‘ Zonjat që bëjnë Shqipërinë’/ Tefta Pajenga: Nga arsimi në kulinari, një jetë plot sfida dhe pasione që nuk njohin moshë

Nga Flora Nikolla
Dhurata Hamzai

Kush nuk e mban mend rubrikën “Të gatuajmë me zonjën Tefta” në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV. Tefta Pajenga që ka drejtuar këtë emision të kulinarisë, profesionin bazë e ka mësuese, por ajo arriti të bëhej e famshme falë këtij pasioni të hershëm. Për Tefta Pajengën, Shkodra është qyteti me të cilin është dashuruar që në rininë e saj. Aty ajo dha dhe kontributin e saj si mësuese.

E mësuar për 30 vjet rresht të punonte me edukimin e brezave të rinj dhe e frymëzuar nga energjia rinore, Tefta Pajenga nuk do ta duronte dot qëndrimin në shtëpi pas daljes në pension.

Puna e Tefta Pajengës, e cila ndante me teleshikuesit receta tradicionale, duke  ndihmuar amvisat anekënd vendit, për të aplikuar në shtëpitë e tyre një kuzhinë sa më të shëndetshme, u finalizua me sukses në 5 vitet e fundit në televizionin Report TV.  Për Tefta Pajengën pasioni nuk njeh moshë. Emisioni të gatuajmë me zonjën Tefta, së bashku me emisionin “Rreze Dielli” u bë një nga emisionet më të ndjekur në orët e para të ditës.  Tefta Pajenga gjatë 14 vjetëve me emisionin e saj të kulinarisë është bërë një shembull i rritjes së kulturës së gatimit dhe ushqyerjes së shëndetshme. Është ajo, e mirënjohura “Zonja Tefta”, që iu hapi rrugën dhjetëra emisioneve të tjera me natyrë të ngjashme. 

Tefta Pajenga, e vlerësuar me Çmimin “Zonjë që bën Shqipërinë”  nga bordi i Albanian Excellence, me presidente Flora Nikollën, ka dhënë një mesazh të madh, që kapërcen kufijtë e vendit: Tradita shqiptare në kulinari, ashtu si dhe dietat e tjera mesdhetare janë nga më të shëndetshme. Dhe kjo nuk është vetëm bindja e saj, por edhe e studiuesve të gastronomisë. Në këtë intervistë do të ndjekim rrëfimin e sinqertë për rrugën e punës dhe pasionit të ish mësueses dhe kuzhinieres së talentuar Tefta Pajenga.

Intervista

Cila është historia juaj profesionale?
Mund të them që është një nostalgji dhe ju më keni ngacmuar. Kam shumë për të thënë, në kuptimin e të dy profesioneve, në arsim dhe në kulinari. Por do të thosha që në arsim kanë qenë gati 30 vite punë dhe ishte një rastësi edhe kjo e arsimit. Unë kam qenë në gjimnaz dhe atje u njoha me tim shoq, me një fjalë, ishim në një klasë të dy dhe u dashuruam. Ky ishte një ngacmim edhe për prindërit e mi, kryesisht babai, që duhej të shkëpuste vajzën e tij nga shkolla dhe ta largonte nga shoku i saj i ngushtë i klasës. Kështu u bë. Shkova në shkollën pedagogjike në Shkodër. Unë kisha mbaruar vitin e dytë të gjimnazit. Hyra direkt në vitin e tretë duke dhënë provime plotësuese për lëndët që nuk i kisha bërë në gjimnaz. Pasi mbarova shkollën e mesme pedagogjike, më emëruan mësuese në një fshat. Por mund të them këtu që kishim një bazë shumë të mirë mësimore, kishim metodistë të jashtëzakonshëm. Nuk kalonte asnjë gjë pa i vënë theksin, për të qenë një mësuese e aftë. Dhe kjo na ndihmonte shumë. Edhe mua, sigurisht. Unë u caktova mësuese në fshat dhe e mbaj mend si tani që kam qenë në një klasë kolektive. Isha edhe me një shok tjetër. Unë kisha dy klasa, të parën dhe të tretën, ndërsa shoku im kishte klasën e dytë dhe të katërt. Sepse kështu duhej të ishin. Kishin pak largësi nga njëra-tjetra, në mënyrë që të mos kishte ngjashmëri mësimi lënda me lëndën.

Ditën e parë, hyra në klasë dhe bëra prezantimin si mësuesja Tefta Hoxha për ata. Nxënësit ishin shumë të urtë, të qetë dhe në atë moment unë mbeta. M’u mbushën sytë me lot. E lashë klasën dhe dola jashtë. Fillova të qaja me ngashërim. Edhe tani më kujtohet mirë ajo ditë dhe më mbushen sytë me lot. Erdhi dhe ai shoku im dhe më pyeti se përse kisha dalë. I thashë që nuk do të mundesha që t’i bëja ata fëmijë të shkruanin, të lexonin e të shpreheshin edhe pse unë isha vlerësuar me notën 10 në praktikën pedagogjike. Mësuesi im i praktikës pedagogjike, një metodist i famshëm në shkallë republike, më kishte thënë që unë do të bëhesha një mësuese shumë e aftë. E them këtë sepse është e vërtetë. Ai shoku im më këshilloi të futesha përsëri në klasë duke më thënë se ishte i bindur që unë do ta bëja mirë. Kështu kaluan gati 30 vite punë në arsim. Dola në pension.

Pasi dola në pension më bënë një ofertë. Në një televizion do të bëhej një emision gatimi, ku duhej një amvisë. Sigurisht që amvisa duhej të plotësonte disa kushte, në mënyrë që të ishte sa më e afërt me amvisat shtëpiake. Sigurisht që duhej të kishte edhe një bazë për mënyrën e të gatuarit. Ishin momente shumë të vështira për mua, kur më është bërë kjo ofertë, pasi pikërisht atë muaj ishte ndarë nga jeta im shoq. E kisha shumë të vështirë. Me thënë të vërtetën, sado që e mbanim veten pak si të emancipuara, e mbartnim diku atë mentalitetin që, si është e mundur të lëvizim nga shtëpia, e për më tepër në ekran, me këtë hall të madh që kisha unë. Por fëmijët e mi ngulën këmbë duke më thënë që duhej të dilja patjetër, dhe që unë mund ta bëja këtë gjë. Të gatuash në shtëpi është e lehtë ndoshta, por të gatuash në ekran, m’u duk pak e vështirë. Megjithatë, unë pranova dhe e fillova atë punë. Kështu që i hyra një profesioni të dytë.

Si e kujton arsimin shqiptar në atë periudhë? Po dëshira për gatimin, si ju lindi?
Nga vitet e arsimit kujtoj një punë shumë këmbëngulëse për t’ia arritur qëllimit që ne kishim marrë përsipër, pra një detyrë fisnike, shumë e dashur dhe shumë e bukur. Unë e kisha me shumë pasion. Doja që me çdo kusht ta plotësoja detyrën time, pavarësisht se ndoshta edhe mund të neglizhonim ndonjëherë. Kjo është një shprehje që e ka pasur e gjithë trupa mësimore. Mund të neglizhonim ndonjëherë, por grupet e punës, që nga grupet e shkollës, që nga grupet e punës që ishin në shkallë lagjeje, të shkollave të lagjes, që nga grupet e punës që ishin nga Drejtoria Arsimore, nga Seksioni i Arsimit, të gjitha ishin në një lëvizje të përditshme.

Këtë e them me bazë sepse e kam jetuar vetë. Kërkesa ishte në kulmin e saj. Madje, ndoshta, drejtoresha e shkollës që unë kam pasur, mund edhe ta ndjekë këtë emision. Ne si mësuese thoshim: “Po si nuk u sëmur një herë kjo drejtoresha jonë, që vjen gjithmonë në orën e saktë”. Pra ishte një gjë, që edhe ajo si ne, e kishte punën e saj me shumë pasion dhe kërkesën e llogarisë për të mirën e punës. Puna që kemi bërë me nxënësit, puna që kemi bërë me prindërit. Nuk ishte thjesht një punë që do të bënim një takim me prindër.

Nuk e di se në ç’formë funksionon sot. Ne bënim takim pune, informim për nxënësin, vijueshmërinë e nxënësit, por edhe bashkëpunim për mbarëvajtjen e nxënësit, d.m.th. detyrat apo mësimet i bënim së bashku në klasë me prindërit, duke i informuar se si duheshin bërë. Në punën tonë kemi pasur raste, siç mund të ketë edhe sot, por ishin ndëshkime të jashtëzakonshme, ndëshkime në kuptimin që vihej para përgjegjësisë mësuesi për një sjellje jo të mirë. Por unë do të thosha që, çdo mësues që ka një sjellje të tillë ndaj nxënësve, dhe mos kërkesë llogarie, dhe dobësia e nxënësit në mësim, është paaftësi e mësuesit, është papërgatitje e mësuesit. Ndoshta ishte fati ynë që nuk kishim kafe dhe restorante që të shkonim. Sot mësueset i gjen në çdo orë pushimi apo kohë e pa kohë, mund t’i gjesh nëpër lokale. Janë raste që dihen. Ne ishim shumë të përkushtuara për punën. E kishim kërkesën e llogarisë në kulm, me nxënësit dhe me prindërit bashkë.

Si e shikoni arsimin sot?
Me thënë të vërtetën, unë nuk e ndjej veten kompetente për të bërë një vlerësim të tillë. Por nga ato që ne dëgjojmë në informacione të ndryshme, mua më duket se është një neglizhencë ndaj një pune të mirë. Nuk mund të prononcohem për këtë gjë.

 Me eksperiencën që keni, çfarë do të donit të ndryshonit sot në arsim?
Ndonëse unë nuk jam kompetente për të dhënë mendime se si duhet ta shoh një mësues apo një pedagog në punën e tij, por do të thosha që përgatitja e mirë e mësuesit, sigurisht që do të japë një rezultat shumë të mirë. Unë mbaj mend që duhej të rrija me orë të tëra për të përgatitur ditarin, duke përgatitur ashtu siç duhej temën e mësimit dhe duke mos pasur informacionin që është sot, pra internetin dhe materiale të tjera ndihmëse. Ne përpiqeshim vetë të punonim dhe të bënim pjesën ilustruese të mësimit. Kjo ishte e domosdoshme. E kam fjalën që mësuesit, pa një përgatitje të mirë, nuk mund të kenë rezultate.

Cilat janë kujtimet tuaja për eksperiencën shumë të rëndësishme në fushën e gatimit?
Unë mendoj dhe vlen për ta thënë tani që nuk jam më në ekran, që jam krenare që u bëra pjesë e të gjitha familjeve shqiptare. Këtë unë e shoh te sytë e zonjave që janë të qeshura vazhdimisht, kur unë takohem rastësisht me to. E shoh te kënaqësia e tyre ose kur u thonë familjarëve, që “uluni në tryezë se unë sot kam gatuar me zonjën Tefta”, d.m.th. tërheqin pjesëtarët e familjes duke parë emisionin dhe duke marrë recetat që gatuan zonja Tefta. Unë jam krenare për këtë dhe i falënderoj shumë. Falënderoj shumë edhe studentet që kanë kërkuar të vijnë e të marrin pjesë në emisionin tim sepse e kanë ndjekur dhe kanë mbajtur shënim fjalët e mia. Cili ka qenë çelësi që ka mundësuar hyrjen time në familjet shqiptare? Unë nuk kam gatuar thjesht duke trazuar qepën e duke hedhur përbërësit e tjerë. Jam përpjekur që çdo gjë t’ua them zonjave me detaje dhe me arsyen se përse duhet të ndodhë ky veprim në një proces gatimi të ngrohtë apo të ftohtë.

Pra, jam marrë me detaje të tilla, dhe kjo ka bërë që teleshikuesit të më ndjekin. Pra, me teknikën e mirë të të gatuarit. Veç kësaj, ne kemi bërë emisione nga më të ndryshmet. Jemi marrë me cikël të programeve për latantët, të cilët janë fëmijët nga 0-1 vjeç, me mjekë pediatër, me mjekë të fushës, për mënyrën dhe mirërritjen e fëmijëve, që nga dhënia e qumështit të gjirit e deri te kalimi në ushqim. Pra kemi trajtuar tema nga më të ndryshmet dhe më tepër këmbëngulja te mënyra e të ushqyerit dhe zbërthimi i të gjithë elementëve me të cilët ne gatuanim apo kishim në tryezë, në mënyrë që t’ua bënim sa më të afërt amvisa dhe teleshikuesve të tjerë që na ndiqnin. Mund të them që kjo punë ka bërë që emisioni të ketë qenë tërheqës.

Nuk është thjesht të gatuash sepse të gjithë gatuajnë se duhet të ushqehen. Problemi është të gatuash dhe të përshtasësh një element me një tjetër. Këtë punë ne e kemi bërë, unë së bashku me bashkëpunëtorët e tjerë, të cilët i ftonim në studio, të cilët ishin mjekë, agronomë, psikologë, në mënyrë që ta jepnim sa më të qartë këtë emision. Them që kam bërë një punë, pastaj këtë e vlerëson tjetërkush, por që unë jam përpjekur. Jam përpjekur ashtu sikurse kisha arsimin me dashuri, ashtu edhe këtë. Sot që jam këtu me ju, me thënë të vërtetën, mua më merr malli për ekranin. Më merr malli që të bisedoj dhe të replikoj, sepse gjithmonë e kam kërkuar këtë. Kam kërkuar të di se çfarë nuk u pëlqente njerëzve nga ai emision, në mënyrë që ta bënim akoma edhe më mirë. Pra, unë e mirëprisja vërejtjen gjithmonë dhe kjo ka bërë që emisioni të ketë sukses. Kështu mendoj unë.

 Ku e bazoni ju pasionin tuaj për gatimin?
Ky është programi i parë që është krijuar nga një televizion këtu në Shqipëri, që në atë kohë ishte Tele Norba, dhe ku unë kam qenë pjesë e tij. Ky ishte emisioni i parë në të gjithë republikën dhe ndiqej shumë. Fati im ishte se ne kishim një traditë familjare, një traditë gatimi. Nëna dhe babai im gatuanin perimet e ndryshme që ishin asokohe. Ndoshta ishte edhe kjo. Por ndoshta ishte edhe diçka tjetër, kur isha në moshën 8-vjeçare, ne u shkëputëm nga Tirana dhe shkuam në Shkodër sepse babai im ishte ushtarak. Dhe atje bashkëjetesa e familjes sonë nga Delvina me shkrodranët, me ulqinakët, me familje të tjera nga Podgorica, bëri atë shkëmbimin e eksperiencës. Unë isha një fëmijë ndryshe nga fëmijët e tjerë të familjes sepse ne ishim 6 fëmijë. Isha shumë kurioze të dija se si gatuanin ato familje. Ato zonjat shkodrane gatuanin vazhdimisht. Më ka bërë përshtypje diçka që sot gatuhet tava me krap dhe që atëherë e mbaj mend që një zonjë që ne e kishim fqinje, kur gatuante tavë me krap, i priste ato fetat e krapit dhe i fuste në një tigan të madh të cilin e mbushte me uthull. Fetat e krapit i linte që të merrnin një valë në uthull. Unë e shihja këtë veprim, por nuk e dija arsyen. Sot e mendoj se pse e bënte këtë, sepse krapi është peshk liqeni, pra i ujërave të ëmbla dhe ajo e fuste në uthull për t’i neutralizuar shijen e ëmbël dhe për ta kombinuar me shijen e thartë të uthullës dhe të kripës. Gatimet e ndryshme sidomos në fundjava, ku të gjitha zonjat mblidheshin dhe gatuanin secila nga një gjë, unë i ndiqja vazhdimisht. Ndoshta kjo ka qenë një nxitje që unë ta kisha me shumë dëshirë kuzhinën. Pastaj më vonë, në rrethin tim familjar, unë gatuaja mirë, shquhesha, të paktën kështu janë shprehur të gjithë. Në qoftë se do të mblidheshim diku, unë do të merresha me kuzhinën, nuk mund të bëja punë tjetër. Por nuk është kuzhina, është arti i kuzhinës. Ishte një mrekulli. Edhe sot unë akoma vazhdoj që ta kem me dëshirë dhe me shumë dashuri edhe kur gatuaj në shtëpi, sot që nuk gatuaj më në ekran. Por, më pëlqen që të vëzhgoj, të shoh emisionet e tjera, si dhe çfarë bëjnë, a është thjesht një gatim apo duhet të nxjerrim në pah diçka tjetër.

