Parkun e Tomorrit në Berat. Ndërsa ka një riaktivizim zjarri në Zogas të Skraparit, ku forcat po vijojnë punën për mbajtjen nën kontroll. Vatra të reja janë raportuar edhe në fshatin Shetaj në Ishëm të Durrësit, pa rrezik për banesat.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 02:26
Pas inspektimit, Presidenti Meta për zjarret në Kukës: Tuneli i Kalimashit plotësisht i kalueshëm dhe i sigurt! Nesër operacion i gjerë

1628552029_Screenshot4.jpg

Sapo ka mbërritur në Kukës dhe ka parë nga afër situatën me zjarrin në Kalimash, Presidenti Ilir Meta ka bërë një përshkrim të shkurtër të situatës.

"Tuneli i Kalimashit plotësisht i kalueshëm dhe i sigurt Falënderim për angazhimin operacional të strukturave zjarrfikëse të Kukësit dhe të Kosovës. Ndërsa vazhdon puna për të mbrojtur tunelin, sot në orët e para të mëngjesit pritet një operacion me më shumë forca për të fikur zjarret në të gjithë malin e Rrunjës, për të mbrojtur jetët njerëzore dhe banesat  e Shëmrisë", ka shkruar Meta në Facebook.

Ora 01:31
Situata e zjarrit në Kukës, Presidenti Meta niset drejt Kalimashit

Nisur nga situata e rëndë e krijuar nga zjarret në zonën e Kalimashit në Kukës, Presidenti i vendit Ilir Meta ka marrë vendimin që të niset drejt Kalimashit për të ndjekur nga afër se ç'po ndodh!

Në Kalimash prej orësh po luftohet me flakët të cilat në një moment rrezikuan edhe Rrugën e Kombit por që tashmë situata është nën kontroll.

Ora 01:12
Situata me zjarret në Kukës, ministri i Brendshëm i Kosovës për Report Tv: Situata është e rëndë, jemi në gatishmëri në krah të Shqipërisë

 

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zveçla, në një lidhje telefonike për Report Tv mbi situatën në Kukës tha se zjarrfikës dhe forca të sigurisë së Kosovë kanë mbërritur dhe janë në gatishmëri të Shqipërisë për të ndihmuar.

"Ka një angazhim të madh të të gjithë njerëzve. Situata është e rëndë aktualisht në Kukës pasi janë disa vatra aktive. Për fat të mirë situatën në Kosovë e kemi më të mirë dhe mund të ndihmë vëllezër tanë nga Kosovë. Ne kemi mobilizuar 34 zjarrëfikës, po presim që të na bashkëngjiten dhe trupa të FSK-së së Kosovës. Nesër presim që të na bashkohen dhe forca të tjera. Do të pritet që të zbardhë dita për të bërë të mundur dhe neutralizimin e flakëve. Trupa tonë do të rrinë sa të jetë e nevojshme dhe ne të kemi kapacitet dhe të ndihmojmë", tha ndër të tjera ai. 

Ora 00:57
Safet Gjici: Situatën e vumë nën kontroll, nuk rrezikon Rruga e Kombit! Nesër në mëngjes herët vjen helikopteri

 

150 forca janë në terren aktualisht në Kukës për shuarjen e zjarreve në të tria vatrat e rrezikshme.

Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, në një lidhje telefonike para pak minutash për Report Tv ka dhënë lajmin qetësues se situata aktualisht është vënë nën kontroll dhe Rruga e Kombit nuk rrezikon të bllokohet.

"Forca e zjarrfikëses dhe të gjithë forcat e tjera të ardhura nga Kosova dhe Tirana po punojnë. Zjarri tanimë nuk ka më rrezik për bllokimin e rrugës. Kjo u arrit. E kemi nën kontroll zjarrin. Nuk paraqitet rrezik në Tunelin e Kalimashit. Do të vazhdojmë punën për ta mbajtur nën kontroll dhe nesër në mëngjes vjen helikopteri. Dua të falënderoj edhe ministrin  Brendshëm të Kosovës për ndihmën e madhe. Aksioni nesër në mëngjes do të mbështetet edhe nga forcat e Kosovës në të tria vatrat e zjarrit", ka thënë Gjici.

