Zjarri i Elbasanit/ Himçi: Zjarri u vu me urdhër të kryebashkiakut të Elbasanit, me qëllim vjedhjen, SPAK të hetojë! Xhafa: Metalurgjik i dytë dhe katastrofë, qeveria ka dështuar

Kreu i PD Elbasan, Himçi dhe deputeti i zonës, Xhafa, sot duke folur për situatën te fusha e mbetjeve

Zjarri në afërsi të inceneratorit të Elbasanit, në landfillin ku ndodhet vendgrumbullimi i mbetjeve, ka krijuar jo vetëm ndotje mjedisore dhe erë të padurueshme, por edhe rrezikun për jetët e banorëve që jetojnë në këtë zonë.

Në vendngjarje kanë shkuar edhe përfaqësues të opozitës lokale, kryetari i PD, Bledi Himçi, deputeti i zonës Qani Xhafa dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak. Himçi akuzoi drejtpërdrejtë kryebashkiakun Gledjan Llatja si autor dhe urdhërues të zjarrvënies, me qëllim siç tha ai, mbulimin e vjedhjeve që po ndodhin aty. Ai i kërkoi SPAK-ut që të hetojë edhe gjendjen e inceneratorit dhe zyrtarët vendorë, duke hedhur dyshime se makineria është e amortizuar dhe nuk është blerë e re, pasi punoi vetëm për 3 muaj.

“Kjo zjarrvënie është e qëllimshme, e vendosur nga vetë Bashkia Elbasan. Padiskutim është vendosur ditë të shtune, kur institucionet janë pushim, mediat janë pushim në përgjithësi, që të kishte sensibilizim sa më të pakët. U vendos në mes të natës, ku temperaturat janë më të ulëta sesa gjatë ditës, jemi në periudhë vjeshte, ku s’ka temperatura të larta. Pra jemi para një zjarrvënie të qëllimshme. Kjo zjarrvënie është caktuar me urdhër të posaçëm të kryetarit të Bashkisë Elbasan, por edhe nga instanca të tjera. Dhe që duan të mbulojnë vjedhjen që ndodh çdo ditë në incenerator, inceneratori ka punuar vetëm 3 muaj, e gjatë gjithë kohës që ne flasim kjo fushë është kthyer në venddepozitim, pra në landfill të mirëfilltë. Mali me plehra ka marrë përmasa dhe për të ulur sasinë e mbetjeve i vihet flaka”, tha Himçi.

Më tej ai kujtoi edhe shpenzimet apo paratë që harxhohen nga taksat e qytetarëve, duke kërkuar ndërhyrje dhe hetim të të gjithë përgjegjësve. Gjithashtu kujtoi se paguhet për incenerim, por aty ka vetëm landfillim (grumbullim mbetjesh)

“Sot i gjithë Elbasani është gdhirë nën ajrin toksik të këtyre mbetjeve. Askush s’ia ka për borxh, kur qytetarët elbasanas paguajnë 25 euro për ton dhe e paguajnë për incenerim, kurse këtu ka vetëm landfillim (grumbullim). Kjo është vjedhje e hapur, ku shkojnë gjithë ato lekë, ndaj digjen sot këto plehra, për të justifikuar bashkëpunimin që bëhet gjoja në emër të një inceneratori që s’punoi kurrë, inceneratori fantazëm. Sigurisht ka shumë çështje penale në SPAK për inceneratorin, por vjedhja vazhdon akoma më shumë dhe nuk është më në nivelin e vjedhjes së ministrit të atëhershëm, sot vjedhja është maksimale, ku janë përfshirë shumë e shumë njerëz. I bëj thirrje SPAK-ut të nisi një hetim kryesisht, pikërisht për këtë gjë. Situata këtu është skandaloze, jemi para një krimi mjedisor, vjedhjeje të madhe, megavjedhje që i ndodh jo vetëm bashkisë së Elbasanit, por edhe të tjerave, që edhe ato paguajnë 25 euro për tonë për incenerim, kur incenerim nuk ka”, shpjegoi kreu i PD-së.

