Sipas burimeve nga fshati Hekal, flakët kanë rënë fillimisht pranë rrugës rurale që lidh Hekalin me Klosin, ku është përfshirë nga zjarri një sipërfaqe e mbjellë me ullinj.

Të favorizuara nga era e fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi në zona të mbuluara me bimësi të thatë. Zjarri arriti të depërtonte edhe në territorin e Parkut Arkeologjik të Bylisit, ku janë djegur shkurre.

Për shkak të terrenit të thyer, ishte e nevojshme ndërhyrja nga ajri me helikopter çka arriti të vendoste njëherë nën kontroll flakët, por për shkak të erërave të forta ata u riaktivizuan. Një ndërhyrje e dytë nga ajri ka arritur të neutralizojë zjarrin.

Sipas drejtorit të repartit zjarrfikës të Bashkisë Mallakastër, Mandi Aliaj, në operacion u angazhuan 8 automjete zjarrfikëse, dy autobote uji dhe mbi 40 forca, mes tyre edhe efektivë të Forcave të Armatosura.

Kjo ishte vatra e fundit dhe më e vështira për shkak të terrenit të thepisur, ndërsa aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka më rrezik për përhapjen e flakëve.