Hetimet për zjarrin që shkrumboi një ditë më parë tregun e fruta-perimeve duket se kanë ndryshuar rrjedhë. Ka dyshime se zjarri mund të jetë i qëllimshëm, por autorët ende nuk janë identifikuar nga policia.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në rrugë rezulton se rreth 30 minuta para se të shfaqeshin flakët, pranë tregut janë afruar tre persona.

Pas këtij momenti nuk ka pamje filmike të drejtpërdrejta të zjarrvënies, pasi tendat e vendosura nga tregtarët kanë penguar fushën e vëzhgimit të kamerave të sigurisë që gjenden brenda në treg.

Grupi hetimor dhe inspektorët vijojnë punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Ndërsa një ditë më parë, u dyshua se zjarri mund të ishte aksidental, shkaktuar nga shkëndija elektrike.

Ndërkohë, Bashkia e Lushnjës po përgatit një projektvendim për kompensimin e tregtarëve të dëmtuar, i cili pritet të paraqitet në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak.

Tregu i fruta-perimeve që menaxhohet nga bashkia ishte rikonstruktuar tre vite më parë, por siç duket mungonin masat e sigurisë për zjarrin.

Tregu frekuentohej nga rreth 150 tregtarë, të cilët do ta ushtrojnë aktivitetin e tyre në rrugën pranë tregut deri në riparimin e strukturës së dëmtuar.