Himçi ngriti edhe shqetësimin se inceneratori nuk ishte blerë i ri, teksa kujtoi se edhe banorët nuk dalin të progtestojnë dhe ankohen, pasi është krijuar neodiktaturë dhe kanë frikë, kurse shqetësimet e tyre të përsëritura në rrugë zyrtare janë injoruar vazhdimisht nga kryebashkiaku.

“Ne këtë çështje e kemi ngritur në çdo mbldhje të Këshillit Bashkiak, por gjithmonë ka kaluar me shmangie, me batuta nga ana e kryetarit të bashkisë, se do vihet sot, do vihet nesër në ndezje inceneratori, ka ndodhur një problem teknik. Ai duhet të ishte brenda garancive, duhet të kishte minimalisht 5 vite garanci, por prishet pikërisht 3 muaj pasi nis incenerimi. A jemi para një inceneratori të amortizuar dhe nuk është blerë i ri? Dhe kjo nuk është sqaruar as nga SPAK, as nga kryeministri Rama, a është blerë i ri ky incenerator? U ble i ri, apo i përdorur dhe u vendos këtu si një gërmadhe e madhe gjoja për incenerim, por ku ka vetëm landfillim dhe vjedhjet ndodhin dhe janë duke ndodhur. Këtu nuk ka as punonjës të bashkisë dhe as banorë të zonës, nuk i shikojmë. Aq shumë ia kanë fut frikën qytetarëve sa nuk dalin të kërkojnë të drejtat e tyre, jemi para një neodiktature”, përfundoi Himçi.

Kurse deputeti Xhafa theksoi se edhe shqetësimet e tij, si ai i ditës së djeshme në Komision ku diskutohej për buxhetin, ishin injoruar.

“Jo më larg se dje kam pasur një debat me ministren Mirela Kumbaro në Komision jo vetëm për inceneratorin e Elbasanit. Edhe për atë të Fierit dhe atë imagjinar të Tiranës. Qeveria shqiptare ka dështuar me mbetjet, sepse është vetë mbetje që duhet të largohet një orë e më parë nga qeverisja e vendit, pasi nuk ka çfarë jep më. I bëra thirrje ministres posaçërisht për këtë temë meqë kishim edhe buxhetin, që inceneratori ishte i viteve 70-të dhe dihej që kur u ble se është kthyer në një problem, në një metalurgjik të dytë për këtë zonë. Kurse ajo flet për shifra turistësh, kur po ikin këta turistët këtu. I bëj thirrje kryeministrit Rama që të gjejë zgjidhje, sepse me inceneratorët ka dështuar”, tha ligjvënësi demokrat.

Më tej propozoi që këto landfille të zhvendoseshin në vende të tjera, sepse po krijojnë katastrofa mjedisore e gjithashtu kërkoi hetime nga prokuroria për kryebashkiakun Llatja dhe administratorin e inceneratorit.

“Të gjendet vend i përshtatshëm, të hiqet që këtu apo në Fier e Elbasan, larg qendrave të banuara, siç e ka gjithë bota dhe të kthehet në landfillim, sepse këtu kemi një katastrofë mjedisore. Për më tepër që skrapata e këtij vendi është në lumin Shkumbin dhe e kam paralajmëruar disa herë një katastrofë të rëndë mjedisore. I bëj thirrje Prokurorisë së Elbasanit të hetojë, sepse këtu po ndodh vjedhje, këtu harxhohet naftë, rroga, mjete. Prokuroria të marri nën hetim kryetarin e Bashkisë së Elbasanit dhe administratorin e inceneratorit, pasi kudo ku ka punuar ai, vetëm dëme i ka sjellë Elbasanit”, përfundoi deputeti.


Lajmi kryesor:

Elbasan/ Përfshihet nga flakët fusha e mbetjeve të Inceneratorit, tymi dhe era e keqe pushtojnë zonën! PD: E qëllimshme! Policia: Aksident (VIDEO)


A.Q/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë