Zjarret masive që kanë përfshirë jugperëndimin e Francës kanë qenë aq intensive, sa kanë krijuar një stuhi të fuqishme të gjeneruar nga vetë flakët. Ky fenomen i rrallë është parë më parë te megazjarret që godasin SHBA-në dhe Kanadanë, por në Francë nuk ishte regjistruar kurrë më parë. Për ekspertët, kjo është vetëm një nga shenjat se Evropa po hyn në një epokë të re të zjarreve.

Evropa ka pasur gjithmonë zjarre në pyje, por ato po bëhen gjithnjë e më ekstreme, ndërsa kriza klimatike po përkeqësohet. Zjarrfikësit në Francë dhe Spanjë po përballen me flakë shumë më të egra dhe më të paparashikueshme se çdo gjë që kanë hasur më parë.

Kjo vjen pas sezonit rekord të zjarreve vitin e kaluar në Evropë. Sipas ekspertëve, kontinenti po i bashkohet një liste gjithnjë e më të gjatë rajonesh, nga Siberia deri në Amazonë, që tashmë përballen me sezone ekstreme zjarresh njëri pas tjetrit.

“Ne kemi hyrë në epokën e zjarreve që nuk mund të shuhen,” tha Víctor Resco de Dios, pedagog i inxhinierisë pyjore dhe ndryshimeve globale në Universitetin e Lleidës në Spanjë. “Janë zjarre që digjen me intensitetin e disa bombave atomike.”

Zjarret në Francë kanë djegur tashmë mbi 116 mijë hektarë tokë, rreth 290 mijë akra, duke u bërë më të mëdhenjtë e regjistruar ndonjëherë në vend. Ndërkohë, sezoni i zjarreve ka ende disa muaj përpara.

“Situata me të cilën përballemi sot është më e vështira që kemi regjistruar ndonjëherë, më e rënda që nga Lufta e Dytë Botërore,” tha presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një vizite në Bordo të hënën. Ai i cilësoi zjarret si “plotësisht të paprecedenta”.

Një nga shembujt më të dukshëm ishte shfaqja e reve të zjarrit, të njohura si “pyrocumulonimbus”, të cilat u formuan gjatë fundjavës në rajonin e Gironde, pranë Bordosë, sipas autoriteteve zjarrfikëse.

Këto re krijohen kur zjarret shumë intensive prodhojnë një kolonë ajri jashtëzakonisht të nxehtë, e cila ngrihet me shpejtësi drejt shtresave më të ftohta të atmosferës dhe kondensohet në re të mëdha stuhie. Ato mund të krijojnë erërat, reshjet dhe rrufetë e tyre, duke i kthyer flakët në stuhi zjarri që ushqehen vetë dhe bëhen shumë të paparashikueshme.

Foto: Pamje satelitore të resë së tymit në jugperëndim të Francës

Ky fenomen është dokumentuar mirë në Australi, Kanada dhe SHBA. Zjarret në Los Anxhelos në vitin 2025 krijuan madje edhe një tornado zjarri, të njohur si “firenado”. Në Evropë, megjithatë, raste të tilla janë shumë të rralla.

Qendra Evropiane për Parashikimet Afatmesme të Motit (ECMËF) tha se ende nuk mund të konfirmojë nëse ky ishte rasti i parë i një “pyrocumulonimbus” në Francë.

“Megjithatë, nëse konfirmohet, zhvillimi i tij do të nxjerrë në pah intensitetin e jashtëzakonshëm të zjarrit aktual dhe kushtet e pazakonta atmosferike në të cilat ai po digjet,” tha Francesca Di Giuseppe, koordinatore e parashikimeve të zjarreve në ECMËF.

Edhe përmasat e zjarreve janë të pazakonta, thonë ekspertët. Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha në Francë dhe Spanjë, ndërsa të dy vendet kanë kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian.

“Një krizë e sinkronizuar zjarresh në disa vende njëkohësisht është e rrallë në Evropë,” tha Stefan Doerr, drejtor i Qendrës për Kërkimin e Zjarreve në Universitetin Sëansea në Uells.

Foto: Helikopter zjarrfikës në provincën Avila në Spanjë

Zjarret po afrohen pranë qyteteve të mëdha, përfshirë një zjarr që ka përshkuar provincën malore të Avilës, në perëndim të Madridit, dhe që sipas autoriteteve është bërë më i madhi i regjistruar ndonjëherë në Spanjë.

“Ajo që është e pazakontë është numri aktual i zjarreve shkatërruese: zjarre që përhapen me shpejtësi, tejkalojnë kapacitetet e zjarrfikësve dhe detyrojnë komunitetet të evakuohen,” tha Guillermo Rein, profesor i shkencës së zjarrit në Imperial College London.

Deri tani, më shumë se 300 mijë njerëz janë evakuuar në të dy vendet.

Ekspertët thonë se shuarja e plotë e zjarreve të kësaj përmase është pothuajse e pamundur derisa të mbarojë materiali që digjet ose të bien reshje të vazhdueshme shiu, pavarësisht numrit të madh të forcave të angazhuara.

“Në Australi, në disa pjesë të SHBA-së dhe Kanadasë ekziston një pritshmëri dhe pranim i përgjithshëm se disa zjarre dalin jashtë kontrollit,” tha Doerr. “Në Evropë ende mbizotëron ideja se zjarre të tilla mund të parandalohen plotësisht.”

Pse këto zjarre janë kaq masive?

Çdo zjarr është i ndryshëm dhe ndikohet nga shumë faktorë, përfshirë menaxhimin e tokës, relievin dhe burimet e zjarrfikësve. Megjithatë, sipas shkencëtarëve, moti ekstrem, i përkeqësuar nga ndryshimet klimatike, ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka nxitur zjarret në Evropë.

Ngrohja globale po sjell luhatje gjithnjë e më të forta mes periudhave shumë të lagështa dhe shumë të thata. Ky është i ashtuquajturi “efekti i kamxhikut”, tha Mattheë Jones, studiues në Shkollën e Shkencave Mjedisore të Universitetit të East Anglia në Angli.

Dimri i kaluar ishte jashtëzakonisht i lagësht në Francë dhe Spanjë, duke nxitur rritje të madhe të bimësisë. Më pas moti ndryshoi. Që nga maji, Evropa Perëndimore është goditur nga një seri valësh të forta të të nxehtit, të cilat thanë peizazhin.

“Kjo nxehtësi ishte ‘goditja e kamxhikut’ në efektin e kamxhikut, duke e kthyer atë bimësi të dendur në lëndë shumë të ndezshme,” tha Jones.

Ndërsa Franca dhe Spanja përgatiten për valën e katërt të të nxehtit këtë verë, ekziston frika se situata mund të përkeqësohet edhe më shumë.

“Skenarë danteskë”

Autoritetet kanë paralajmëruar se mund të duhen muaj për t’i shuar plotësisht zjarret aktuale, por pasojat e tyre do të zgjasin shumë më tepër.

Tymi i dendur dhe ajri i ndotur që krijojnë këto zjarre janë të dëmshëm për shëndetin. Vlerësohet se ndotja nga zjarret shkakton më shumë se 100 mijë vdekje në mbarë botën çdo vit.

Foto: Zjarret në Le Porge, jugperëndim të Francës

Ka edhe pasoja ekonomike. Zjarret po zhvillohen pranë qyteteve të mëdha evropiane, duke prekur zona turistike, rajone të njohura për prodhimin e verës dhe qendra të rëndësishme të mbrojtjes.

Mbi të gjitha, ato mund të ndryshojnë marrëdhënien e njerëzve me tokën ku jetojnë, ndërsa përballen me kërcënimin e vazhdueshëm të zjarreve që dalin jashtë kontrollit.

Shkencëtarët thonë se në të ardhmen duhet të presim që zjarret, si në Evropë ashtu edhe në pjesën tjetër të botës, të bëhen më të shpeshta dhe më ekstreme, për sa kohë njerëzit vazhdojnë të djegin lëndë djegëse fosile dhe të rrisin temperaturat globale.

“Është e vështirë të parashikohet se deri ku mund të shkojnë gjërat,” tha Resco de Dios. “Së shpejti nuk do të mund të përjashtojmë më skenarë danteskë si ata që janë parë në Kaliforni ose Australi, me zjarre ose komplekse zjarresh që arrijnë qindra mijëra hektarë apo edhe një milion hektarë.”/CNN