Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë fshatin Vranisht, në bashkinë Himarë, që prej orës 12:00 të mesditës së sotme. Flakët janë përhapur me shpejtësi në terren, të favorizuara nga era, duke marrë drejtim në zona të tjera dhe duke krijuar vështirësi për ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Për situatën, autoritetet kanë ndaluar një një person për zjarrvënie të qëllimshme. 

Forcat zjarrfikëse të Himarës kanë nisur menjëherë punën për izolimin e vatrave dhe vënien nën kontroll të flakëve. Për shkak të përmasave të zjarrit dhe terrenit, në operacion është kërkuar edhe ndërhyrja nga ajri e një helikopteri të Forcave të Armatosura, i cili ka nisur ndërhyrjen për shuarjen e flakëve. Ndërkohë, pritet të mbërrijë edhe një helikopter i dytë si dhe një avion tip Air Tractor  për t’iu bashkuar operacionit dhe për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së zjarrit.

Situata vijon të monitorohet nga strukturat në terren, ndërsa përpjekjet janë përqendruar në izolimin e vatrave të zjarrit dhe mbrojtjen e zonave të banuara. Era e fortë mbetet një prej faktorëve që favorizon përhapjen e flakëve, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen. 

Forcat zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencave vijojnë punën në terren, ndërsa ndërhyrja nga ajri pritet të ndihmojë në vënien sa më shpejt nën kontroll të situatës. 


Lajmi kryesor:

Zjarret, 7 vatra aktive! Flakët rrezikojnë disa banesa në Vranisht të Vlorës, ndërhyhet nga ajri, një i shoqëruar për zjarrëvënien (VIDEO)