Janë me mijëra recetat që unë kam përpunuar në emisionet ku unë kam marrë pjesë sepse ishin të përditshme. Fillimi ka qenë shumë i vështirë për mua sepse nuk ishte thjesht për të gatuar, por siç e thamë, duhej të jepje diçka ndryshe. Kështu që më është dashur të studioja mirë, të bëja ditar dhe të shfletoja. Dhurata ime më e bukur, në çdo rast, ka qenë një libër kuzhine, d.m.th. në qoftë se dikush do të shkonte jashtë vendit, në qoftë se dikush do të vinte tek unë për një datëlindje apo për një festë tjetër, dihej që dhurata do të ishte një libër. Dhe unë kam një bibliotekë shumë të mirë me libra nga më të ndryshmit, me të cilët unë punoja vetë sepse i kisha mësuar termat në anglisht, në rusisht, në turqisht gjithashtu dhe bëja përkthime vetë. Fillimisht kam pasur edhe ndihmesën e fëmijëve, pastaj pasi u futa në rrjetet sociale, punoja vetë edhe vazhdoj të punoj vetë. I kam të shkruara të gjitha recetat që kam krijuar dhe kam dëshirë t’i botoj, por nuk e di sa do ta realizoj këtë dëshirë.

Cili është mendimi juaj për kuzhinën shqiptare?
Unë nuk jam e mendimit që ne nuk kemi kuzhinë. Madje jam e mendimit që ne kemi një kuzhinë shumë të pasur. Unë e mbaj mend që kur isha fëmijë, që tryeza jonë mbushej plot, kur vinin miq. Kryesisht kur vinin miq se në ditë të zakonshme, si në çdo familje, gatuhej një drekë ose siç i thoshim, një gjellë, dhe do të mblidheshim si familje. Por në ditë të veçanta, tryeza jonë mbushej. Dhe është shumë interesante sepse ne nuk mund të themi që nuk kemi kuzhinë, sepse po të shkojmë në qytete të ndryshme të vendit, nga veriu në jug, gjejmë gatime nga më të ndryshmet dhe karakteristike për çdo qytet. Pra, ne nuk mund të themi që nuk kemi kuzhinë. Fatmirësisht, që unë e shikoj si diçka pozitive emigrimin, djemtë që kanë emigruar në vende të ndryshme të botës, sot janë shefa kuzhine. Shumë prej tyre janë kthyer në Shqipëri dhe kanë hapur restorantet e tyre. Ne duhet të këmbëngulim që ta mbajmë këtë traditë dhe ta zhvillojmë e ta moderojmë sepse kanë hyrë shumë elementë të rinj dhe është detyrë e shkollave profesionale, sidomos atyre të kuzhinës, që të transmetojnë te të rinjtë dëshirën për të ruajtur këtë traditë të gatimit shqiptar. E them këtë sepse të gjithë ata shefa kuzhine që gatuajnë dhe përpiqen të bëjnë modernizma në pjatë, kur shkojnë në shtëpi dhe jam e sigurt për këtë, e them me bindje të plotë, kërkojnë pjatën e nënës së tyre. Prandaj, edhe ata duhet të përfshihen në këtë gjë. Restorantet që janë hapur me shefat e kuzhinës, siç kemi p.sh. Altin Prengën te “Mrizi i Zanave” apo “Mullixhiu”, e shumë të tjerë si Arvin Kita, apo grupin me emërtimin “Shija shqiptare” që është një gjë madhështore, ku, përveçse transmeton këtu, në vendin e vet, gatimet dhe traditën e gastronomisë shqiptare, duan që ta transmetojnë këtë edhe në botë. Pra, të njihet tradita jonë në të gjithë botën.

Cila është nisma juaj personale?
Unë jam shumë e gatshme që në bashkëpunim me “Albania Exellence” të ndihmoj edhe në zonat rurale, në mënyrë që atje zonjat të ndryshojnë mënyrën e të jetuarit shëndetshëm. Unë jam e gatshme në çdo kohë, që të jap këtë ndihmesë.

Ju keni bashkëpunuar me Karlo Bolinon, në dy televizione. Çfarë kujtoni ju nga kjo eksperiencë? A ju mungon ekrani?
Mua më mungon shumë ekrani. E kisha një dritare ku bashkëbisedoja me të gjithë. Ndonëse jam e angazhuar në familje, e ndjej mungesën e ekranit sepse e kam dashur shumë. Por, kam dashur shumë dhe dua të përshëndes bashkëpunëtorët e mi, ose më mirë të them ata që mua më mbajtën dhe më përkrahën. Janë Karlo Bolino e Alba Malltezi, që më kanë mbajtur shumë pranë, të cilët i përshëndes dhe u uroj punë të mbarë. Por nuk mund të rri pa përmendur stafin tim, djem e vajza të reja, që më mbështetën pavarësisht se isha më e madhe në moshë se ata. I përshëndes. I kam dashur dhe i dua. Do t’i kujtoj gjithë jetën. I falënderoj shumë.

Ju shquheni për thjeshtësi dhe origjinalitet në transmetimin e mesazheve, të veprimeve dhe të gjitha detajeve që përbëjnë një amvisë. Mendoni se duhet të jepni një mesazh që televizioni sot në Shqipëri duhet të jetë kaq i thjeshtë dhe kaq origjinal. Si e shikoni televizionin sot?
Kur hyjmë në shtëpi veprimi i parë që bëjmë, është që marrim pultin dhe hapim televizorin. E hapim për t’u informuar, për të marrë diçka pozitive. Unë do të thosha që të gjithë ata që kanë programe, duhet të jenë vetvetja, por duhet të përçojnë te teleshikuesi gjithmonë problemin e zgjidhur dhe problemin pozitiv. Mos të merren me ujëra. Ujërat janë të tepërta dhe e mbysin dhe e zhysin ekranin. Ndërsa ajo çka duam ne, teleshikuesit, është qëllimi, informimi, qëllimi i informimit, dhe çdo gjë pozitive. Pra, të mësojmë nga ekrani.

Do të ktheheshit sërish në ekran?
Kalova shumë vite në televizion, rreth 14 vite. Unë nuk e kisha menduar që do të zgjaste kaq shumë. Ishin 14 vite punë e përditshme. Unë isha shumë e lumtur. Kur zbrisja shkallët e shtëpisë, thosha që jam edhe unë në punë sepse isha e moshuar. Dhe ecja me hapin e të rinjve, kaq e përkushtuar isha. Por nuk mund të them që do të kthehem përsëri në ekran. Më pëlqen të kthehem, më pëlqen shumë ekrani, sepse tani që shoh emisione të ndryshme, mendoj se unë do t’i bëja ndryshe. Sikur të isha edhe një herë, do ta bëja kështu. Kjo ndoshta do të ishte arsyeja që unë mund të kthehesha, por nuk mundem. Kam marrë një mision tjetër, të cilin do ta përmbush duke e çuar deri në fund. Misioni që kam marrë është po aq i rëndësishëm për mua dhe po aq me pasion dhe me dashuri, që të rris mbesën time, Emelin. Do të qëndroj pranë Emelit. Faleminderit!

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja