Klevis Jahaj, deputet i PS në Mallakastër, në një lidhje live për Report Tv ka zbuluar detaje nga operacioni për shuarjen e flakëve në vatrën e zjarrit në fshatin Riban të Mallakastrës, ku u rrezikuan përkohësisht edhe disa banesa të zonës.
Jahaj tha se aktualisht situata paraqitet e qetë, pa rrezikshmëri për jetën e qytetarëve apo pronat e tyre dhe ka përfunduar ndërhyrja me helikopter nga ajri. Sipas deputetit socialist, deri ditën e nesërme, situata do të mbahet nën monitorim nga forcat zjarrfikëse të bashkisë Mallakastër.
“Situata aktualisht paraqitet e qetë, është nën monitorim nga forcat zjarrfikëse të Bashkisë Mallakastër. Ka përfunduar ndërhyrja qoftë nga ajri, qoftë nga toka nga forcat zjarrfikëse që kanë ardhur në gatishmëri për të mbështetur bashkinë Mallakastër në këtë situatë. Situata do të mbahet nën monitorim gjatë natës, për të vijuar sërish në mëngjes operacionin për shuarjen e plotë të flakëve. Nuk paraqiten rrezikshmëri për njerëzit apo banesat e tyre. Nuk janë 15 banesa që janë evakuar, por ishin 3 të tilla, që janë kthyer sërish pranë banesave të tyre, sepse është shmangur gjithë rrezikshmëria që mund të kishte për të rrezikuar djegien e pronës së tyre, qoftë edhe jetën e qytetarëve. Ky është një lajm i rëndësishëm”, tha mes të tjerash Jahaj.
Më tej ai theksoi se ndërhyrja nga ajri dhe toka do të vijojë sërish mëngjesin e ditës së nesërme, për të bërë të mundur shuarjen e plotë të flakëve.
Jahaj tregoi gjithashtu se në operacionin për shuarjen e flakëve u bashkuar edhe forcat zjarrfikëse të bashkive të tjera të qarkut Fier, por edhe zjarrfikës të Beratit e Cërrikut.
“Pavarësisht vështirësive që kishte situata, u shmangën të gjitha dëmet që mund të shkaktoheshin. Gjithsesi situata është nën monitorim dhe do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme, me ndërhyrje nga ajri dhe këmbësoria, që do të priten nga zjarrfikësja e Bashkisë Mallakastër, për të bërë të mundur shuarjen e plotë të flakëve. Forcat zjarrfikëse janë alokuar në 2 vatrat brenda pyllit. Sot zjarri nisi në orët e para të mëngjesit. Ka pasur një reagim shumë të shpejtë nga zjarrëfikësit e Mallakastrës, por edhe të bashkive të tjera të qarkut të Fierit. U bashkangjitën në operacion edhe zjarrfikësit e Beratit dhe Cërrikut. Ka pasur një ndërhyrje të menjëhershme nga emergjencat kombëtare civile, duke shmangur agravimin e situatës, por edhe mos-rrezikimin e jetëve të njerëzve dhe banesave që ishin përreth pyllit”, shtoi Jahaj.
Lajmi kryesor:
Mallakastër, zjarri rrezikoi banesat në Riban! Evakuohen 15 familje, ndërhyhet me helikopter e avion! Policia: Hetime për zjarrvënie të qëllimshme, disa të shoqëruar (VIDEO)











