Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një apartament në qendër të Elbasanit. Apartamenti ku ra zjarri ndodhet në katin e 5 të një pallati 12 katësh, ndërsa në të kanë qenë një grua e moshuar së bashku me mbesën e saj 7 vjeçare. Kjo e fundit është nxjerrë jashtë banesës me anë të autoshkallës së zjarrfikësve. Fatmirësisht nga ky zjarr nuk ka patur persona me lëndime serioze, megjithëse në spitalin e Elbasanit është paraqitur vajza që ka shfaqur probleme me frymëmarrjen, e cila paraqitet në gjendje të stabilizuar.

Sapo kanë ndjerë erën e tymit banorët kanë njoftuar zjarrfikësen e cila ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes por për shkak të lartësisë së apartamentit dhe bllokimit të tij në pjesët anësore me ndërtime të tjera e kanë patur të vështirë për të hedhur ujë dhe për të vënë nën kontroll zjarrin.

Paniku tek banorët ka qenë tepër i madh pasi pallati është shumë i populluar dhe në katin e fundit të tij është një kafene që frekuentohet nga qytetarët. Në ndihmë të forcave zjarrfikëse ka shkuar edhe një helikopter i Forcave të Armatosura, që ka bërë të mundur shqyrtimin e përmasave të zjarrit. Megjithatë nuk ka qenë e nevojshme ndërhyrja e tij për të evakuar banorët e pallatit.


Pallati edhe pse është një ndërtim i ri, nuk ka shkallë emergjence dhe pjesa e shkallëve që të lidhin me ashensorin është pa ajrosje gjë që ka vështirësuar evakuimin e banorëve nga ana e zjarrfikësve.

Ndërkohë në një prononcim për mediat administratori i pallatit ka bërë me dije se shkak i zjarrit ka qenë një defekt elektrik tek kutia e shpërndarjes. Më pas orenditë shtëpiake kanë marrë flakë dhe janë shpërndarë në të gjithë apartamentin.

VIDEO LIVE nga vendi i ngjarjes