- Për festën e Zojës së Këshillit të Mirë që gjendet në suplementin e Librit të Lutjeve dhe në Mesharin romak, përcaktuar më 26 prill.-
Vëllezër,
Me dekret të datës 22 prill 1903, Selia qendrore e Riteve urdhëroi t’u shtohet Lutjeve të Virgjëreshës së Shenjtë kjo përshpirtje : “Mater boni Consilii, ora pro nobis. Nan’ e Këshillit të Mirë, lutuni për ne”.
Dekreti parashtron me këtë rast titujt e ndryshëm që mban Zoja Jonë në përmendjen e saj: pranimin që i bëhet, me mendje e me zemër, në qëllimet e përjetshme të Perëndisë për misterin e Mishërimit, rolin e saj si këshilluese e bindur në martesën e Kanas,[ii] ndihmën dhe këshillat që ajo u dha gjatë gjithë jetës apostujve, shpirtrave të devotshme dhe dishepujve të të Madhit Zot, e më në fund drejtimin me dashuri tërësisht amtare që u ngarkua të ushtrojë tek Shën Jani nga vetë Shpëtimtari duke dhënë shpirt mbi Kryq; mirëpo, tradita e Etërve të Kishës dëshmon se Jani përfaqësonte në atë kohë tërë të Krishterët. Andaj, në historinë e Kishës, përmendja e Marisë nën emrin “Zoja e Këshillit të Mirë” është shumë e lashtë. Leoni XIII i dha nxitje të fuqishme gjatë kohës që qëndroi në fronin papal, nëpërmjet shërbesash të përkujdesshme e të posaçme. Dekreti i 22 prillit përfundon me këto fjalë: “Më në fund, për të lartuar edhe më shumë nderin dhe kultin e Virgjëreshës së Shenjtë nën titullin e saj të lartpërmendur, Shenjtëria e Tij vendosi dhe dekretoi që pas përshpirtjeve të Loretës në lutjen: Nan’ e admirueshme, të shtohet dhe kjo përshpirtje: Nan’ e Këshillit të Mirë, lutuni për ne! - duke pasur kështu besimin e plotë se mes tërë atyre gjëmave e errësimeve, kjo Nan’ e devotshme, e quajtur nga Etërit e shenjtë “thesarmbajtëse e hireve qiellore dhe këshilltare e përbotshme” do t’u shfaqet të gjithëve si Nan’ e Këshillit të Mirë nëse do thirret kudo me këtë emërim, dhe se do të na falë të gjithëve atë hir të Shpirtit të Shenjtë që ndriçon zemrat e shpirtrat, domethënë vetë aftësinë për Këshillim të Mirë.”
Në lutjet gjatë festës për nder të Zojës Sonë të Këshillit të Mirë dy mendime duhen pasur parasysh e thelluar për të nxjerrë mësime për vetveten. 1° Është fjala para së gjithash për shfaqjen mrekulli të një pamjeje të Marisë: speciosam imaginem mira apparitione clarificare dignalus es. 2° Kisha i kërkon Mërisë të na mbajë në gji të saj, e nëpërmjet saj të shohë përherë atë çka lypset të bëjmë, si dhe të ketë kurajën për ta bërë një gjë të tillë: ea quœ agenda sunt jugiter videre faciat, et ad implenda qua viderint convalescant.
[gallery]21973[/gallery]
Fillimisht, është pra fjala për një shfaqje mrekullie, mira apparitione.
Në kufijtë e Latiumit, disi në Lindje të qytetit antik të Prenestës apo Palestrinës, ndodhet qyteti i vogël Genazzano [Xhenacano], i famshëm në analet fetare të Italisë për devotshmërinë e tij të lashtë ndaj Marisë. Historianët e vendit e shohin gjatë periudhës së pontifikatit të Siksti III, në shekullin V, ngritjen në këtë qytet të një tempulli ndërtuar mbi një terren që i përkiste më parë bazilikatës së Shën Marisë Madhore, që quhej Zoja Jonë e Këshillit të Mirë. Në mesin e shekullit XIV, më 1356, princi Pietro Colonna, fisnik feudal i Xhenacanos dhe i territorit të saj, ia besoi shërbimin e këtij tempulli besimtarëve agustinë vendosur në një kuvend pranë kishës. Kuvendi u njoh nga papa Siksti IV më 1475 dhe që nga ajo kohë, besimtarët agustinë nuk kanë reshtur së qeni rojtarë të tempullit.
