TIRANE-  Zjarri që ra mbrëmjen e djeshme brenda në ambientet e burgut të Rrogozhinës është i qëllimshëm. Policia e Kavajës ka rrëzuar pretendimin e parë të Drejtorisë së Përgjitshme të Burgjeve që zjarri mund të ishte aksidental nga një cigare. 

Sipas policisë së Kavajës, nga këqyrja e kamerave rezulton se zjarrëvënësit në qelitë e burgut janë dy të dënuarit Ledion Gjoka dhe Jurgen Muçelliu. 

Të njëjtat burime siguruan se nuk kemi të bëjmë me një tentativë arratisjeje, por më tepër me një shfryrje inati pas një zënke.

Si pasojë e zjarrit u plagosën dhe u lënduan mbi 21 të dënuar dhe të paraburgosur, nga të cilët 3 u dërguan për ndihmë të specializuar mjekësore në repartin e Djegie plastikës në Qendrën Spitalore Nënë Tereza në Tiranë.

NE QSUT 3 TE BURGOSUR
50-vjeçari Arjan Habibaj ndodhet në spitalin e djegieve në QSUT, ku gjatë natës janë dërguar edhe 2 të dënuar të tjerë, Ilir Ndoni 26 vjeç, si edhe një 25-vjeçar i dënuar i cili nuk është regjistruar për shkak të qëndrimit të pakët të tij, pasi nuk kishte dëmtime serioze. Në spitalin e Rrogozhinës janë trajtuar me ndihmën e parë, dhe më pas janë larguar 20 të dënuar, ndërsa në spitalin e Kavajës, deri në mesditën e sotme vijonin të trajtoheshin me mjekim 17 të bugosur. 

ORA 11:00 ZJARRI NE BURGUN E RROGOZHINES, SHKAK NJE CIGARE
Një cigare e harruar ndezur nga një prej të dënuarve dyshohet se është shkaku i zjarrit që mbrëmjen e djeshme përfshiu burgun e Rrogozhinës

Dyshohet se zjarri ka rënë në qelinë e të burgosurit Arjan Habibaj, i cili pritej të lirohej nga burgu në 14 shkurt të këtij viti. 

Burime nga A1 Report thanë se fillimisht flakët kanë përfshirë dyshekun prej sfungjeri të shtratit të tij.
 
50-vjeçari nga Fieri është edhe personi që është më rëndë nga 21 të dënuarit që pësuan plagë nga djegiet dhe patën probleme serioze me frymëmarrjen.

Ai ndodhet në spitalin e djegieve në QSUT, ku gjatë natës janë dërguar edhe 2 të dënuar të tjerë, Ilir Ndoni 26 vjeç, si edhe një 25-vjeçar i dënuar i cili nuk është regjistruar për shkak të qëndrimit të pakët të tij, pasi nuk kishte dëmtime serioze. 

Zjarri mbrëmë në burgun e Rrogozhinës dëmtoi dy qeli, ndërkohë janë transferuar mbi 100 të dënuar. 

"Gjendja në IEVP Rrogozhinë është nën kontroll dhe në standardet e kërkuara të sigurisë. Nga ana e institucionit janë marrë masat për zhvillimin normal të aktiviteteve në IEVP Rrogozhinë, si dhe për të informuar familjarët e personave të paraburgosur. Me qëllim krijimin e kushteve optimale në sektorin e paraburgimit Rrogozhinë, 78 të paraburgosur janë transferuar përkohësisht në IEVP Peqin."- thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme e Burgjeve. 

Ajo thotë se zjarri ra dje rreth 20:35 në godinën 3 të Paraburgimit, sektori 3, dhoma 1.

"Po dje, është bërë i mundur dërgimi në spitalin e Kavajës i 21 personave të lënduar nga zjarri, kryesisht të asfiksuar nga tymi, ndër të cilët një i paraburgosur është dërguar për trajtim të specializuar në Tiranë dhe një tjetër në Spitalin Rajonal të Durrësit. Shtetasit e paraburgosur, që kishin nevojë për trajtim mjekësor, janë shoqëruar në spital nën masa të rrepta sigurie dhe është ndjekur hap pas hapi gjendja e tyre shëndetësore."- thuhet në njoftimin për shtyp e cila shton se  veprimet paraprake hetimore proceduriale janë kryer nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Drejtësisë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Aktualisht, po punohet për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit.
 
Redaksia online
(gxh/sg/shqiptarja.com)