Ora 23:04
Drejtori i zjarrfikëseve të Kosovës mbërrin në Kalimash, Hasan Kodra: Kanë ardhur 34 zjarrfikës me 9 automjete për të ndihmuar Kukësin

Hasan Kodra, drejtor i departamentit të zjarrfikësve të Kosovës, ka mbërritur në tunelin e Kalimashit, aty ku flakët kanë agravuar dhe por shkrumbojnë pyjet.

Në një prononcim për mediat, Kodra tha se kanë mbërritur 34 zjarrfikës nga Kosova për të ndihmuar Kukësin, në pritje edhe FSK-së.

‘Kanë mbërritur 34 zjarrfikës prej 9 njësive me 9 automjete për terren malor dhe do të angazhohen në ndihmesë të ekipeve të Kukësit dhe shpresojmë që nesër që të japim maksimumin që të jemi krah dhe mbështetje që të lokalizojmë zonën. Ose do të kërkojmë që të vijnë ekipe të tjera nesër.’- tha Kodra.

Ora 22:36
Radhë të gjata automjetesh në rrugën e Kombit deri në doganën e Morinës, zona në dy anët e tunelit të Kalimashit mbulohet nga tymi

Fluks automjetesh është krijuar në rrugën e Kombit deri në doganën e Morinës. Kthimi i qytetarëve nga Kosova pas pushimit në bregdetin shqiptar dhe i emigrantëve nga Kosova që kthehen nga vendet e BE-së e vijnë për pushime në vendlindje ka krijuar radhë të gjata mjetesh.

Fluks është krijuar edhe nga situata e zjarreve mbi tunelin e Kalimashit, ndërkohë që policia po menaxhon situatën tek tuneli për drejtimin e makinave. Zona pranë tunelit është mbuluar nga tymi, por qarkullimi i automjeteve po vijon pa problematika.

Ora 22:31
Zjarri i frikshëm në tunelin e Kalimashit, Kosova vihet në lëvizje, ministri i mbrojtjes: FSK-së është nisur drejt zonave të rrezikuara

Kosova mbrëmjen e kësaj të hënë ka nisur drejt Kalimashit një grup nga FSK –ja që do të ndihmojnë në shuarjen e flakëve, pasi situata në  orët e fundit ka dalë jashtë kontrollit. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj njoftoi se kontingjenti i FSK-së është nisur sonte drejt zonave të rrezikuara në Shqipëri, në ndihmë të autoriteteve tona.

 “Pas rëndimit të situatës, përveç në zonat jugore tani më edhe në ato veriore, dhe kërkesës së autoriteteve shqiptare për mbështetje, kam marrë siguruar homologun tim , ministrin Peleshi, se vullneti im për zbarkim të kontingjentit të FSK-së në operacion për shuarjen e zjarreve, do të përkrahet fuqishëm nga Qeveria e Republikës më në krye kryeministrin Kurti dhe Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani.

Kam dhënë direktivën për ngritjen e task-forcës së FSK-së dhe gatishmërinë e tij dhe me dhënien e  autorizimit zyrtar nga ana e Komandantes Supreme të Forcave të Armatosura, Presidentes Osmani, tani kontingjenti i FSK-së është nisur drejt zonave të prekura  dhe angazhimit të tyre në operacion në kuadër të forcave reaguese të Republikës së Shqipërisë”, shkruan ministri në facebook.

Ndërkohë në tunelin e Kalimashit ka mbërritur edhe ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla.

Ora 21:08
Flakët 'mbërthejnë' tunelin e Kalimashit, pamje apokaliptike

Kjo pamje shfaqet mbi tunelin e Kalimashit. Flakët kanë mbërthyer zonën. Si pasojë e erërave të forta dhe terrenit zjarri është përhapur, por nuk ka banesa të rrezikuara. Qytetarët kosovarë të bëjnë kujdes gjatë udhëtimit për në Shqipëri.

Ora 19:05
Zjarrfikësit të buzëqeshur në majën e Dukatit, s'konstatojnë asnjë vatër zjarri! Në malin e Kuçit flakët u afrohen banesave, qytetarët në gadishmëri

Zjarrfikësit e Vlorës, të pozicionuar në majën më të lartë të malit të Dukatit, më në fund pas shumë ditësh nuk kanë arritur të konstatojnë asnjë vatër zjarri.

Në video ata shihen të lodhur, por të buzëqeshur që më në fund kanë arritur të shuajnë zjarrin në këtë zonë, e cila siç duket edhe nga pamjet është tërësisht e shkrumbuar.

