TIRANË, 18 Shkurt /ATSH/- Banorët e zonave që u prekën nga përmbytjet e ditëve të fundit, kryesisht në jug dhe juglindje të vendit pritet të kenë prioritet në programet subvencionuese të ministrisë së Bujqësisë.
Burime nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, bëjnë të ditur se, qeveria pritet të miratojë një vendim të posaçëm që i jep prioritet mbështetjes me skema subvencionuese fermerëve të prekur nga përmbytjet, për shkak edhe të humbjeve masive që pësuan në kultura bujqësore dhe bagëti.
Kjo masë pritet t'u vijë në ndihmë fermerëve, për të rindërtuar edhe një herë serat e tyre apo mbjelljen e hektarëve, pasi dihet që zonat jugore kanë edhe peshën më të madhe në eksporte apo për furnizimin e tregut të brendshëm vendas me produkte.
Nga ana tjetër, po përgatitet edhe udhëzimi i detajuar për skemat kombëtare për vitin 2015 dhe pritet që nga muaji mars të fillojnë aplikimet e para të fermerëve për të përfituar këto fonde. Fondi në total është 1.7 miliardë lekë, një shifër kjo e rritur në krahasim me atë që është lëvruar në vitin 2014.
Risi e këtij viti është se aplikimet do të vlerësohen përmes sistemit kompjuterik dhe jo më në mënyrë manuale, duke shmangur kështu abuzimet me këtë proces. e,xh//m.m/