Aktivistët kanë paralajmëruar se nesër nuk do të protestojnë vetëm në kryeqytet për projektin kundër Zvërnecit, por edhe në Plazhin e Dalanit (Zvërnec).
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale bëhet me dije se nisja nga Tirana drejt Zvërnecit do të bëhet mbrapa Teatrit të Operas dhe Baletit, në orën 08:00.
Pas marshimit theksohet se do të vijnë në kryeqytet, për të mbajtur protestën e radhës në orën 18:00.
“Lajmërim: Ndryshim vendodhjeje për marshimin në Vjosë-Nartë!
Më 6 Qershor, do të mblidhemi për të marshuar në një nga vendet më të bukura që Shqipëria ka. Një peizazh i rrallë ku laguna takon detin, ku dunat e rërës kanë mbrojtur Vlorën për shekuj dhe ku qindra lloje shpendësh gjejnë strehë.
Do të jemi aty për të treguar se bukuria e Vjosë-Nartës nuk është për t’u shkatërruar, por për t’u mbrojtur.
6 Qershor, Zvernec – Plazhi i Dalanit
Nisja nga Tirana, mbrapa Teatrit të Operas dhe Baletit, në orën 08:00. Vendet janë të limituara.
Pas marshimit, do të kthehemi të gjithë së bashku në Tiranë për të protestuar në orën 18:00, në Sheshin Skënderbej”, thuhet në njoftim.
Dje në ditën e pestë të protestës, ata kërkuan anulimin e planit për ndërtimin e resortit luksoz në Zvërnec, duke ngritur gjithashtu një sërë kërkesash të tjera ndaj qeverisë. Protestuesit kërkuan shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare, por edhe dorëheqjen e qeverisë.
Komente







