Policia e Tiranës, nisi hetim për 23 protestues, si organizatorë dhe drejtues të pjesëmarrësve të saj në tubimin e 18-të të së mërkurës. Në hetim janë 3 nismëtarët e vetëshpallur Arben Kola, Luçiana Kokaj dhe Arlind Lleshi.
Policia i konsideron të paligjshme veprimet për pengimin e qarkullimit të lirë të mjeteve në disa rrugë të Tiranës, ndryshe nga itinerari i njoftuar paraprakisht.
Ata janë në akuzë për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, prishja të qetësisë publike dhe pengim të qarkullimit.
Ndërkohë, të mërkurën në polici ka kryer kallëzim një qytetar i cili pretendon se ai dhe gruaja e tij është kanosur nga Gent Progni në protestën e 16 qershorit, pas një debati për publikimin e një videoje në rrjetet sociale ku pretendohej se Progni nuk lejonte protestuesit të flisnin në podium para Kryeministrisë.
Pasi u thirr në polici, Progni pranoi para bluve se ka kërkuar sqarime nga kallëzuesi.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë-Shërbimet e Policisë së DVP Tiranë, krahas angazhimit për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme, kanë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale për identifikimin e shtetasve që kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin gjatë tubimit.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se disa nga pjesëmarrësit në tubim kanë organizuar dhe drejtuar pjesëmarrësit, duke penguar qarkullimin e lirë të mjeteve në disa rrugë të Tiranës, ndryshe nga itinerari i njoftuar paraprakisht.
Në lidhje me këtë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 janë proceduar penalisht 23 shtetas, konkretisht: A. K., A. Ll., L. K., E. K., V. D., E. Z., Xh. P., A. N., I. Rr., J. Sh., A. H., Xh. B., Sh. B., E. Q., T. H., S. M., E. K., D. K., A. Ll., L. D., B. K., R. S. dhe E. L.
Vijon puna për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë përgjegjës.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Ndërkohë, sqarojmë se më datë 17.06.2026, në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë është paraqitur shtetasi R. M., i cili ka kallëzuar se gjatë protestës së zhvilluar më 16.06.2026 është kanosur nga shtetasi G. P., pas një debati lidhur me publikimin e një videoje në një rrjet social, ku pretendohej se shtetasi G. P. pengonte qytetarët të flisnin në podium. Sipas kallëzimit, ky i fundit i është drejtuar me fjalë që kallëzuesi i ka konsideruar kërcënuese. Gjithashtu, kallëzuesi ka deklaruar se ai dhe bashkëshortja e tij ndihen të kërcënuar nga shtetasi G. P.
Policia ka thirrur dhe i ka marrë deklarim shtetasit G. P., i cili ka pranuar se ka kërkuar sqarime nga kallëzuesi për videon e publikuar në një rrjet social.
Në lidhje me këtë rast, materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Komente







