Kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako, ka reaguar për zjarrin e rënë mbrëmjen e sotme në zonën e Shën Pjetrit në Gjirin e Lalzit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Sako ka shkruar se për arsye sigurie dhe për të garantuar jetën e qytetarëve, është kryer menjëherë evakuimi i plotë i të gjithë personave që ndodheshin në një kompleks turistik dhe në një banesë private pranë zonës së rrezikut.

Po ashtu, Sako u ka bërë thirrje qytetarëve dhe vizitorëve në zonë të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme drejt zonës së prekur nga zjarri.

Reagimi i Sakos:

Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë zonën e Shën Pjetrit në Gjirin e Lalzit. Përhapja e shpejtë e flakëve është favorizuar edhe nga era e fortë.

Strukturat zjarrfikëse të Bashkisë Durrës dhe ato të emergjencave kanë ndërhyrë menjëherë në terren dhe prej disa orësh po vijojnë operacionin intensiv për vënien nën kontroll të situatës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.

Për arsye sigurie dhe për të garantuar jetën e qytetarëve, është kryer menjëherë evakuimi i plotë i të gjithë personave që ndodheshin në një kompleks turistik dhe në një banesë private pranë zonës së rrezikut.

Në këtë operacion masiv janë angazhuar kapacitete të shumta njerëzore dhe logjistike në nivel rajonal e kombëtar. Forcat operative në terren përbëhen nga:

• Bashkia Durrës (MZSH): 4 mjete zjarrfikëse dhe 1 autobot.

• Ndërmarrjet e Bashkisë Durrës: 3 autobote mbështetëse.

• Bashkia Tiranë (MZSH): 2 mjete zjarrfikëse dhe 1 autobot.

• Bashkia Shijak (MZSH): 1 mjet zjarrfikës.

• Bashkia Kavajë (MZSH): 1 mjet zjarrfikës.

• Bashkia Kamëz (MZSH): 1 mjet zjarrfikës.

• Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC):

3 mjete zjarrfikëse dhe 40 forca të nisura në mbështetje.

Operacioni mbetet i vështirë për shkak të shtrirjes së gjerë të flakëve, por ekipet operacionale po punojnë pa ndërprerje për izolimin e plotë të vatrave. Bashkia Durrës, në koordinim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme, Mbrojtjen Civile dhe të gjitha shërbimet e emergjencës, po ndjek hap pas hapi situatën dhe mban në gatishmëri të plotë të gjitha kapacitetet e saj deri në normalizimin e plotë të situatës.

Ju bëjmë thirrje qytetarëve dhe vizitorëve në zonë të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme drejt zonës së prekur.


Lajmi kryesor:

Zjarr masiv në Gjirin e Lalëzit, evakuohen pushuesit nga një hotel! Flakët nën kontroll! Neutralizohet vatra pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë