Bashkia e Kolonjës ka bërë me dije se vatra e zjarrit në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjes dhe në afërsi me kufirin grek, është nën kontroll.
Në njoftim thuhet gjithashtu se në ndihmë të zjarrfikësve kanë ardhur edhe efektivë ushtarakë të xhenjos, të cilët ndërhynë për demontimin e municionave të konstatuara në zonë.
Njoftimi i plotë:
Situata e vatrës së zjarrit në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjes në territorin e bashkise Kolonjë dhe në afërsi me kufirin grek, është mbajtur që në orët e para të mëngjesit e gjatë gjithë ditës së sotme në kontroll e monitorim, duke punuar për të parandaluar përhapjen e perimetrit të zjarrit brenda kurorës zonë e mbrojtur, nga ekipi i MZSH Kolonjë, punonjësit e drejtorisë rajonale të Agjencisë së Zonave te Mbrojtura e vullnetarë të zonës, mbështetur nga efektivë ushtarakë të xhenjos, të cilët ndërhynë për demontimin e municionave të konstatuara në zonë.
Shërbimi i bashkisë Kolonjë ka punuar gjithashtu edhe me skrep për të hapur rrugë pyjore, në mënyrë që mjetet zjarrëfikëse të afrohen sa më pranë sipërfaqes së prekur, e cila ndodhet në një distancë rreth dy orë larg në një terren jo të lehtë për t'u përshkruar.
Shtabi i emergjencave civile vendore po planifikon dhe organizon për vijimin e ndërhyrjes nesër që herët në mëngjes, duke komunikuar e koordinuar veprimet edhe me strukturat e palës greke.
Falenderim e mirënjohje për punën e palodhur të gjitha forcave!
Lajmi kryesor:
Shqipëria lufton me zjarret! Delvina dhe Gramshi zonat më kritike, situata e qëndrueshme dhe nën kontroll









