Skandal i Emergjencave Civile për reagimin e zjarreve në vend! Në një kohë kur Vlora ndodhet nën 'pushtetin' e flakëve prej disa ditësh, por kjo nuk shqetëson aspak kreun e Emergjencave Civile Haki Çako, i cili nuk ka denjuar të ndërpresë pushimet e tij edhe pse situata është kritike. Vendi ynë prej ditësh po përballet me disa vatra zjarri nga veri në jug, ndërsa ato më problematike vijojnë të jenë në Tragjas dhe Karaburun të Vlorës, por duket se kjo gjë nuk shqetëson aspak Haki Çakon, i cili as nuk ka ndërprerë pushimet dhe as nuk ka reaguar në lidhje me situatën emergjente.

'Report Tv' është interesuar më shumë se një herë për të patur një reagim nga Kreu i Emergjencave Civile në lidhej me situatën e rëndë, por nuk e ka marrë një të tillë, kjo për faktin e thjeshtë se Çako nuk ka preferuar të ndërpresë pushimet, qoftë edhe për disa minuta duke fikur telefonin.

Pavarësisht se parandalimi i përhapjes së flakëve ishte e pamundur të bëhej vetëm me ndërhyrjen nga toka, Haki Çako kishte mbyllur 'në garazh' helikopterët duke ikur me pushime duke ia 'dorëzuar'  Vlorën 'pushtetit' të flakëve. Pas më shumë se 10 ditësh dhe kërkesave të shumta të zjarrfikësve dhe prefektit të Vlorës, vetëm dje është shfaqur një helikopter që ka nisur ndërhyrjen nga ajri, një reagim tepër i vonuar që çoi edhe më tej përkeqësimin e situatës.

Ky skandal me drejtuesin e emergjencave Civile ka nxitur edhe reagimin e kreut të KLSH-së, Arben Shehu, i cili i bën thirrje të kthehet në detyrë dhe të merret me përballimin e situatës së rënduar nga zjarret si dhe të lejojë kontrollet e KLSH në të gjitha strukturat e Emergjencave CIvile. 

KLSH më 30 korrik nisi kontrollin ndaj strukturave që menaxhojnë shuarjen e zjarreve, por duket se kjo është refuzuar nga Emergjencat Civile. Vetë KLSH shprehet se ka marrë nga Emergjencat Civile përgjigjen se "Drejtori i emergjencave Civile Haki Çako është me pushime deri në datën 9 gusht dhe KLSH nuk mund të auditojnë në institucion pa u kthyer drejtori i përgjithshëm".

Kryetari i KLSH ,Arben Shehu i ka bërë thirrje Haki Çako që të kthehet në detyrë për shuarjen e vatrave të  zjarreve sepse situata është problematike si dhe te mos bllokojë kontrollin në institucionin e tij.

"Në një kohë që në të gjithë Shqipërinë zjarri ka shkaktuar dëme të shumta,dhe për shuarjen e vatrave të zjarrit janë angazhuar jo vetëm institucione por edhe qytetarë të thjesht, kreu i emergjencave Civile Haki Çako vazhdon pushimet", thotë Shehu

Prej disa ditësh situata e zjarreve vijon të mbetet kritike në Vlorë, ku Karaburuni është ndër më problematiket për shkak të terrenit të vështirë dhe erërave të forta. Në të prej 2 ditësh po ndërhyrjet nga ajri me një helikopter, por ende flakët nuk mund të kontrollohen. Aktualisht vatra aktive zjarri në Vlorë ka edhe në kodrat e Radhimës dhe në Malin e Kuçit dhe Tragjas. Agravimi i situatës ka ardhur si pasojë e vonesës për ndërhyrje nga ajri.