Sanktuari i Xhenacanos, që në atë kohë, ishte mjaft i frekuentuar nga popullatat përreth dhe u bë edhe më i frekuentuar kur një kishë e re, me përmasa më të gjera, zuri vendin e së vjetrës, e cila prej kohësh rrezikohej të shembej. Një vejane e devotshme, e quajtur Petruçia, shiti tërë pasurinë e vet për të mbështetur shpenzimet e mëdha që nevojiteshin për ndërtimin e saj. Përkushtimi që shfaqi u shpërblye me anë të një mrekullie, në mes dëshmitarësh të ndodhur atje në numër të madh, dhe vërtetuar mjaft herë me radhë, që prej më shumë se katër shekuj, nëpërmjet një tradite të pandërprerë mirësish të jashtëzakonta, shpirtërore e kohore, dhe që e kanë bërë kështu Xhenacanon një nga vendet e pelegrinazhit më të frekuentuara të krejt Italisë.
Më 25 prill 1467, në pasditen e ditës kur kremtohej festa e Shën Markut dhe kur një turmë e madhe ishte grumbulluar mbi sheshin para kishës, pak çaste para orës së mbrëmjesoreve, një harmoni qiellore u ndie në ajër, dhe pak më pas një re bardhëllore zbriti mbi altarin e një kishëze përkushtuar Shën Blezit. Kur reja u shpërnda, u vu re, kundrejt faqes së murit, një pamje e Virgjëreshës së Shenjtë, që mbante në krahë Fëmijën Jezus.
Mirëpo, në të njëjtin vit e në të njëjtën ditë, zhdukej papritur nga një kishë e Shkodrës, në Shqipëri një pamje e Virgjëreshës së Shenjtë që nderohej prej kohësh. Turqit kishin pushtuar vendin. Më kot heroiku Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur Skënderbe, kishte shpalosur krejt talentet e tij të rralla për të prapsur të pabesët. Pas njëzet e katër vite luftërash të pareshtura, ai vdes në Lezhë, në janar 1467 [1468]. Kjo ngjarje e kobshme kishte çorganizuar mbrojtjen dhe në po të njëjtin vit, trupat e Mehmetit II shtinë në dorë krejt vendin.
Dhe pak kohë para se ata të pushtonin vendin, atëherë kur vetë Providenca dukej sikur donte të shpëtonte nga një poshtërim i pashmangshëm figurën e Madonës së Shkodrës, kjo veç kur u transportua mrekullisht në Xhenacano ku, që prej asaj kohe, nuk ka reshtur së tërhequri turmat e të shkaktojë shfaqje të panumërta të përshpirtshmërisë më të zjarrtë.
Nga ai çast, Papët që pasuan njëri-tjetrin në katedrën e Shën Pjetrit, veçanërisht Siksti IV, Urbini VIII dhe Inoçenti XI, e pasuruan gjithë privilegje e shpirtgjerësi tempullin e Xhenacanos.
Miratuan krijimin e një shoqate lutësore apo “Bashkimin e Përshpirtshëm”, për të përhapur deri larg devotshmërinë e Zojës Sonë të Këshillit të Mirë. Papa dijetar Benuai XIV dha me këtë rast një Përmbledhje Injunctœ nobis, më 2 korrik 1753, duke shprehur edhe dëshirën që emri i tij të vihej në krye të regjistrit të të shoqërizuarve.
Më 1777, papa Piu VI dha një shërbesë të posaçme për shfaqjen e Zojës.
Edhe sot e kësaj dite, kujtohet në Xhenacano pelegrinazhi i bërë nga Piu IX, që u nis që prej rezidencës së tij në Castel-Gandolfo, shoqëruar nga një kortezh i madh më 15 gusht 1864.
Një nga aktet e para të Leonit XIII, pas zgjedhjes së tij në pontifikatin sovran ishte regjistrimi i tij në Bashkimin e Përshpirtshëm. Po ashtu, dha pëlqimin për t’i bërë shërbesë të posaçme Zojës së Këshillit të Mirë, që u përfshi në liturgjinë tonë dioqezane që më 1885.
Pra, këtë traditë me zanafillë gati pesëqind vjeçare Pontifi Sovran e shenjtëroi nëpërmjet një dekreti, me anë të të cilit u shtohet Lutjeve për Virgjëreshën e Shenjtë edhe përshpirtja: “Nan' e Këshillit t' Mirë, lutuni për ne!”
E tillë është origjina qiellore e devotshmërisë së Zojës Sonë të Këshillit të Mirë sipas traditës dhe dëshmive historike që Shkëlqesia e Tij kardinal Perraud e ka përmbledhur aq mirë. Por po japim edhe disa hollësi interesante rreth Pamjes së ëmbël e të shenjtë të Zojës Sonë të Këshillit të Mirë, gjë që do ta shtojë edhe më shumë besimin dhe devotshmërinë tonë.
Në fakt, nga dita kur kjo pamje mrekullore u shfaq në Xhenacano, duke shmangur gjer më sot tërë katastrofat, tre çudira shpalosen në mënyrë të përhershme rreth saj.
1° Ky afresk prej 46 centimetra lartësi, vepër e një artisti të panjohur, është pikturuar mbi një shtresë të hollë gjipsi të thjeshtë. Prej mbi katërqind vjetësh, ai qëndron atje, përmbi altarin anësor të krahut të majtë, përkundruall murit, dhe pa e prekur atë. Rrethuar nga një kornizë me metale të çmuara, veshur me gurë të rrallë, ajo ka zënë të njëjtin pozicion si në fillim, duke mos pasur asnjë pikëmbështetjeje, as nga pas, as nga anët. Mund të thuhet se ajo qëndron e varur dhe nuk mbahet nga asgjë. Është një mrekulli e vënë re shumë herë e me shumë kujdes.
Piktura e pakrahasueshme, e vetme në gjininë e saj, paraqet Nënën e Perëndisë me Fëmijën e saj hyjnor. Me krahun e tij të djathtë, Jezusi mbulon ngrohtësisht qafën e Marisë, teksa me dorën e majtë mban bordurën e petkut të saj. I ka mbështetur kryet e tij verdhanë, me dashurinë e birit për të ëmën, përkundër faqes të së Ëmës anuar drejt tij. Vështrimet e tyre që kryqëzohen, të butë e të trishtë, tek shprehin dashuri e dhembshuri. Fizionomia e të dy personazheve përputhet me traditën orientale; një ngjashmëri e përkryer vihet re në fytyra. Nëna dhe Fëmija janë të mbështjellë nga palat e së njëjtës pelerinë, në të kaltër të çelët. Veshja e Marisë vjen si në të gjelbër të kaltërreme; ajo e fëmijës Jezus, në të kuqe. Një brerore e praruar rrethon kryet e secilit, që vjen e lartohet në formë baldakini, në njëfarë aureole me ngjyra ylberi. E pamundur të jepet një ide e plotë rreth asaj bukurie mbinjerëzore që buron nga tërësia e veprës. Pavarësisht nga koha, kolori shfaqet me një freski të ëmbël dhe tiparet pasqyrohen në tërë forcën e tyre.
2° Edhe më mahnitëse shfaqet ndryshueshmëria e vazhdueshme e shprehjes së fytyrës tek Virgjëresha e Shenjtë, siç e vërtetojnë pelegrinë të shumtë me besën e përbetimit. Herë duket e trishtuar, herë e gëzuar; herë e zbehtë dhe e zymtë, herë e ndritur, me një refleks bojëgjak, sipas vetë gjendjes shpirtërore të vizitorit që vjen e lutet, sipas mirëpritjes që i bëhet pak a shumë ankimit dhe nevojës që ka ai në vetvete. Nuanca dhe shkëlqimi i syve pësojnë të njëjtat ndryshime, sikurse e pohojnë dëshmitarë të shumtë.
3° Asnjëherë, cilido qoftë artisti - piktor a makar fotograf -, nuk ka mundur të riprodhojë bukurinë ideale të asaj pamjeje dhe t’i afrohet, qoftë edhe së largu, origjinalit qiellor. I tillë është mendimi i Tostit, një nga mjeshtrit e pikturës në Romën e shekullit XVII, nisur nga vetë përvoja e tij vetjake.
Nga ana tjetër, Zoja Jonë e Këshillit të Mirë quhet edhe “Madona e Papëve”, për shkak të devotshmërisë së ngrohtë e vëllazërore që kanë predikuar vazhdimisht ndaj saj famullitarët e Jezu Krishtit. Mjaft të përmendim për këtë Palin II, që pranon vërtetësinë e mbartjes mrekullore të Figurës së nderuar; Sikstin IV, që rindërton kuvendin dhe kishën e Xhenacanos; Urbinin VIII, që shkon si pelegrin në tempullin e famshëm; Inoçentin XI, që urdhëron kurorëzimin solemn të Madonës; Benuain XIV, që miraton “Bashkimin e Përshpirtshëm” ngritur për nder të Virgjëreshës shqiptare[iii]; Piun VII, që gjen ngushëllim tek shesh një figurë të vogël të Zojës Sonë të Këshillit të Mirë, gjatë kohës kur u kap në Fontenblo; Piun IX, që kremton meshën e tij të parë para Virgjëreshës agustiniane në Romë, që i jep emrin e saj “Bashkimit të Përshpirtshëm” dhe që viziton Xhenacanon më 15 gusht 1864, duke ruajtur përherë figurën e saj të ëmbël para syve të tij; Leonin XIII që, së bashku me të ëmën, që kur ishte fëmijë, e më vonë prift, gjatë pushimeve, ka bërë shumë herë të njëjtin pelegrinazh dhe u regjistrua si anëtar i “Bashkimit të Përshpirtshëm”, duke u ndjerë i gëzuar të hedhë mbi supe skapularin e ri të bardhë, miratuar prej vetë tij, dhe që vazhdimisht, deri në vdekje, e ka mbajtur Figurën e shenjtë në vendin e nderit të zyrës, ka hartuar për lavdinë e saj tre distike fort të bukura dhe pati nga ana tjetër mirësinë të shkruaj me dorën e tij, poshtë një tabloje, këtë tekst të përzgjedhur në mënyrë të admirueshme : “ Fili asquiesce consiliis ejus - Bir, ndiq këshillat e Nënës Tënde”; dhe pa përmendur këtu të tjera nderime të mëdha, e përfundoi karrierën e vet të lavdishme duke regjistruar zyrtarisht përshpirtjen e saj në Lutjet e Virgjëreshës së Shenjtë për të gjithë shekujt e ardhshëm. Çfarë trashëgimie e bukur dhuruar Kishës! Çfarë lulëze e ndritur shtuar në kurorën e Marisë. [...]
Abati Leon Jaud: Si u shfaq afresku në kishëzën e Shën Blezës
Shkrimi i dytë/"Zoja jonë e këshillit të mirë" botuar nga Abati Leon Jaud në "Jeta e Shenjtëve për tërë ditët e vitit", Tur, Mame, 1950.
ABATI Léon JAUD
Shfaqja e Zojës Sonë të Këshillit të Mirë është aq e famshme, figura e Saj aq e përhapur dhe aq e nderuar në Kishë, sa lypset t’i lihet vend kësaj forme devotshmërie.
Qyteti i vogël i Xhenacanos, rreth dhjetë lega larg Romës, mbi malet e Sabinës, nderoi që në shekullin XV Virgjëreshën e Shenjtë nën emrin Zoja Jonë e Këshillit të Mirë.
Në shekullin XV, kisha kërcënohej të rrënohej. Një grua e devotshme e quajtur Petruçia i hyri rindërtimit të saj, edhe pse në moshë tetëdhjetëvjeçare; vuri me këtë rast në përdorim krejt pasurinë, pa mundur ta shohë të përfunduar. Petruçia predikoi që Virgjëresha e Shenjtë do të mbaronte veprën e saj.
Dhe ja ku, më 25 prill 1467, në çastin e mbrëmjesoreve, një harmoni qiellore u ndie në ajër dhe turma pa të zbresë poshtë një re të bardhë që qëndroi mbi altar të kishëzës së Shën Blezës, nga ku kishte nisur restaurimi i tërë kishës. Po atë çast, tërë kambanat e vendit u ndjenë të bien gëzueshëm. Reja u zhduk dhe turma e mrekulluar vuri re një pamje të Marisë duke mbajtur Fëmijën Jezus, pikturuar mbi shtresë gipsi dhe duke qëndruar në thellësi të altarit, pranë murit, pa mbështetje natyrore.
U vu re në mënyrë të sigurt se kjo pikturë ishte mbartur mrekullisht nga një kishë e Skutarit, qytet në Shqipëri[iv]. Providenca kishte dashur t’ua shkëpuste atë poshtërimeve të Turqve, të bërë tashmë zotër të vendit, dhe ta dërgonte kështu në Xhenacano, duke shpërblyer besimin e Petruçias dhe të banorëve të qytetit.
Historia e mrekullive të krejt llojeve, të kryera që nga ajo kohë përreth figurës mrekullore do të kërkonte vëllime të tëra për t’u shkruar. Shpesh është parë figura duke ndërruar pamje, dhe sytë e Virgjëreshës së Shenjtë të marrin jetë, duke shprehur gëzimin apo dhembjen. Sa e sa sëmundje e gjymtime të shëruara! Sa e sa hire shpirtërore të fituara!
Xhenacano mbetet përherë një vend pelegrinazhi i nderuar dhe mjaft i frekuentuar, dhe shumë pelegrinë të devotshëm, madje edhe të huaj e jo italianë, nëse kanë mundësi e kohë, priren të vizitojnë këtë tempull të bekuar. Papët sovranë e kanë mbushur tërë indulgjenca devotshmërinë e Zojës Sonë të Këshillit të Mirë, dhe Leoni XIII ka përfshirë në krejt Lutjet për Virgjëreshën e Shenjtë edhe përshpirtjen e titulluar Nan’ e Këshillit të Mirë.
Abati Leon Jod (1856-1934), bibliograf i njohur, i cili ka shkruar historinë e mjaft shenjtëve dhe i njihen mbi 15 vepra.
Misteri: Figura e bukur që vinte nga Parajsa
Shkrimi i tretë/ Kryeartikulli i botuar në buletinin dymujorsh të Shkollës San-Francesko të Salës në Dizhon, e Shtunë, 2 korrik 1892
ZOJA JONË E KËSHILLIT TË MIRË
Dëshira që kishim shprehur pak kohë më parë do të realizohet brenda disa ditësh: kishëza jonë e Shën Apolinerit do të ketë së shpejti një figurë të Zojës Sonë të Këshillit të Mirë. A mund të zgjidhnim vallë një mbrojtëse tjetër për një tempull kaq të paqtë, ku nxënëset tona të sapoardhura do mësojnë të fshehtat e Kungimit të parë, ku më të vjetrat do thellohen për të dalë me sukses në provime dhe për të pasur dritësime të qarta për të ardhmen? Zoja Jonë e Këshillit të Mirë do të jetë për ne Zoja Jonë e Kungimit të parë, Zoja Jonë e provimeve, Zoja Jonë e thirrjes së shenjtë...
Ishte një e shtunë (25 prill 1467), rreth orës katër të pasdites, kur një turmë e madhe pelegrinësh ardhur nga larg ishte përhapur në rrugët dhe sheshin e Xhenacanos, rreth 30 milje larg Romës. Befas, një muzikë e çuditshme, hyjnore u përhap në ajër; tërë vështrimet dallojnë, shumë lart fillimisht, dhe më pas gjithnjë e më pranë, të avitet një re e vogël bardhëllore, gjithë shkëlqim e rrezatim. Reja zbret dhe shkon e prehet ndaj një copëze muri. Ngadalë, zë e shpërbëhet dhe lë të shfaqet figura e buzëqeshur hyjnërisht e Marisë.
Turma e përfshirë nga emocionet kërkon të shohë më nga afër mrekullinë: vihet re që figura qëndron e varur, pa asnjë mbështetje dhe me njëfarë largësie nga muri. Kleri, besimtarët, princërit Colonna, fisnikët e qytetit të vogël, kapitenët me trupat e tyre kalojnë para saj njëpasnjë. Brenda disa ditëve, lajmi i çuditshëm merr dhenë, në rrethina, Romë, Napoli, në krejt Italinë : ngado njerëzia veç rendin; qytete të tëra, fshatra zbrazen krejt, tek dërgojnë turma pa fund pelegrinësh mbërthyer nga një emocion i papërshkrueshëm; dhe mrekullitë pasojnë njëra tjetrën; të verbërve u vjen drita e syve, të shurdhëve dëgjimi, sakatëve fuqia e gjymtyrëve, të marrëve, qetësia e mendjes, ndërkohë që plagët mbyllen dhe dhimbjet e shpirtit shërohen. Ngado dëgjon veç një britmë entuziazmi e mirënjohjeje. Që ditën e dytë, u vërtetua në vend gjithë mrekullia. Tre muaj më pas, papa Pali II ngarkonte një komision për të ndjekur nga afër ngjarjet dhe i miratoi plotësisht ato manifestime entuziaste ndezur nga mrekullia.
Xhenacano, që ndodhet mes një treve të admirueshme të Latiumit të lashtë, në një luginë të përzgjatë të Apenineve, shtrihet përmes rrënojash të lajtoreve antike, mbi një sukë pjellore të nderur, dikur veshur me korije e kopshte: atje lulëzonin trëndafilat e famshëm Prenestina; atje kremtoheshin, në kohë të perandorëve, me tepri buhitëse, festat e pranverës sipas kalendarit të Verrius Flaçusit, për nder të Robigos e Florës. Konstantini, trashëgimtar i Klaudius Neronit, i Augustit dhe i Antoniusëve, i dhuroi papës së shenjtë Silvestrit qytetin e madhërishëm Antonina. Shën Marku, pasues i Shën Silvestrit, ngriti pranë lajtoreve kishën e parë për nder të Marisë, me emrin Zoja e Këshillit të Mirë. Më 1356, Giordano Colonna, patroni i kishës e lëshoi dhe ia besoi restaurimin e saj Eremitëve të Shën Agustinit. Më 1466, kisha ishte ende e rrënuar. Vejusha e shenjtë Petruçia i kushtoi tërë pasurinë e saj veprës restauruese; për fat të keq, burimet shpejt do shteronin, dhe muret e kishëzës San Baggio nuk ishin më të larta nga gjashtë këmbë. Dhe pikërisht atje, mes lotësh, lutjesh e parandjenjash të fshehta të gruas së përshpirtshme u përkrye shfaqja qiellore.
Nga vinte ajo figurë e bukur? Nga parajsa, thoshte populli i mirë që vazhdoi një kohë të gjatë ta quante Zoja Jonë e Parajsës. Jo, ajo vinte nga Skutari i Shqipërisë, nga ai vend ku Gjergj Kastrioti, i famshmi Skënderbe, “i frikshmi luan i luftës” kish sprapsur Turqit për njëzet e katër vjet me radhë, duke i korrur krejt ushtritë e panumërta të Muratit e Mehmetit II. Dhe burim i pashtershëm i gjenisë dhe guximit të tij të pamposhtur ishte tempullari i Skutarit. Mirëpo, ai sapo kishte vdekur (janar 1468). Një numër i madh të Krishterësh, të trembur nga afrimi i Turqve, braktisën vendin dhe Madona Jonë la edhe ajo kishën e shkretuar që së shpejti do përdhosej. Emigrantë shqiptarë strehuar në Romë, të tërhequr nga mrekullitë e Xhenacanos, shpejt do njihnin figurën e tyre të shenjtë që aq e aq herë e kishin nderuar.
Figura është pikturuar mbi një shtresë gjipsi të zakontë, i trashë si karton; edhe pse e brishtë, dhe pas tërë atyre shekujve, ajo ruan krejt freskinë e kontureve dhe ngjyrave të veta, nuk është e fiksuar dhe as e varur në mur, por vetëm e prek pak me anën e sipërme, dhe ngado gjetkë nuk ka kurrfarë mbajtëse, dhe me prekjen më të vogël zë e lëkundet lehtë, e qëndruar në ajër siç është.
“Përfaqëson Nënën Virgjëreshë të re tek mban në krahë Fëmijën Jezus, i cili e përqafon me njëfarë dashurie të ankthtë. Njërin nga krahët e vegjël e ka kaluar përreth qafës së Nënës, ndërkohë që gishtat fëmijërorë i shfaqen para gushës së saj. Doçka tjetër është e vendosur mbi bordurën e qëndisur të fustanit tradicional të zakontë me ngjyrë të gjelbër. Fëmija është i veshur me të kuqe dhe si njëra e tjetri kanë përsipër nga një mantel të kaltërremë...
Tiparet e Nënës Virgjëreshë afrohen shumë me ato çka ia njohim nga traditat më të mira. Ngjyra e flokëve, vetullat e mirëharkuara, balli madhështor, plot zgjuarsi, ngjyra dhe përmasat e syve, faqet, hunda - më shumë greke dhe shqiponjë se sa çifute -, buzëqeshja e ëmbël, buzët e kuqe, fustani dhe bordurat, gjithçka ndodhet aty plot hir...
Shprehja e krejt fytyrës është aq jashtëzakonisht e ëmbël, aq e trishtë, aq e këndshme, aq e përmbushur me bukuri qiellore, aq e fuqishme, sa i bën për vete tërë zemrat përmes lidhjes së papërcaktuar të gjithçkaje që mendimi mund të konceptojë si më të përkryerën në një dashuri të re, virgjërore, të pafajshme e të kulluar, e prapë amësore, me gjithçka që ka si më të lartësuarën e më të kulluarën brenda një përkryerje shpirtërore – përkryerje që vetëm njerëzimi i Birit të saj ka mundur të tejkalojë – gjë që tek i krishteri përbën idealin e vërtetë që ai ka për Marinë pas Shfaqjes së Jezusit në tempull... Kryet e Virgjëreshës anohen ngrohtësisht, por trishtueshmërisht, drejt fytyrës së Birit; dhe sytë drejtuar sidomos nga Jezusi e përgjëruar për Atë, janë plot me ato lot që burojnë pa dashje nga zemra e tij gjithëbrengë.”[v]
Sipas dëshmive të shumta e të pamohueshme, figura e shenjtë ndonjëherë zë e gjallërohet, ndryshon shprehje e ngjyrë, si një figurë e gjallë: tiparet e buta dhe të zbehta bëhen të gëzueshme, ndizen e vishen me një të kuqe të ndezur; sytë çelen dhe bëhen më të shndritshëm, ogur i sigurt ky se dëshirat e bëra janë plotësuar. Tabloja ka aq finesë, është aq e këndshme, gjer në hollësitë më të imta, sa shfaqet e papërngjasueshme : një artist me emër, Luigi Tosti, që e studioi ngeshëm për ta riprodhuar, do pohonte se ajo ishte e paimitueshme dhe se kopjet më të përkryera në të vërtetë nuk përngjasonin me të. Megjithatë, kjo besnikëri e përpiktë nuk është e domosdoshme, sepse shumë nga kopjet e saj janë bërë të famshme nëpërmjet mrekullive që kanë kryer; kësisoj ka ndodhur me atë të Gjenovas, me atë të Modenës, me atë të Monte Kasinit, me atë të Frosinones, me atë të Shën Markut në Romë, me atë të Napolit, etj. Spanja, Belgjika, Baviera, Austria, kanë gjithashtu madonat e tyre mrekullore.
Devotshmëria e Zojës Sonë të Këshillit të Mirë po përhapet edhe në Francë... Shumë shpejt edhe ne vetë do të provojmë mirësitë me të cilat Maria shpërblen të gjithë ata që e nderojnë nën titillin NËNA E KËSHILLIT TË MIRË.[vi]
Buletini dymujorsh i Shkollës San-Francesko të Salës në Dizhon,
Kryeartikull, N°18, e Shtunë,
2 korrik 1892.
Shënime
Ky organ, i themeluar më 1878 konsiderohet si një kryevepër e shkencës katolike franceze.
Sipas Testamentit të ri kristian, në Kana të Galilesë, gjatë një ceremonie martesore ku ishin grishur edhe Shën Mëria e Krishti, ky i fundit bëri mrekullinë e shndërrimit të ujit në verë.
Poeti i parë arbëresh dhe shkrimtari i parë shqiptar Jul Variboba (1724-1788) do t’i këndonte në këtë mënyrë Zojës Sonë të Këshillit të Mirë :
“Rrëtrati it i mir / Skutarin ndëroi, / ma iku e u partir / porsa turku façoi. / Mëpar se të fluturon/ Andej kjo Perëndesh / Lleçenx vate kërkon / Bularëvet arbëresh / Mbiatuth u shkit ka muri / E si zok fluturoi / U shkqit mo se kulluri, /ma muri atje qëndroi. / Një mjegull si kullon / Ditën i kumbanjar, / si zjarrm’ nj’atër kullon / natën i lluminar.”
Kurse i Ndrituri At Gjergj Fishta i ka kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë të Shkodrës e të krejt Shqipërisë këto vargje hyjnore :
"Të falemi, o Mri! Virgjina e dlir', / O nana e bukur e K'shillit t'Mir; Ty ndim të kena në kët' shkreti: / të falemi, o Mri, të falemi, o Mri./ Të falemi Virgjin' Nana e Tënzot, / Ndihma e kshtenimit me hire plot;/ T'bin në mend se Zoja e Shkodrës je: / Lutu për ne, lutu për ne! / Lutu, po, e derdhi hiret e m'dhaja / Si n'kohët e moçme n'kishë te Kalaja, / Ku t'lutej Shkodra plot me dobi;/ Të falemi, o Mri, të falemi, Mri! / Lutu, se Shqiptarët, o Zojë, të tanë, / Te Ti e çojnë zanin në Gjenacanë:/ M'shir' për ne thona m'shir' për Shqypni! / Të falemi, o Mri, të falemi, o Mri"!
Attilio Galli, në veprën e tij Madre della Chiesa nei cinque continenti (edizioni Segno, 1996), lidhur me historikun e Zojës së Këshillit të Mirë dhe mbështetur tek studiuesi shqiptar Mikel Prenushi, ka vënë në dukje se në shekullin XV, “Turqit myslimanë pushtuan Shqipërinë duke iu kundërvënë besimit të krishterë. Gjergj Kastrioti Skënderbeu ia besonte veten e tij Zojës Sonë të Shkodrës dhe lutej para saj. Ai u bëri qëndresë pushtuesve për njëzet e pesë vjet me radhë dhe është mbiquajtur Atleti i Krishtit. Më 1467, Shkodra ra në duart e Myslimanëve dhe Shqiptarët duhej të zgjidhnin kësisoj ose të bëheshin skllevër ose të iknin në mërgim.
Djali i Skënderbeut, Gjoni, shoqëroi atëherë të mërguarit gjatë kalimit të detit Adriatik. Pikërisht, në këtë kontekst, më 25 prill 1467, figura e Shën Marisë së Shkodrës, apo Nan’ e Këshillit të Mirë, u zhduk nga kisha dhe u rishfaq në kishën e Etërve agustinianë në Xhenazano pranë Romës, e cila në atë kohë ishte në ndërtim e sipër. Disa përmendin me këtë rast një mrekulli, por ka shumë të ngjarë që figura të jetë mbartur prej refugjatëve shqiptarë të krishterë : që ikona e Virgjëreshës Mari t’i shoqëronte gjatë kohës së mërgimit të tyre. Më 1854, katolikët shqiptarë organizuan një procesion në Shkodër nën vështrimet e Turqve, duke kënduar lavde për Gjithëfuqishmen e Shenjtë. Më 1895, peshkopët shqiptarë e shpallën Zojën Tonë të Këshillit të Mirë “Patrone të krejt Shqipërisë” dhe e festojnë më 25 prill.
Marrja nën patronazh nga ana e Zojës Sonë u ndie së tepërmi gjatë bombardimit të Shkodrës më 12 mars 1913 : dëmtimet ishin shumë të pakta, çuditërisht të pakta, ndërkohë që 35 000 predha u lëshuan mbi qytet.
Më 1917, u rindërtua Kisha Zoja Jonë e Këshillit të Mirë në Shkodër, pikërisht atje ku më 1467 ndodhej figura e Zojës Sonë të Këshillit të Mirë para se të çohej në Xhanazano të Italisë. Më 11 shkurt 1943, Imzot Prenushi, duke parë komunizmin në portat e Shqipërisë përjetësoi kombin në zemër të Virgjëreshës Mari. Komunizmi vjen më 1945 me ateizmin më të pastër e më të ashpër. Më 1967, nën entuziazmin e revolucionit kulturor kinez, ata që i bënin ende qëndresë ateizmit, do të eliminoheshin nga diktatori Enver Hoxha, dhe kleri u torturua e pushkatua. Tempulli i Zojës Sonë të Këshillit të Mirë u rrafshua. Kishat e xhamitë u shndërruan në stalla apo depo. Por kjo fitore e komunizmit ateist ishte tepër e përkohshme : ai ra më 4 nëntor 1990 dhe katolikët rindërtuan kishat e tyre. Gjon Pali II shkoi më 22 prill 1993 në tempullin Zoja Jonë e Këshillit të Mirë në Xhenazaro para se të shkonte edhe në Shkodër më 25 prill 1993 për të bekuar gurin e parë të rindërtimit të tempullit të Zojës Sonë të Këshillit të Mirë, kishën “Zoja e Shkodrës”. Tërë Shqiptarët ishin përkrah njëri-tjetrit, katolikët, ortodoksët e myslimanët, duke dhënë shembullin e një bashkëjeteje paqësore.” (Shënojmë nga ana jonë se, ashtu edhe në raste të tjera, gati tërë autorët i referohen gabimisht vitit 1467, si vit i vdekjes së Skënderbeut dhe i pushtimit të Krujës e Shqipërisë, kur është vërtetuar tashmë data e saktë e vdekjes së Skënderbeut, më 17 janar 1468).
Sipas Imzot Georges Dillon, Nëna Virgjëreshë e Këshillit të Mirë. (Teksti origjinal në anglisht është përkthyer në frëngjisht nga D. Marie Placide, benediktine, shënim i redaksisë së buletinit).
Vijon më tej Kalendari dhe Rregullorja e Shkollës San Francesko të Salës në qytetin e Dizhonit, Francë. Tabela e nderit dhe kryeartikulli mbyllet me lajmërimin për Inagurimin solemn të figurës së Zojës Sonë të Këshillit të Mirë në kishëzën e Misionit fushor të Shën Apolinerit, të dielën, më 10 korrik 1892.
[gallery]21944[/gallery]
Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com