Pamjet tregojnë gjithashtu se në zonën e Pashalimanit ka tym, por jo zjarr aktiv. Ndërkohë në Malin e Kuçit shihet një vatër zjarri shumë pranë banesave të tyre. Ato janë lajmëruar që të jenë në gadishmëri për të mos lejuar flakët pranë banesave.

Ora 18:28
Zjarret, 'Mbrojtja': Disa vatra shqetësuese, problematike situata në fshatin Thirrë, riaktivizohet vatra në Munellë! S'ka më rrezik për Llogaranë

Disa vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vendin tonë. Ministria e Mbrojtjes ka dhënë informacione mbi situatën e zjarreve ndërsa bën me dije se është larguar rreziku i flakëve në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Sipas ministrisë problematike vijon edhe situata në fshatin Thirrë, në Fan të Mirditës, ku zjarri është aktiv dhe rrezikon të afrohet në lagjen Gështenjë dhe në lagjen Karaq. Në fshatin Munellë si pasojë e erës së fortë zjarri është riaktivizuar dhe po zbret drejt fshatit Domgjon. Gjithashtu vatra zjarri aktive vijojnë që të jenë dhe në Kukës dhe në Mirditë.

Vatra të reja janë raportuar edhe në fshatin Shetaj në Ishëm të Durrësit, pa rrezik për banesat si dhe një vatër në zonën Guri  i Nikës, pjesë e zonave të Mbrojtura në bashkinë e Pogradecit, e cila po monitorohet nga punonjësit e Agjencisë së zonave të Mbrojtura.

Tashmë është larguar rreziku i flakëve në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë, por operacioni vijon për të normalizuar situatën.

Situata e zjarreve në vend sipas Mbrojtjes:

Disa vatra zjarri vijojnë të jenë shqetësuese ende, pavarësisht punës dhe ndërhyrjes së forcave operacionale në të gjithë territorin e vendit.

Tashmë është larguar rreziku i flakëve në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë, por operacioni vijon për të normalizuar situatën.

Forcat janë përqendruar në zonën e tunelit të Kalimashit, ku si pasojë e erërave të forta dhe terrenit zjarri është përhapur drejt fshatit Shëmri, ndërsa në vendin e quajtur Qafa e Kumbullës është bërë i mundur izolimi i flakëve. Në fshatin Trull, ku rrezikoheshin stane situata është nën kontroll. Për qetësimin e zjarrit do të bashkëpunohet edhe me forca ndihmë nga Kosova.

Problematike vijon edhe situata në fshatin Thirrë, në Fan të Mirditës, ku zjarri është aktiv dhe rrezikon të afrohet në lagjen Gështenjë dhe në lagjen Karaq. Në terren po punojnë forcat e Armatosura, zjarrfikës e të shërbimit pyjor, për të bërë të mundur frenimin e vatrës, e cila duket mjaft e vështirë. Në fshatin Munellë si pasojë e erës së fortë zjarri është riaktivizuar dhe po zbret drejt fshatit Domgjon. 

 Vatra aktive është edhe në fshatin Patalej, në Mirditë , ku zjarri vijon në sipërfaqe me shkurre.

Situata është drejt përmirësimit në më shumë se gjysmën e sipërfaqes së prekur nga flakët në zonën e Krushovës në Voskopojë, ndërsa po punohen me intensitet në vatrën aktive në Gjonomadh, ku është prekur një sipërfaqe me ah dhe lajthi. Një tjetër vatër është njoftuar në kodrat në afërsi të fshatit Leshnjë, po në Korçë, ku janë djegur rreth 1 ha shkurre, por flakët mbeten larg banesave. Forcat zjarrfikëse po punojnë në mënyrë që të mos preket masivi me pisha.

Një vatër zjarri është raportuar në vendin e quajtur Qafa e Tërkuzit në pjesën e Republikës te Malit të Zi, në afërsi të kufirit tonë,  e cila po ndiqet me vëmendje.

Vatra të reja janë raportuar edhe në fshatin Shetaj në Ishëm të Durrësit, pa rrezik për banesat si dhe një vatër në zonën Guri  i Nikës, pjesë e zonave të Mbrojtura në bashkinë e Pogradecit, e cila po monitorohet nga punonjësit e Agjencisë së zonave të Mbrojtura.

Tashmë është drejt shuarjes zjarri në fshatin Corrush në Mallakastër, zjarri në fshatin Bogë në Shkodër, është izoluar vatra në Parkun e Tomorrit në Berat. Ndërsa ka një riaktivizim zjarri në Zogas të Skraparit, ku forcat po vijojnë punën për mbajtjen nën kontroll. U shua totalisht vatra e zjarrit në fshatin Lukan në Dibër.

Në fshatin Hajdaraj,  në Kavajë u raportua një zjarr në shkurre, i cili nga era mori përmasa të menjëhershme, duke rrezikuar banesat që ndodheshin në fshat.  Por u sigurua në kohë evakuimi i banorëve dhe situata është nën kontroll.

Në ndjekje është edhe një vatër zjarri e raportuar në një zonë me pemë dushku, në  fshatin Fanjë, në bashkinë Prrenjas, e cila ndodhet në terren të vështirë.

Ora 17:48
Problematike situata nga zjarret në Mirditë, flakët i afrohen tunelit të Kalimashit

Vijon të mbetet problematikë situata e krijuar nga zjarret në Mirditë.

Që prej ditës së premte zjarri vijon të jetë aktiv në malin e Munelles, por me problematik mbetën vatrat e zjarrit pranë rrugës së Kombit në Thirre ku duken qartazi që flakët po afrohen drejt tunelit të Kalimashit.

Pavarësisht ndërhyrjeve që janë kryer me mjete rrethanore, nuk është arritur që të shuhen flakët.

Ora 17:37
Izolohet një vatër zjarri në majën e Gjallicës në Kukës

Izolohet dhe është drejt shuarjes një vatër zjarri e shfaqur në afërsi të majës së Gjallicës në kufirin ndarës ndërmjet pyllit dhe kullotës brenda parkut natyror Korab-Koritnik. Edhe pse në terren mjaft të vështirë dhe 4-5 orë larg rrugës automobilistkie stafi i AdZM Kukës në bashkëpunim me disa banorë të njësisë administrative Shtiqën dhe Shërbimin Zjarrfikës të Bashkisë Kukes arritën të izolojnë në kohë vatrën e zjarrit e cila mund të kishte përmasa shumë të mëdha dhe të dilte jashtë kontrollit nëse ndërhyrja nuk do ishte e menjëhershme.

Sipas Shrabit te Mbrojtjes nga Zjarri dhe Emergjencave te Bashkise Kukës po punohet për shuarjen e plotë të saj  ku shkalla e vështërsisë është shumë e madhe. Vatra e zjarrit në Luginën e Valbonës në terren shkëmbor është pothuajse e fikur plotësisht.

Ora 17:15
Situata kritike me zjarret, ministri i Mbrojtjes në Kosovë: Jemi gati të ndihmojmë Shqipërinë

Ministri i Mbrojtjes të Kosovës, Armend Mehaj, bën me dije se Ushtria e Kosovës dhe emergjencat civile janë të gatshme që të ndihmojnë Shqipërinë në luftën me zjarret.

Me anë të një njoftimi në rrjetet sociale, Mehaj shkruan se Kosova mund të ndihmojë me forca dhe mjete Shqipërinë në luftën me flakët që po përballet ditët e fundit.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat Ushtrisë së Kosovë janë gati për të ndihmuar Shqipërinë, Presidentin Ilir Meta dhe ministrin Niko Peleshi, në çdo kohë për të lehtësuar situatën nga zjarret ! Kosova qëndron me ju dhe do ta mbështesë përgjithmonë Shqipërinë”, shkruar ministri.

Ora 16:12
Vatër zjarri edhe në Pogradec, përfshihet nga flakët masivi pyjor në zonën e Mokrës, terreni i vështirë për të ndërhyrë

Një tjetër vatër zjarri është shfaqur në vend! Zjarri ka përfshirë masivin pyjor të Ahishteve në zonën e Mokrës në Pogradec e njohur si Guri i Nikës. Drejt vendngjarjes janë nisur punonjës të zonave të mbrojtura dhe emergjencat. Ndërhyrja vetëm me mjete rrethanore pasi  zona është terren malor dhe i thyer.

Ora 15:52
Situata kritike nga zjarret në Vlorë, flakët i afrohen Pakut të Llogarasë, helikopteri për shuarjen e vatrave punon vetëm dy orë

Situatë kritike nga zjarret në malin e Karaburunit. Zjarret janë afruar Parkut të Llogorasë, dhe po luftohet fort nga toka , por është e pamundur shuarja e flakëve, megjithëse edhe helikopteri ka bërë disa rrugë duke hedhur ujë.

Punonjësit e zjarrfikësve, të zonave të mbrojtura, banorë të zonës, por dhe ushtarë të FA , e kanë të pamundur për shkak të terrenit tepër të vështirë për të ndërhyrë.

Banorët e fshatit të Dukatit shprehen se kjo situatë është për shkak të neglizhencës nga ana e strukturave përkatëse, pasi helikopteri punon dy orë dhe ikën, ndërkohë që duhet të ishte dhe helikopteri tjetër për ta zëvendësuar.

Sakaq të gjithë punonjësit që ndodhen në mal ne pamundësi për të vepruar dhe të lodhur nga temperaturat e larta nuk po veprojnë për shuarjen e zjarrit pasi është e pamundur.

Ora 13:35
Flakët në Kukës, rrezikohen banesa në fshatin Shemri, merren masa për evakuim! Pritet ndihma nga Kosova

Në Kukës vijojnë flakët në vatrën e zjarrit, e cila e ndihmuar edhe nga era rrezikon lagjen Leproj në fshatin Shemri.

Janë marr masat e evakuimit të banorëve bashkë me bagëtitë në raste se arrin zjarri në lagje.

Kukës vijon operacioni për shuarjen e zjarreve nga toka dhe ajri, ndihmë edhe nga Kosova, me kërkesë të kryetarit të Bashkisë Kukës Safet Gjici  pritet ardhja e forcave ndihmëse të ushtrisë dhe zjarrfikës nga Kosova.  

Ora 13:24
Digjen 100 hektarë pisha dhe pyje të Voskopojës, izolohen vatrat e zjarrit

Situata në Voskopojë është drejt normalizimit, ku 100 trupa në terren prej orës 5 të mëngjesit kanë bërë të mundur që të izolojnë vatrat e zjarrit, që janë drejt shuarjes në pyjet e Krushovës.

Sipas drejtorit të shërbimit zjarrfikës Koço Cicko  dhe Deputetit Ardit Konomi është bërë një punë shumë e madhe referuar terrenit mjaft të vështirë në zonë për shkak të bimësisë së lartë që e bënte të vështirë ndërhyrjen.

Pyjet e djegura i përkasin llojit pishë dhe dëmi i shkaktuar është i madh, çka nënkupton se do të duhen vite e dekada për t’u ripërtërirë. Ndërkohë e gjithë dinamika i çon autoritetet në zjarrvënie të qëllimshme ndaj edhe policia është në terren për të gjetur autorët e zjarrit.

Ora 12:16
Zjarri në Surroj të Kukësit, tymi mbulon zonën! Nis ndërhyrja e helikopterit

Zjarri vijon të jetë aktiv në Qaf Kumbull afër staneve te fshatit të Surrojit në Kukës. Tymi i vatrës së zjarrit në fshatin Trull ka mbuluar malin e Gjallicës, ndërsa situata është e rrezikshme pasi flakët janë të mëdha dhe favorizohen nga era. Në këtë vatër ka nisur edhe ndërhyrja e helikopterit.

 

Ora 10:06
Situata e zjarreve në vend, Ministria jep informacionin e detajuar: Në Dukat ka rrezik për Llogoranë, ka nisur puna nga ajri! Situata kritike edhe në Kalimash

1628496660_karaburun.jpg

Në vend vijon të ketë disa vatra zjarri janë ende problematike kur kanë kaluar ditë operacionesh në terren. Ministria e Mbrojtjes ka dhënë informacionin zyrtar dhe ka bërë me dije se vtë jetë aktive vatra e zjarrit në fshatin Dukat i Ri, në Gadishullin e Karaburunit, e cila paraqitet rrezikshmëri, pasi ka përhapje në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogorasë. Prej orëve të para të mëngjesit ka rinisur operacioni edhe nga ajri.

Vatra tjetër kritike është ajo në Majën e Rrunës, mbi tunelin e Kalimashit, ku ka vijuar puna për mbajtjen nën kontroll, në mënyrë që flakët të mos kërcënojnë banesat. Në fshatin Thirrë në Fan të Mirditës zjarri nuk paraqet rrezik për banesa, ndërsa po vijon puna për shuarjen e tij. Zjarri në fshatin Munellë-Domgjon është izoluar në njërin krah, por po vijon puna në krahun tjetër, ku ende ka prani flakësh.

Prej ditës së djeshme po punohet për shuarjen e flakëve në masivin me pisha në fshatin Krushovë, në njësinë administrative Voskopojë. Prej orëve të para janë shtuar forcat e ndërhyrjes nga FA, zjarrfikësit si dhe struktura të tjera të bashkisë Korçë e bashkive fqinje.

Situatë e vështirë zjarri ka qenë dje, në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, bashkia Mirditë. Sot vazhdon zjarri në shkurre, ndërsa janë shtuar forcat operacionale.

Në fshatin Corrush në Mallakastër janë izoluar dy vatra, por puna vijon për izolimin e flakëve në tre vatra të tjera aktive, të cilat janë në terren të vështirë.

Në fshatin Bogë, njësia administrative Shkrel është aktivizuar një vatër zjarri mbrëmjen e djeshme. Nuk paraqet rrezik për banesat.

Një vatër zjarri është njoftuar në Parkun e Tomorrit në lartësinë mbi 1500 m, por situata po ndiqet nga forcat vendore.

Ora 09:07
Zjarri në Karaburun rrezikon Llogaranë, po ndërhyhet me helikopter! Nën kontroll vatra në Dukat

Për të 15 ditë me radhë në Karaburun vijojnë të digjen pyjet dhe pemët shekullore, ku situata paraqitet me rrezikshmëri të lartë në zonën e quajtur Gropat e Pirit. Zjarri në këtë zonë paraqet një rrezikshmëri të lartë pasi rrezikon edhe parkun kombëtar të Llogarasë. Janë 300 forca që janë ngjitur ne orët e para të mëngjesit në malin e Karaburunit dhe pikërisht tek vendi i quajtur Gropat e Pirit, ku është një masiv pyjor me pemë shekullore i cili lidhet me Llogaranë.

FA, zjarrfikës të Vlorës, ADZM, prefektura por dhe banorë të Dukatit janë duke u ngjitur në mal për fikjen e zjarreve të ndihmuar edhe nga helikopterët.

Ndërsa zjarri mbi fshatin Dukat është vënë nën kontroll dhe nuk përbën rrezik.

/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tuneli: 09/08/2021 22:22

    Një pemë mban nga 100 L ujë dhe një sasi dheu 100kg deri në 500 apo 1000 litra ujë apo përzierje me dhé pra varet nga madhësia trungut pemës, djegia e këtij masivi duhet të zevëndësohet në vjeshtë pasi qëllim ka patur erozionin e malit ku ndodhët nën të tuneli per te dhënë jo sot por ne vazhdim efekt domino edhe tek tuneli në bllokim , këto pika kyqe zakonisht edhe ne kohë lufte goditen pikat e lidhjes (pra urat, tunelet, sistemet e furnizimit me ujë) duhet një kujdes për të filtruar kush i bën këto ndërhyrje (me dashje) të shpallet tradhtar kombit ose non grata dhe të debohet nga vendi , një plehrë me pak pasi nje masiv me pyje është plot 300-400 vjeçar dhe nuk ja ka trashëguar as babai as gjyshi por janë pasuri kombëtare ! Edhe diçka media jep vetëm info padobishme, nuk jep info rreth kulturës mbrojtjes nga zjarri, lagies trupit përpara futjes ne ujë etj etj me pak fjalë nuk do ta vrase njeri mendjen sespe populli është babëzitur atje lart per interesa vetjake dhe kushdo qe vjen mendon per karrike !

    Përgjigju
  • Shteti: 09/08/2021 21:14

    Ku jane keta shtetarucët tane, keta hajdutet e te droguarit qe drejtojne shtetin se po degjoj vetem safet mish gjicin qe po na thote thagmen e radhes qe situata eshte e rende? Nese jane te qellimshme ku eshte shteti ti veri para pergjegjesise ti ndjeki kemba kembes apo po bejne roje neper parcelat e çajit te malit

    Përgjigju
  • Trnakop Kacija: 09/08/2021 21:13

    E ai Kryqi mbi tunel a spo ndihmon jo - hahahahaha.

    Përgjigju
  • Ida: 09/08/2021 09:59

    Është për të ardhur keq sesi njerëzit i vënë flakën vet vendit të tyre.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë