Zona ekonomike Spitallë, Ahmetaj:
1.5 mld $ investim,90000 vende pune

Zona ekonomike Spitallë, Ahmetaj:<br />1.5 mld $ investim,90000 vende pune
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj e ka cilësuar hap të rëndësishëm për ekonominë shqiptare paraqitjen e dy ofertave për përzgjedhje e fituesit të zhvilluesit për Zonën Teknologjike të Zhvillimit Ekonomik të Spitallës, në Durrës.

Ahmetaj e cilësoi sukses duke iu referuar procedurës konkurruese në vitin 2009 të organizuar nga qeveria “Berisha”, ku nuk u paraqit asnjë ofertë. Gjithashtu ai solli në vëmendje edhe “traditën” e dështuar të Shqipërisë në zhvillimin e zonave ekonomike në nëntë Zona Ekonomike, në tetë vitet e kaluara.

“Sot kemi një kuadër ligjor të formatuar në detaje, e kjo është një nga arsyet pse kemi oferta; kemi një paketë incentivash që do ta kthejnë këtë në një nga zonat ekonomike më konkurruese në rajon, kjo është një nga arsyet pse kemi oferta gjithashtu; kemi dy plane konkrete për zhvillimin e zonës, kemi dy investitorë të cilët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së qeverisë shqiptare për të investuar në Shqipëri”, tha ministri i Ekonomisë.

Ahmetaj tha se janë 1.5 miliardë dollarë investime të huaja që afrohen në vend në rastin më të mirë, që brenda 9 viteve të ardhshme do të injektohen në ekonominë shqiptare, në aktivitet prodhuese, industrial, agropërpunuese, etj që pritet të hapin 90 mijë vende pune.

“Kompanitë sjellin teknologji të reja në zhvillim të zonës dhe brenda operimit të tyre gjithashtu, kompani të cilat do të quhen operatorë ekonomikë. Mbi të gjitha janë vende të reja pune që krijohen për qytetarët shqiptarë”, tha Ahmetaj.

Ministri shtoi më tej se, zhvillimi i kësaj zone është një dimension i ri për ekonominë shqiptare në terma të teknologjisë së avancuar; produktivitetit dhe punësimit gjithashtu. Është një shprehje e qartë e zhvillimit të modelit të ri ekonomik.

“Kjo është ekonomia e vërtetë; kjo është ajo ku duhet të fokusohemi sot dhe do të duhet t’i tregojmë çdo qytetari që kjo është një mundësi punësimi dhe zhvillimi ekonomik”, tha ai.

Dy ofertat
  1. Konsorciumi kinez
Konsorciumi i kompanive kineze “Zhejiang Haiteng Investment Co., Ltd” dhe  “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co.Ltd”, oferta e të cilëve parashikon një vlerë investimi në shumën 1.5 miliardë USD. Periudha e përfundimit të të gjitha fazave e ofruar është 9 vjet ndërsa aktivitetet që do të zhvillohen brenda në zonë përfshijnë industritë e lehta dhe industritë e teknologjive të larta. Në planin e saj të biznesit, kompania kineze parashikon hapjen e rreth 90 mijë vendeve të reja të punës.
  1. Kompania italiane
Kompania e dytë e cila dorëzoi ofertën e saj ishte kompania italiane “RENDur4” shpk. për të cilën komisioni është duke shqyrtuar ofertën. Të dyja ofertat janë në shqyrtim e sipër. Oferta e kompanisë italiane nuk ka në dokumentet e vet një shifër.
 
Pyetje-Përgjigje

Kompania italiane nuk ka paraqitur ofertë financiare. A mund të sjellë kjo skualifikimin e kësaj kompanie. Pyetja e dytë, cila do të jetë zona ekonomike e radhës që qeveria ka planifikuar?

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vazhdon. Është në gjykim të tyre, në bazë të ligjit dhe të procedurave, kualifikim ose skualifikim. E rëndësishme është që kemi dy oferta dhe besoj që brenda 30 ditëve do të kemi fituesin. Përsa i përket zonave të tjera, mbyllja me sukses e kësaj procedure na jep mundësinë të hapim shumë shpejt procedurat e Vlorës dhe procedurat e Koplikut, të cilat i kemi studiuar me kujdes me Qendrën për Zhvillim Kombëtar të Universitetit të Harvardit. Por, tani kemi një praktikë dhe një fakt që na ndihmon të gjykojmë akoma më mirë për të ardhmen.

Si janë ftuar investitorët?

Ky është një projekt i përbashkët i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Universitetit të Harvardit dhe ne kemi ndjekur procedurën e parashikuar në ligj për të informuar publikun dhe investitorët e mundshëm për këtë garë. E kemi botuar në datat 26, 27 dhe 28 Gusht njoftimin zyrtar të hapjes së garës ndërkombëtare në Financial Times dhe në të njëjtën datë kemi njoftuar mediat Shqiptare dhe është botuar procedura në sitin e APP. Në të njëjtën kohë, ministria e Zhvillimit Ekonomik ka ndjekur dhe një procedurë paraprake për të informuar të gjithë ambasadat në Shqipëri dhe të gjithë Dhomat e Tregtisë të huaja dhe të vendit, apo përfaqësi biznesi për këtë mundësi duke i kërkuar atyre të shprehnin interes. Dhe, gjatë periudhës së shprehjes së interesit janë bërë qindra e qindra pyetje, nga e gjithë bota, për zonën e lirë ekonomike.
 
z. Ahmetaj, edhe pse jemi në fazën e vlerësimit të ofertave, përafërsisht a ka ndonjë datë për nisjen e projektit?

Vështirë është të thuhet me saktësi dhe kuptohet që në përgjithësi media e ka tendencën që të kapë një fjalë apo një datë dhe t’i referohemi asaj date dhe asaj fjale. Por unë besoj që në bazë të procedurës ligjore, kemi 30 ditë për vlerësimin e ofertave. Ju njoftoj që do të kemi edhe konsulencë, shpresoj nga katër kompanitë e mëdha të auditit dhe konsulencës gjithashtu, përsa i përket vlerësimit të të dyja ofertave. Besoj menjëherë pas shpalljes së fituesit dhe unë shpresoj se do të kemi një fitues të konsoliduar, në një hark kohor prej tre muajsh te kemi negocimin e kontratës dhe këtu do të marrim konsulencë të huaj, të financuar dhe të mbështetur nga GIZ. Me të mbyllur kontratën unë besoj që kantieri do të dojë rreth 3 muaj të angazhohet në terren, që do të thotë se afërisht rreth 8 muaj, nëse çdo gjë shkon mirë dhe nëse ofertat vlerësohen pozitivisht, do të kemi një zhvillues në terren duke ndërtuar zonën e parë ekonomike në Shqipëri. Paralelizmi mbase nuk është fort i duhur por, Singapori e ka nisur rilindjen e vet ekonomike nga një zonë e lirë ekonomike, prandaj ky realisht është një projekt qe ia vlen te shihet me seriozitet. 

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Aksident në aksin Pogradec-Qafë-Thanë, makina përplas një grua

Aksident në aksin Pogradec-Qafë-Thanë, makina përplas një grua