Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Viktor Berdo, mori pjesë në takimin e zëvendësshefave të Shtabit në kuadër të iniciativës së Ministerialit të Mbrojtjes për Evropën Juglindore, që u zhvillua në Beograd, Serbi.Sipas njoftimit zyrtar, në këtë takim morën pjesë edhe komandanti i SEEBRIG, si dhe përfaqësues të NATO, SEESAC dhe UNDP. Fokusi kryesor i këtij takimi ishte zgjerimi i bashkëpunimit ushtarak në Evropën Juglindore, si dhe forcimi i stabilitetit të sigurisë dhe të ardhmes në rajon e më gjerë. Në këtë takim morën pjesë 14 vendet pjesë e kësaj iniciative, si dhe Gjeorgjia me statusin e vendit vëzhgues.

Gjeneralmajor Berdo në fjalën e tij, përveç pasqyrës që i bëri progresit dhe rëndësisë së kësaj iniciative për sigurimin e paqes në rajon, në emër të Ministrisë së Mbrojtjes mori angazhimin që takimi i radhës i zëvendësshefave të Shtabit të kësaj iniciative të zhvillohet në Shqipëri.Ky takim, që u zhvillua në Beograd, mori disa vendime të rëndësishme në lidhje me të ardhmen e kësaj iniciative dhe ftoi vende të tjera të rajonit që, nëpërmjet politikës së dyerve të hapura që kjo iniciative aplikon, edhe ato të fillojnë proçeset për t’u bërë  pjesë e kësaj iniciative.

Marrë nga "ATSH"